“Të memorizohet gjenocidi hoxhist ndaj institucioneve të Kultit”
Pritet zgjatja e kohës së punës të Komitetit Shtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë, për të shërbyer për kthimin e vëmendjes ndaj gjenocidit që klika hoxhiste ka kryer ndaj institucioneve të Kultit. Angazhim për ringritjen e Kishës së Vaut të Dejës, më e vjetra në Shqipëri
Kryeministri Berisha parashtroi një sërë projektesh për të cilat është rënë dakord në Komitetin shtetëror të 100 vjetorit të pavarësisë dhe që mbeten për tu realizuar në muajt në vijim.
Sipas tij, ka mbetur jashtë memories historike gjenocidi kulturor që regjimi hoxhist kreu në Shqipëri, duke rrënuar vlera shekullore dhe kulturore në institucionet e kultit. “Por ajo që mund të them është se qeveria bëri më të mirën që kremtimi i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë të ishte në lartësinë dhe në dinjitetin e merituar. U mblodh pardje komiteti ndërshtetëror i festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Komiteti konstatoi se me gjithë punën e madhe që është bërë në të gjitha aspektet kanë mbetur në ndjekje dhe disa probleme madhore dhe ato jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë në 100 vjetorin e saj. Kanë mbetur për përgjigje dhe finalizim ndërtimi i muzeut të Spaçit, kampi i përqendrimit më i tmerrshëm në të gjithë Evropën, në nderim të vuajtjes, sakrificës, martirizimit të qindra e qindra mijëra të burgosurve politikë, të burgosurve të ndërgjegjes së regjimit komunist. Ka mbetur Obelisku në nderim të martirëve të fjalës së lirë, të lirisë së lëvizjes, të besimit të lirë, pra të lirive dhe të drejtave që ne gëzojmë sot, por që mijëra e mijëra shqiptarë paguan me jetë dhe me rininë e tyre në regjimin diktatorial. Ka mbetur jashtë memories historike gjenocidi kulturor që kreu klika hoxhiste në Shqipëri, duke rrënuar vlera shekullore, kulturore në institucionet e kultit. Në një shkallë apo në një tjetër edhe regjime të tjera në Evropën ish komuniste dëmtuan, por kurrë nuk bënë atë, as Stalini vetë, diktatori më i gjakësor i kohërave nuk shkoi në atë shkallë saç shkoi Enver Hoxha me institucionet e kultit. Ai rrafshoi me qindra kisha, xhami e teqe shekullore. Kjo nuk është memorizuar në historinë tonë. Nuk ka një akt më makabër. Natyrisht që ne jemi marrë me të gjallët dhe do të merremi, jemi marrë me jetën dhe do të merremi, por ajo ishte një trashëgimi shekullore, e pa rikthyeshme, e pa kompensueshme. Ndaj dhe është e domosdoshme që ky problem të trajtohet në mënyrë të gjithanshme dhe serioze”, tha kryeministri.