“Edi Rama të distancohet nga konfliktet artificiale, të kthehet në rrugën e arsyes”

Reagimi i LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje dje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që t’i kthehet rrugës së arsyes. Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Ardit çela, u shpreh se opozita dhe Partia Socialiste duhet të kontribuojnë në mënyrë konstruktive për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
“Duke shfrytëzuar këtë komunikim me mediat, përfitojmë edhe njëherë nga rasti për ti përsëritur sërish lidershipit të Partisë Socialiste ftesën për të kontribuar në mënyrë konstruktive për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Për fat të keq, qëndrimet e Partisë Socialiste kanë qenë bllokuese dhe në mungesë të plotë të alternativave. E megjithatë, ne shprehim besimin dhe urojmë njëkohësisht, që lidershipi i opozitës, të kthehet në rrugën e arsyes, të heqë dorë nga politika e vjetër e konflikteve artificiale e të paqena, si dhe të shtrëngojë fort dorën e shtrirë të mazhorancës, për të bashkëpunuar për reformat e rëndësishme në të mirë të vendit”, u shpreh zyrtari i lartë i LSI.
çela tha se Partia Socialiste duhet ta kuptojë njëherë e mirë, se interesat kombëtare qëndrojnë mbi gjithçka, dhe se qëndrimi në llogore të mbyllura e të betonuara, vetëm e vetëm për hir të interesave personale, është kontributi më negativ që mund të japë për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.