“Edi Rama të kërkojë falje për prishjen e institucioneve të kultit dhe për vjedhjen e shitjeve të ikonave”
Kryeministri Berisha i ka kujtuar kreut të PS-së, Edi Rama se është akuzuar në katarsis nga ish-lideri socialist, Fatos Nano, se e mori nga Parisi teksa shiste ikona të vjedhura
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje kryesocialistit, Edi Rama të kërkojë falje në emër të partisë së tij për prishjen e institucioneve të kultit dhe vjedhjen e ikonave gjatë periudhës së komunizmit.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha i ka kujtuar kreut të PS-së se është akuzuar nga ish lideri socialist, Fatos Nano, se e mori nga Parisi teksa shiste ikona të vjedhura. “Unë ju them ju dhe një gjë tjetër se ku shkuan ikonat dhe pikturat. Ato u vodhën në mënyrën më monstruoze nga bllokmenët. Dhe i kërkoi zotit Rama atë kërkoj të falur publikisht për këtë gjenocid kulturor në emër të partisë së tij, për të mos thënë tjetrën që Fatos Nano e akuzoi në katarsis se e mora në Paris tek shiste ikona të vjedhura. Ia ka thënë këtë për propagandë apo mbi bazë faktesh, por e vërteta është që ikonat dhe pikturat i morën më shumë piktorët, skulptorët dhe amatorët e pikturës dhe të skulpturës të nomenklaturës. Se ku e bazon zoti Nano këtë deklaratë atë duhet ta sqarojë, por bëj thirrje ta dënojë dhe të kthehen të gjitha ikonat dhe pikturat e marra nga institucionet e kultit. Ati janë trashëgimi kulturore e përjetshme e kombit shqiptar.
Ka një akuzë po ka dhe një fakt të pamohueshëm, që sipas një statistike 250 ikona dhe piktura janë zhdukur dhe nuk gjenden më sepse u morën në atë batërdi, pikërisht nga këta njerëz”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se Komiteti duhet të vazhdojë punën, për të memorizuar gjithçka në memorien kombëtarë në mënyrën e duhur. “Nuk ka një komb tjetër që të ketë pësuar në Evropë, atë që pësuam ne në atë shkallë. E pësuam në kohën e Skënderbeut kur dheu u pushtua nga të gjitha anët, por e pësuam në vitin 90, jo se shqiptarët nuk donin vendin e tyre, jo se erdhi një pushtues i huaj por se tregu i gjeti ata skllevër të vërtetë të një sistemi që u kishte marrë çdo gjë, pronën private dhe gjithçka tjetër. Dhe nuk mundet që kjo tragjedi e përmasave biblike kombëtare të mos memorizohet në memorien kombëtare në këtë 100 vjetor”.
Ndërkaq duke iu referuar vendimit të Komitetit për 100 vjetorin e pavarësisë për kthimin në Shqipëri të kokës së Ali Pashë Tepelenës, Kryeministri tha se trupi i tij do të mbetet në Janinë. “Janë dhe një seri detyrash të tjera që ky komitet do të zgjidhë, siç është përpjekja më e fortë për rikthimin e eshtrave të Sami Frashërit, Mithat Frashërit, kokën e Ali Pashës. Se dje i gjithë shtypi ishte marrë me kokën e Ali Pashait. U kërkua të shkonte në Stamboll koka dhe vetëm se ishte kokë shqiptari. Dhe ne duhet ta kthejmë me të gjithë nderimet që i takojnë këtij burri të madh legjendar, diplomat, strateg, siç thamë pra , të merremi vesh me autoritetet e Tepelenës, ta varrosim në muze, por edhe në Tepelenë nuk po e përcaktoj vendin, por ai meriton një nderim pas kaq dekadash një burrë që krijoi një oborr të ndritur që u vizitua nga personalitet më të mëdha të kulturës në Evropë, por edhe të diplomacisë, si Bonaparti, më i fuqishmi shtetar i planetit në atë kohë kishte vlerësimin më të madh dhe i kishte dërguar atij një nga gjeneralët më besnikë, Bajroni dhe shumë të tjerë. Ndaj dhe duhet ta rikthejmë kokën”, theksoi kryeministri.
Gjithashtu, Berisha deklaroi se në bashkëpunim me Vatikanin dhe Kishën Katolike, do të ndërtohet siç ka qenë kisha e Vaut të Dejës, kisha më e vjetër e vendit.
“Para dy muajsh festuam 950 vjetorin e Dioqezës së Savës, por Kisha nuk ishte. Kisha mungonte se ishte hedhur në erë me dinamit. Ka të gjitha të dhënat se projekti ekziston në Vatikan dhe në atë duhet ta ndërtojmë si dëshmi e vendosmërisë sonë për të zhvilluar vlerat e mëdha kulturore të vendit. Bisedimet paraprake janë zhvilluar, por ne duhet të ecim më tej”.