E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë nuk u përkujtua padrejtësisht në 100 vjetorin e pavarësisë kombëtare

30-12-2012 / Nga Sejdi Peka

Nuk ka asnjë dyshim se festa e madhe që përsëritet njëherë në 100 vjet, ajo që në gojën e popullit shqiptar quhet tradicionalisht si “Dita e Flamurit”, zgjoi në mënyrë të natyrshme instinktin patriotik të të gjithë shqiptarëve anë e kënd botës,që të tregojnë vitalitetin e tyre dhe të bashkuar të festojnë në mënyrën më shembullore. Sigurisht ky qëndrim patriotik ka zgjuar edhe zilinë e disa qarqeve në qeveritë e vendeve fqinjë që asnjëherë nuk ja deshën të mirën Shqipërisë por në shekuj lakmuan tokat e begata të këtij populli më të vjetër të Ballkanit të vendosur në perlën e Europës. Një kontribut të jashtëzakonshëm dhe historik për mbarëvajtjen e kësaj feste të madhe ka dhënë personalisht Kryeministri Berisha. Me këtë rast u përkujtuan në konferenca akademike dhe shkencore ngjarjet kulmore të historisë tonë kombëtare, personalitete të letrave shqipe dhe të politikës, njerëz të dalluar që derdhën gjakun për liri, pavarësi e dinjitet kombëtar. Por është mjaft për t’u çuditur se nuk u tha asnjë fjalë për Alush Lleshanakun, Hamit Matjanin, Zenel Shehun, Rexhë Berishën e dhjetëra ushtarë të “kompanisë 4000” që në kuadrin e NATO-s, zbarkuan në Shqipëri dhe derdhën gjakun e tyre për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri,si diktatura më e egër në të gjitha vendet e Europës Lindore. Po të ishte realizuar përpjekja e tyre,demokracia në Shqipëri do të kishte ardhur plot 40 vjet përpara vitit 1990. Do të ishin 40 vjet demokraci që populli shqiptarë do t’i kishte gëzuar në liri dhe jo në diktaturën e tmerrshme enveriste. 
Në prill të vitit 1949, 63 vjet më pare,u formua Aleanca e Atlantikut të Veriut, si përgjigje ndaj kërcënimit dhe ekspansionit komunist. Kur akoma nuk ishin ftohur grykat e armëve nga lufta e dytë botërore kundër fashizmit,një kërcënim tjetër real po i kërcënohej botës. Në pothuajse gjysmën e Europës një sistem tjetër akoma më mizorë se fashizmi, komunizmi kishte vendosur regjimin e diktaturës dhe nga dita në ditë po bëhej një rrezik real për shtrirjen dhe pushtimin e të gjithë botës. Bashkimi Sovjetik që doli nga lufta si palë fituese po e shtrinte hegjemoninë e tijë agresive në Azi, Afrikë, Amerikën Latine dhe po kërcënonte edhe vendet e tjera të Europës Perëndimore. Ndërmjet lindjes komuniste dhe vendeve demokratike të perëndimit u vendos e ashtuquajtura “perde e hekurt”. Në këto kushte u formua NATO,aleanca më e fuqishme mbrojtëse në botë. Qëllimi për të cilën ajo u krijua është “të jetë ruajtëse e lirisë, civilizimit dhe trashëgimisë së përbashkët të anëtarëve duke promovuar stabilitet dhe mirëqenie”. Misioni i kësaj aleance ishte sigurimi i anëtarëve të sajë përmes mjeteve ushtarake dhe politike. Një sulm i armatosur ndaj njërit vend konsiderohej si një sulm ndaj të gjithëve. Në krijimin e saj, Aleanca përfshinte 12 vende demokratike të Perëndimit dhe drejtohej nga fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake e botës,njëkohësisht dhe vendi më demokratik në rruzullin tokësorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1952 në NATO u pranuan edhe Greqia e Turqia, ndërkohë shumë shpejt anëtare e sajë do të bëhëj edhe Gjermania Perëndimore. Në këtë kontekst “bota e lire” po intensifikonte veprimet e sajë jo vetëm në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit të vendeve anëtare por po shikonte mundësinë e çlirimit të kombeve të robëruara të lindjes nga regjimet barbare komuniste.
Për fatin e keq të popullit shqiptar, Shqipëria kishte mbetur nën pushtimin e një regjimi diktatorial më të egër në historinë e saj. Enver Hoxha, udhëheqësi komunist i Shqipërisë po ushtronte kundër popullit një gjenocid të shfarosjes masive të atyre që ai në paranojën e tij prej krimineli i konsideronte si kundërshtarët e tij politik. Qindra mijëra të tjerë ishin ndjekur nga regjimi dhe kishin gjetur strehë në vendet demokratike të perëndimit. Në këtë pikëpamje Shqipëria konsiderohej si vendi që regjimi komunist po eksperimentonte krimet makabre për të nënshtruar popujt nën diktaturë. Nga ana tjetër Shqipëria konsiderohej edhe si porta hyrëse në “perden e hekurt” dhe si bazë për çlirimin e popujve të tjerë të robëruar të lindjes komuniste. Në Europën Perëndimore ishin të strehuar qindra emigrant antikomunist, ajka e djalërisë dhe e inteligjencës së kombit shqiptarë, të gatshëm për sakrificat më sublime për të çliruar Atdheun e tyre nga diktatura komuniste. Ishin këto arsyet që ShBA dhe Anglia, projektuan dhe filluan të zbatonin një plan për çlirimin e popujve të pushtuar nga komunizmi. Dhe ky plan filloj të implementohej pikërisht me Shqipërinë. Paralelisht me krijimin e NATO-s, në vitin 1949 u formua në Romë, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Në krye të këtij Komiteti u zgjodh Mit’hat Frashëri, patrioti dhe nacionalisti i dalluar në përpjekjet e tij për lirinë e Shqipërisë,pinjolli i derës së madhe të Frashërllinjve dhe i biri i Avdyl Frashërit. Por përpjekjet e këtij patrioti të pashoq u venitën akoma pa filluar. Në një hotel të New-Yorkut, KGB në bashkëpunim me ish-Sigurimin komunist do ta vrisnin nëpërmjet një helmi të fortë. Përpjekjet e Mit’hat Frashërit do t’i avanconin më tej luftëtarë të tjerë të dalluar për lirinë e Shqipërisë si Hasan Dosti, Rexhep Krasniqi, Seit Kryeziu, Xhafer Deva etj. Me mbështetjen, financimin dhe drejtimin e qeverive të Anglisë dhe ShBA u projektuan dhe filloj zbatimi konkret në drejtim të planeve për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë drejtim një ndihmë të veçantë në përzgjedhjen e misionarëve që do të zbarkonin në Shqipëri për të organizuar popullin në një kryengritje të përgjithshme për përmbysjen e regjimit komunist, ka dhënë Komiteti Shqipëria e Lirë. Në Mynih të Gjermanisë Perëndimore u grumbulluan më shumë se 250 të rinj nga emigracioni politik shqiptar në Europën Perëndimore që përbënin atë që u quajt “kompania 4000”. Në një stërvitje intensive nga specialistët më të mire ushtarak amerikan dhe anglez, ata po përgatiteshin që të zbarkonin nga toka dhe ajri në Shqipëri. Qendra të tilla rekrutimi dhe stërvitje kishte edhe në Maltë etj. Në këtë kuadër filloj zbatimi konkret i planit me zbarkimin e desantëve nga ajri dhe toka. Në kohën për të cilën po flasim në Shqipëri ishin të vendosur më tepër se 2000 të ashtuquajtur specialist sovjetik të shpërndarë në Ministrinë e Brendshme,të Mbrojtjes dhe kudo në institucionet, që në fakt ishin agjent të shërbimit sekret sovjetik që drejtonin dhe kontrollonin të gjithë veprimtarinë e shtetit komunist. Infiltrimi i agjentit sovjetik Kim Filbi në shtabin e operacionit Anglo-Amerikan, bëri atë që të gjitha zbarkimet nga ajri dhe toka të raportoheshin në Moskë dhe të njoftoheshin agjentët sovjetik në Shqipëri. Duke ditur vendin dhe orën e zbarkimit,lehtësisht u bë i mundur kapja dhe asgjësimi i grupeve si edhe loja e organizuar nga shërbimet sekrete sovjetike në Shqipëri. Si rezultat i kësaj manovre të tradhtisë së Filbit, u kapën dhjetëra luftëtarë antikomunist dhe dhjetëra të tjerë u nxorën përpara gjyqeve që ja kalonin nga terrori edhe gjyqeve të inkuizicionit mesjetar në britmat histerike të turmave dhe të xhelatëve komunistë. Ata ju nënshtruan torturave më çnjerzore të xhelatëve të ish sigurimit komunist që mendja e njeriut nuk mundet t’i imagjinojë dhe vdiqën si heronj. Por nga ana tjetër me qindra e mijëra njerëz të tjerë të familjeve dhe të afërmve të këtyre u burgosën, u internuan dhe vdiqën nga vuajtjet dhe uria. Për afro një gjysmë shekulli kundër këtyre familjeve u eksperimentua e ashtuquajtura “luftë e klasave”, një vuajtje e tmerrshme pa kufi dhe çnjerëzore.
            Këto po më kujtohen sot, kur Shqipëria në 100-vjetorin e Pavarësisë Kombëtare po përkujton ngjarje dhe personalitete të dalluara në historinë e saj. Dhe shtroj disa pyetje për historianët, politikanët deri te Presidenti i Republikës. A ishin vallë këta njerëz që u vranë mizorisht këtu në Shqipëri dhe të tjerë që po përgatiteshin në Gjermaninë Perëndimore dhe kudo gjetkë misionarët e demokracisë? A konsiderohen këta njerëz ushtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) që dhanë jetën dhe derdhen gjakun për çlirimin e popullit shqiptar nga diktatura?A është i njëjtë vallë misioni i ushtarëve tanë në Irak, Afganistan etj?A ishin këta njerëz që dhanë jetën për të sjellë këtu në Shqipëri demokracinë dhe lirinë që po e gëzojmë sot. I bie që demokracia në Shqipëri të kishte ardhur në vitin 1949,plotësisht 40 vjet përpara se ndodhi në të vërtetë. Sa kohë kemi humbur! Në festën e kësaj ngjarje të madhe historike, kur Shqipëria e vuajtur shumë gjatë të gjithë historisë së sajë në përpjekjet e patriotëve dhe bijve të sajë që u sakrifikuan në altarin e lirisë, është rreshtuar në krahun e shteteve demokratike, në Aleancën më të fuqishme të botës, veçanërisht neve ish-të përndjekurit politikë jemi krenarë për vuajtjet tona në  emër të lirisë. Ne jemi krenarë për baballarët tanë. Unë jam krenar për babanë tim, që atje në Munih të Gjermanisë Perëndimore ashtu si dhjetëra bashkombas të tij, ishte një ushtar i lirisë dhe i demokracisë të cilën po e gëzojmë ne sot dhe e gëzofshin në shekuj brezat që do të vijnë. Duke përkujtuar këto ngjarje, sa qesharake janë shkrimet e tipit Tozaj, Dodani e co që mbushin faqet e disa pseudo-gazetave, duke u thurur lavde kriminelëve dhe agjentëve të ish-sigurimit komunist. Përpjekjet e tyre për të injoruar trimërinë dhe sakrificat e këtyre ushtarëve të lirisë janë të dështuara dhe tregojnë fytyrën e tyre si agjent të ish sigurimit kriminal komunist sllavo-bolshevik. Këtyre burrave të kombit që u sakrifikuan kundër murtajës komuniste dhe për lirinë e Atdheut shum shpejt historia do t’u japë vendin e merituar. Sa vjen e po ngushtohet hapësira e ish-sigurimsave në Partinë Socialiste në përpjekjet e tyre për të mbrojtur të kaluarën e zezë enveristo-komuniste. Ne ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë jemi krenarë gjithashtu se lufta dhe përpjekjet tona u kurorëzuan më në fund me fitoren tonë kundër komunizmit. Përpjekjet e ish-sigurimsave dhe pinjollëve të diktaturës komuniste tani janë pa asnjë shpresë se në Shqipëri do të munden të sjellin edhe një 97 tjetër. Tranzicioni i stërzgjatur i Shqipërisë postkomuniste tani ka marrë fund. Politika shqiptare pa humbur kohë duhet të vlerësojë realitetin. Presidenti i Republikës duhet sa më parë të vlerësojë këta heronj që dhanë jetën dhe derdhën gjakun për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë. Sot, ne ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë kemi fituar betejën kundër komunizmit,nga ana tjetër neve jemi antikorpet që mbrojmë demokracinë. Ka fituar populli shqiptar në aspiratën e tij shekullore kundër sllavo-bolshevizmit dhe për bashkimin e kombit tonë me Amerikën dhe Europën demokratike pjesë e të cilës kemi qenë dhe do të mbetemi në shekuj.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›