Edi Rama t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe Tanja Fajon për rastin “Griseilda”
Edi Rama i cili nuk di të ndalet në misionin e tij për të nxirë imazhin e Shqipërisë, vetëm një gjë nuk çon nëpër mend... Tju kërkojë falje shqiptarëve.
Në historinë 6 vjeçare të drejtimit të PS-së prej Edi Ramës, mision të tij ka pasur qëllim të vetëm të nxijë sa të mundet këtë imazh. Janë përmendur e stërpërmendur, kulmet e imazh-nxirjeve të Edi Ramës. Duke mos konsideruar “kërcënimet” e tij nëpërmjet Vali Leskajt, për “ushtrinë njëmilionëshe” të shqiptarëve që do “të pushtonin” Europën në rast liberalizmi të vizave, thagma mbeten “vjedhja” e orës së Presidentit amerikan George W. Bush, në Fushë Krujë dhe “lënia” shtatzëne e Griseildës.
Për të keqen e Edi Ramës, ai që duhet të merrte dhenë, “kërcënimi” i Vali Leskajt për “ushtrinë njëmilionëshe” të shqiptarëve që do “të pushtonin” Europën, nuk kapërceu as kangjellat e PS-së, ndërsa budallallëqet e tij, të sajuara me ndihmën e sokolave të medias, sikurse “vjedhja” e orës së Bushit dhe “shtatzënia” e Griseildës, duhet pranuar, që bënë xhiro ndërkombëtare.
Edi Rama ndoshta nuk ka pasur as dëshirën më të vogël, që interesi i për “kërcënimin” në emër të “ushtrisë njëmilionëshe” të shqiptarëve që do “të pushtonin” Europën, nga njëra anë dhe “vjedhja” e orës së Bushit dhe “shtatzënia” e Griselidës nga ana tjetër, të kishin këtë shpërndarje interesimi.
Po ç’ti bësh. Ndodh që edhe ai nuk i ka gjërat (mediat) nën kontroll, sikurse ndodh që ato “i dalin nga binari”.
Por, për të keqen e tij më të madhe, ndodh dhe më e tmerrshmja, ajo që, “vjedhjen” e orës së Bush, e ndërkombëtarizon efekti media, ndërsa “shtatzëninë” e Griseildës e ndërkombëtarizon efekti Erion Veliaj...
... Supozojmë se Edi Rama, nuk ishte dijeni, se Erion Veliaj në 1 qershor, një ndër 100 e-mailet që ai dërgon anë e kënd rruzullit, ia kishte nisur edhe eurodeputetes Tanja Fajon. (Nga ana e Erion Veliajt, “zgjedhja” e Tanja Fajon mund edhe të ketë qenë tendencioze, për ti demotivuar asaj kontributin për liberalizmin e vizave për shqiptarët, përballë tentativës së tij për të kontribuuar në nxirjen e imazhit të tyre).
Por, gjithsesi Edi Ramës nuk i falet, që kur e mori vesh se Erion Veilaj “të lë me barrë”, “të rrëmben”, “të detyron të abortosh” dhe në fund të braktis “në një pellg gjaku”, të mos e ndëshkonte atë politikisht, dhe më e pakta, të mos e lërë të bëjë viktimën “si i gënjyer”, lartë e poshtë nëpër media të ndryshme.
Sigurisht, kjo është e tepërt..., ajo pra, që Edi Rama, të ndëshkojë “potencën virtuale” të Erion Veliajt.
Por, nuk është aspak e tepërt, që Edi Rama, nën mbushjemendjen e mundshme që i bën vetes, “hë mos se i falet Eruionit”, të vetëkënaqet, pse mbrojtësja e interesave të shqiptarëve, të bjerë pre e një mashtrimi të rëndomtë dhe të shndërrohet në spikere të mashtrimeve të dyshes “Rama-Veliaj”.
Tani që “i dolën petët lakrorit”, Edi Rama (nga Erion Veliaj nuk pritet dhe nuk ka asnjë vlerë), duhet që të marrë disa kosto budallaqesh të vetat e të bashkëpunëtorëve të tij, dhe minimalisht, t’ju kërkojë falje shqiptarëve por edhe eurodeputetes Tanja Fajon. Edi Rama, duhet tju kërkojë falje shqiptarëve dhe Tanja Fajon, jo pse nuk lanë shtatzëne Griseildën, jo pse nuk e rrëmbyen ata, jo pse nuk e detyruan të abortonte, apo jo pse nuk e përgjakën... Por, Edi Rama duhet të kërkojë falje për imazh-nxirjen që i bënë në mënyrë të përsëritur, shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Kjo, sigurisht ka kosto.
Por gjithsesi Edi Rama, nuk mund të fshihet duke mbuluar kokën me çarçaf në shtëpinë e tij dhe të presë, që ndonjë fallxhore që sheh filxhanët, ti shoh filxhanin e radhës, e ta ngushëllojë me ndonjë “lajm të mirë”, që ajo mund “ta lexojë” në llumin e kafesë së zezë, në fund të filxhanit.