E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama të heqë dorë nga destruktiviteti, të rikthejë opozitën në Kuvend

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, i apelon kryesocialistit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, i bëri thirrje dje kryesocialistit Edi Rama që të heqë dorë nga sjelljet destruktive dhe të rikthejë opozitën në parlament. Këtë deklaratë, Meta e bëri gjatë homazheve të zhvilluara sot pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Ministri Meta u shpreh se ndodhej aty për të nderuar kujtimin dhe sakrificën e gjithë vajzave dhe djemve të Shqipërisë që dhanë jetën për çlirimin e vendit.
Duke iu referuar situatës politike në vend, Zëvendëskryeministri Ilir Meta i apeloi liderit të opozitës Edi Rama për rikthimin e opozitës në sallën e Kuvendit, për të kontribuar në proceset e integrimit evropian. Gjithashtu Meta bëri thirrje edhe për heqjen dorë nga etiketimet personale nga liderët politikë. “Është plotësisht e sigurt se sjellja destruktive e lidershipit të opozitës nuk i shkon për shtat një opozite në një vend anëtarë të NATO-s dhe një opozite në një vend që hyn në proces anëtarësimi me Bashkimin Europian. Kështu që mos shikoni vetëm pasojat, por edhe shkakun dhe me këtë rast do i ftoja të gjithë që të heqin dorë nga etiketimet e panevojshme të karakterit personale dhe këtë në radhë të parë duhet ta bëjë kryetari i PS-së dhe natyrisht më pas dhe kryeministri dhe gjithë të tjerët. Është koha për të forcuar institucionet demokratike, është koha për përqendruar energjitë në procesin e integrimit evropian dhe ju e dini se mazhoranca ka qenë dhe është gjithmonë e hapur që në këtë proces të jenë të përfshirë dhe opozita, gjithë ekspertët e saj, dhe gjithë kapacitetet e saj”, u shpreh Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›