E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama të ngrihet mbi interesat e klubit të miliarderëve, të votojë më 6 gusht”

29-07-2012 / Gazeta 55

Deklaratë për media e Partisë Demokratike/ Për PS-në më rëndësi ka fryrja e arkës së klubit të miliarderëve sesa heqja e imunitetit për qytetarët shqiptarë

Partia Demokratike i ka bërë sërish ftesë kreut të Opozitës Edi Rama që të votojë më 6 gusht heqjen e imunitetit në funksion të interesit qytetar dhe të mos shohë interesin e miliarderëve të PS-së. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e kësaj force politike Silvi Bardhi tha se Rama deklaron çdo ditë se Ai do të bllokojë këtë akt historik dhe nuk do të lejojë grupin e tij të votojë më datën 6 Gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në kundërshtim me interesin jetik të çdo qytetari shqiptar për heqjen e imunitetit për zyrtarët e vendit, deklaron çdo ditë se ai do të bllokojë këtë akt historik dhe nuk do të lejojë grupin e tij të votojë më datën 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit”, deklaroi zëdhënësja e PD-së.
Sipas saj, “me këtë qëndrim Edi Rama deklaron se muri i imunitetit që është dhe muri i korrupsionit, mburoja e zezë ligjore që klub miliarderësh të Partisë Socialiste dhe zyrtarët e tjerë përdorin për të grabitur çdo ditë pasuritë e qytetarëve shqiptarë pa iu hyrë ferra në këmbë, do të mbrohet prej tij. Me këtë qëndrim Edi Rama iu thotë qytetarëve të papunë se për atë dhe partinë e tij nuk ka asnjë rëndësi shembja e murit të korrupsionit që shkatërron çdo ditë vende pune dhe pengon krijimin e vendeve të reja, por rëndësi ka, pasurimin e paligjshëm, me pallate pa leje në bashkitë e tij, larja e parave të trafiqeve kriminale, fshehjes së taksave dhe kontrabanda në dogana nga klubi i miliarderëve në krye të Partisë Socialiste të cilët janë gati të dorëzojnë çdo gjë tjetër por Jo imunitetin që e kanë cituar e blerë me miliona Euro”.
Më tej Bardhi shtoi se duke bllokuar heqjen e imunitetit Edi Rama, demonstron se për të rëndësi kryesore ka arka e tyre dhe e PS-së dhe jo mirëqenia ekonomike, rritja e ndihmës ekonomike apo edhe e pagave e pensioneve.
“Duke bllokuar heqjen e imunitetit dhe rrëzimin e murit të korrupsionit Edi Rama iu thotë qytetarëve të varfër shqiptarë se edhe pse korrupsioni ju bën ju edhe më të varfër dhe ju zhyt gjithnjë e më thellë në mjerim, imuniteti i miliardereve të Kryesisë së Partisë Sociliste nuk mundë t’i përkasë sepse për të rëndësi kryesore ka arka e tyre dhe e Partisë Socialiste që duhet të fryhet çdo ditë dhe më shumë dhe jo kafshata e bukës e fëmijëve tuaj. Me bllokimin e heqjes së imunitetit dhe të rrëzimit të murit të korrupsionit, Edi Rama ju thotë  troç 560 mijë pensionistëve dhe mbi 100 mijë familjeve në ndihmë ekonomike se për atë dhe partinë e tij, rëndësi kapitale ka mbrojtja me imunitet i miliarderëve të Kryesisë së partisë së tij dhe jo rritja më e madhe e ndihmës së  tyre ekonomike apo pensioneve të tyre të ulëta apo shtimi i ilaçeve të nevojshme për shëndetin e tyre në listën  e rimbursimit”, shtoi zëdhënësja e PD-së.
Sipas zëdhënëses së PD-së, Edi Rama ka mbetur pa asnjë argument për refuzimin e heqjes së imunitetit, ndaj sajon mashtrime dhe trillime të reja.
“Edi Rama i mbetur pa asnjë argument për refuzimin e heqjes së imunitetit sajon mashtrime dhe trillime te reja. Dje ai iu tha shqiptarëve se nuk voton imunitetin më datën 6 gusht sepse këtë date sipas tij e ka caktuar shumica dhe Partia Socialiste nuk ka qenë dakord. Ky është një trillim që u hodh poshtë nga vetë deputetët socialistë”, bëri ët ditur më tej Silvi Bardhi.
PD sqaron se data 6 gusht është një detyrim që stimulohet në nenin 77/a/b të Rregullores së Parlamentit për ndryshimet kushtetuese të paraqitura nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe miratuar në Parlament në vitin 2008.
“Data 6 gusht është një detyrim që stimulohet në nenin 77/a/b të Rregullores  së Parlamentit për ndryshimet kushtetuese të paraqitura nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe miratuar në Parlament në vitin 2008. Edi Rama dezinformon kur thotë se dt 6 gusht është caktuar në kundërshtim me opozitën. Partia Demokratike informon shqiptarët se më datën 12 korrik është miratuar pa asnjë kundërshtim nga deputetët e Partisë Socialiste që amendamentet kushtetuese për heqjen e imunitetit  të votohen siç përcakton Rregullorja me datën 6 gusht”, shtoi më tepër në deklaratën e PD-së, zëdhënësja e kësaj partie.
Duke përfunduar, PD-ja i bën thirrje Edi Ramës të lejojë deputetët e tij, të votojnë heqjen e imunitetit.
“Partia Demokratike i bën thirrje dhe një herë Edi Ramës, të ngrihet mbi interesat personale të klubit të miliarderëve në krye të partisë së tij dhe të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë më datën 6 gusht në  interesin më jetik të të gjithë qytetarëve shqiptarë, heqjen apo kufizimin e imunitetit dhe rrëzimin e murit të nxirë të korrupsionit”, përfundon deklarata e PD-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›