“Klima e biznesit në Shqipëri është përmirësuar, koha për prezencë më të madhe investitorësh amerikanë”

Ministri Edmond Haxhinasto takon Ambasadorin Alexander Arvizu
Investimet amerikane në vendin tonë pritet të rriten. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë i ka bërë ftesë investitorëve amerikanë të rrisin kapitalin e tyre në vendin tonë. Deklarata e Ministrit Haxhinasto u bë në takimin me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu. Nga ana e tij diplomati amerikan vlerësoi se Shqipëria ka një klimë biznesi të përmirësuar ndjeshëm, si dhe u shpreh se "tashmë është koha e duhur për një prezencë më të madhe të investitorëve amerikan në Shqipëri".
Ministri Haxhinasto dhe Ambasadori Arvizu, vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat. Haxhinasto vlerësoi se SHBA është aleati strategjik dhe ekonomik për Shqipërinë dhe u shpreh se, prioritet i punës së tij do të jetë thithja e Investimeve të huaja, inkurajimi i prodhimit vendas dhe i eksporteve "Made in Albania", kryerja me sukses të procesit të privatizimeve strategjike, me objektivin final rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Haxhinasto theksoi se energjetika, hidrokarburet dhe industria minerale, si sektorë prioritar të ekonomisë sonë mirëpresin investimet e huaja, e sidomos ato amerikane. Në këtë kontekst, Haxhinasto dhe Arvizu shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet pozitive të Projektit TAP dhe rëndësinë që ai ka për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit.