PS, konfirmon qëndrimin bizantin ndaj reformës zgjedhore

Problemet e brendshme të Partisë Socialiste, e detyrojnë Edi Ramën të forcojë gjithnjë e më shumë linjën destruktive ndaj reformave dhe bashkëpunimit parlamentar për stabilitetin politik. Nisur nga emergjenca kohore për reformën zgjedhore, nga selia rozë nuk duket asgjë në dritë, lidhur me një bashkëpunim të ngushtë me shumicën, për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore. “PS, s’ka në axhendën e saj realizmin e reformës zgjedhore pa u hetuar zgjedhjet e qershorit”, u shpreh deputetja socialiste Eglantina Gjermeni. Sipas saj, opozita rrëzon çdo mundësi për të realizuar reformën elektorale, pa bërë më parë transparencën e zgjedhjeve te kaluara.
Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni u shpreh opozita i mbetet këtij qëndrimi të hershëm, si një kusht për bashkëpunimin me mazhorancen.
“Vetëm transparenca e zgjedhjeve të shkuara është garancia e zgjedhjeve të ardhshme. Ta harrojë tryezën e bashkëpunimit, një reformë të re ligjore, kush nuk ka kurajë të ulet në tryezën e hetimit të të gjitha shkeljeve të ligjit ekzistues zgjedhor. Shqiptarëve nuk ju mungojnë ligjet ne letër, por pushteti që i zbaton ato në realitet”, tha ajo.
Qëndrimit të dyzuar të Partisë Socialiste, i janë kundërvënë prej kohësh dhe muajsh të tërë, forcat e tjera politike. Më herët, Lëvizja Socialiste për Integrim, ka kërkuar shtrirjen e linjave të bashkëpunimit, për hir të zgjedhjeve vendore. Por në kushtet e mungesës së vullnetit të bashkëpunimit dhe nisur nga problemet e brendshme në parti, Edi Rama e ka thuajse të pamundur të ulen në tryezën e përbashkët elektorale për të diskutuar modalitetet e zgjedhjeve të ardhshme.