E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama të enjten ka shansin e fundit, për të votuar tre ligjet e integrimit”

20-02-2013 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit fton qytetarët sot në orën 16.30 në shesh për të festuar rrëzimin e diktaturës

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu bëri një tjetër apel kreut të opozitës Edi Rama që me 21 shkurt, në seancën parlamentare të ditës së enjte, të votojë 3 detyrime të paplotësuara të Bashkimit Europian, të cilat do ta afrojnë Shqipërinë me Evropën, duke marrë Statusin e vendi Kandidat. “Ke një rast tjetër, ti dhe partia jote që të konsiderohesh , si mbështetës e kontribuues në realizimin e ëndrrës së atyre që përmbysën diktatorin më të egër, me sloganin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa!’. Përndryshe, siç shqiptarët e kanë treguar në 20 shkurtin e 1991, kur i bllokon e dhunon aspiratat e tyre, ata të rezervojnë vetëm një fund: rrëzimin!”, deklaroi ministrja e Integrimit Bregu.  
Më tej, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu kujtoi edhe një herë festimet për 20 shkurtin. “20 shkurti 2013 do të na mbledhë pasdite në orën 16.30 për të festuar ditën e madhe të përmbysjes së bllokut të komunizmit. Ditën ku morën udhë liritë tona. 20 shkurti 1991, kishte vetëm një motiv: rrëzimin e diktaturës, hapjen e dyerve drejt Evropës së shumë ëndërruar. U ngritën të gjithë për t’i dhënë fund njëherë e mirë vuajtjeve të prindërve, persekutimeve, ekzekutimeve, kampeve të përqendrimit. Thirrjet ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, ishin simboli i protestave studentore dhe i gjithë lëvizjes popullore në atë kohë”, theksoi zonja Bregu.
Ndër të tjera, ministrja e Integrimit Bregu vuri në dukej se shqiptarët sot janë qytetarë të lirë si gjithë Evropa, udhëtojmë pa barriera në të gjithë Evropën.
“Ne sot jemi një nga vendet anëtare të aleancës më të fuqishme në botë, në NATO.  Ne sot, përmes reformave të mëdha, afrohemi çdo ditë e më shumë me standardet Evropiane. Ne sot kemi shumë arsye për të festuar 20 shkurtin, si ditën që shënoi fillimin e kësaj epoke të re transformimi, zhvillimi dhe mirëqenieje, që na bën të ndjehemi sot qytetarë të denjë, siç edhe e kemi merituar gjithmonë të jemi”, nënvizoi ajo. 
Sipas saj, shqiptaret duan të ecin përpara! “Nuk harrojmë se 20 shkurti është fundi i një sistemi diktatorial, pinjollët e rinj të së cilit po kërkojnë me çdo kush ta rilindin përsëri. Sot, Rilindësit e Bllokut, jo vetëm nuk kanë shprehur për asnjë moment pendesë për etërit e tyre, por vazhdojnë bindshëm t’u japin të njëjtin dënim shqiptarëve: t’i bllokojnë. Tentuan të bllokojnë NATO-n. Dështuan. Tentuan të bllokojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve nëpër Evropë. Prapë dështuan. Po bllokojnë për tre vjet me radhë statusin e vendit kandidat. Do të dështojnë sërish nëse vazhdojnë kështu”.
Në fund të konferencës për shtyp në ministrinë e Integrimit, ministrja Bregu apeloi për një herë të fundit kryetarin e PS, Edi Rama. “Ke një rast tjetër Edi Rama, me 21 shkurt, të enjten, të votosh 3 detyrime të paplotësuara, të cilat do ta afrojnë Shqipërinë me Evropën! Ke një rast tjetër, ti dhe partia jote që të konsiderohesh , si mbështetës e kontribuues në realizimin e ëndrrës së atyre që përmbysën diktatorin më të egër, me sloganin, ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa!’. Përndryshe, siç shqiptarët e kanë treguar në 20 shkurtin e 1991, kur i bllokon e dhunon aspiratat e tyre, ata të rezervojnë vetëm një fund: rrëzimin!”, përfundoi ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›