E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Zëdhënësit e akuzuar për trafik droge s’e shpëtojnë Ramën nga autorësia e Murit të Bllokimit

27-12-2012 / Gazeta 55

Selia blu u kundërpërgjigjet akuzave të socialistëve, duke ripërsëritur vëzhgimin se “Përgjegjësia për murin e bllokimit po bëhet edhe më e rëndë për Ramën”

Partia Demokratike i rikujtoi kreut të PS, Edi Rama se çdo ditë që kalon përgjegjësia për murin e bllokimit të shqiptarëve bëhet më e rëndë.
Përmes një deklarate për shtyp, selia blu iu kundërpërgjigj dhe njëherë tjetër akuzave të ardhura sërish nga ana e përfaqësuesve socialistë mbi pasurinë e familjes kryeministrore. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vazhdon bllokimin e votimit të tre ligjeve në Parlament që kërkohen nga Komisioni Europian, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian dhe nga Parlamenti Europian për dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me qëndrimin e tij bllokues të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë provon se ndjek besnikërisht me mjete të tjera qëndrimet  e dajës së tij famëkeq që persekutoi inteligjencën teknike shqiptare, Spiro Koleka, dhe që në dhjetor të vitit ‘90 kërkoi mbajtjen e pushtetit me gjak. Ndjek verbërisht të atin që firmoste varjen e disidentëve në sheshet e qyteteve pas rënies së perdes së hekurt”, thuhet në deklaratën e PD-së.
“Duke bllokuar votimin për statusin e vendit kandidat, Edi Rama dëshmon se ai nuk mund të ndalet para asgjëje që për interesa personale, antikombëtare, antishqiptare të shkelmojë ëndrrën europiane të çdo shqiptari. Ai beson se duke nxjerrë çdo ditë zëdhënës të tij të akuzuar për trafiqe droge dhe prostitucion për të shpifur dhe trilluar për familjaret e Kryeministrit mund të maskojë sado pak aktin e tij të shëmtuar të ngritjes së murit të bllokimit për Shqipërinë. Me fushatën e tij të shpifjeve kundër familjarëve të Kryeministrit të cilët kanë të deklaruar në tatime dhe ILDKP çdo qindarke të të ardhurave të tyre. Edi Rama politikani i vetëm me 3 mijë euro dhe i pastrehë, por që ka ndërtuar qyteza me mafien e tij prej 54 pallatesh mendon i tmerruar se duke shpifur çdo ditë për të tjerët se do mund të shpëtojë tmerrit të pasurive të fshehura të tij. Partia Demokratike i rikujton Edi Ramës se çdo ditë që kalon përgjegjësia jote për murin e bllokimit të shqiptarëve bëhet më e rëndë mbi ty dhe partinë që drejton dhe se ata që shembën murin e Bashkisë presin me padurim të shembin murin e bllokimit sikundër garanton se me asnjë shpifje apo trillim nuk do mund të fshehësh pasuritë e vjedhura për 11 vjet si ish-kryetar Bashkie”, vijon në reagimin e saj PD-ja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›