Edi Rama po e kthen Tiranën në beton-qytet

Deputeti i PD-së Gerti Bogdani
Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani, akuzoi përsëri kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama, se po tenton të kthejë në betonizim hapësirat e gjelbra të Parkut të Liqenit artificial, nga të cilat mendohet se si do të fitojë shuma marramendëse, që i takojnë 100 milionë eurot e gjobës paraprake.
Sipas deputetit demokrat, në atë zonë parashikohet ndërtimi i pallateve 26 deri në 30 kate, të cilat do të shërbejnë si shtojnë të interesave të 20 për qindëshit Edi Rama.
“Siç kanë denoncuar edhe mediat e shkruara pas fakteve që publikoi deputetja Vokshi për korrupsionin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet sekserit të tij zotit Lepuri, futet aksioner me hir apo me pahir në kompaninë e “Vizion Construction” me një shumë prej 20 % apo e kthyer në vlerë monetare me 100 milionë euro. Bëhet fjalë pikërisht për zonën në kodrat e Liqenit, ku në planin rregullues të zotit Rama në këtë zonë parashikohet ndërtimi i pallateve 26 deri në 30 kate. Pra, e vetmja hapësirë e gjelbër e mbetur në qytetin e Tiranës shndërrohet në një hapësirë të betonizuar”, u shpreh Bogdani.
Sipas tij, kjo tregon më së miri dhe kjo fakton më së miri se zoti Rama jo vetëm që nuk ka vizion për qytetin e Tiranës, por shikimi i tij është errësuar nga paratë që merr nga lejet e ndërtimit. “Kjo fakton, siç e tregon dhe plani rregullues, pamja aktuale e zonës pa asnjë ndërtim, gjelbërim, pishina dhe lojëra për fëmijët e qytetit dhe plani që Rama ka për këtë zonë, pallate 30 katëshe, duke i marrë përfundimisht frymëmarrjen qytetit të Tiranës. Kjo tregon se zoti Rama e ka kthyer kryeqytetin në një qytet betoni dhe Partinë Socialiste në partinë e lepurit dhe lepujve”, përfundoi Bogdani.