E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klienti i PS-së humbet mandatin, se mori mendtë bashkiake të shpërdorimit të mandatit

17-06-2011 / Gazeta 55

Ilir Beqja, miku i vjetër i Edi Ramës, humbet mandatin, pse kishte marrë garancinë prej Edi Ramës, se në Shqipëri s’do respektoheshin asnjëherë mandatet, as në bashkinë e Tiranës e as në parlament. Por Kushtetuesja sanksionon se tenderat klienteliste të bashkisë së Durrësit duhet “t’i hanë kokën” zbulimit politik socialist të Shkodrës 

“Ilir Beqja abuzoi me mandatin e deputetit, duke përfituar fonde publike”. Ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili automatikisht i heq mandatin e ligjvënësit socialistit Ilir Beqja. Me një vendim të formës së prerë, Gjykata Kushtetuese shpalli dje papajtueshmërinë e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja në përfitimin e tenderit publik prej 240 milionë lekë në bashkinë e Durrësit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të thotë se Ilir Beqja nuk do të jetë më deputet i qarkut të Shkodrës, duke marrë kështu “ndëshkimin” e merituar prej përfitimit të paligjshëm të afro 250 milionë lekëve në një tender të bashkisë së qytetit bregdetar. Në seancën e djeshme, trupi gjykues ka pranuar kërkesën e mazhorancës sipas së cilës kërkohej papajtueshmëria e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja. Të pranishëm në seancë kanë qenë dy krerët e grupeve parlamentare, atij të PD Astrit Patozi dhe të PD-së, Gramoz Ruçi. Beqja akuzohet për përfitime tenderash gjatë kohës që ka qenë i veshur me mandatin e deputetit. Në kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike drejtuar Kushtetueses theksohej se deputeti Beqja ka përfituar në datën 9 dhjetor të vitit 2009 nga Bashkia Durrës 24 milion e 240 mijë lekë të reja. Deri më tani socialistët janë mbrojtur me argumentin se koha, në të cilën kompania ku deputeti socialist Ilir Beqja është aksioner dhe ka përfituar tenderin në fjalë, nuk përputhet me mandatin që ai ka pasur si deputet, duke iu referuar kështu kohës kur PS ka thyer bojkotin e parlamentit. Por shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese, ka dalë më vendimin për heqjen e mandatit të deputetit. Ndërkohë sipas vendimit të Kushtetueses Ilir Beqja nuk do të jetë më deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe ai do të zëvendësohet automatikisht sipas Kodit Zgjedhor, nga deputeti pasardhës në listë, Paulina Hoxha. Znj.Hoxha është pedagoge në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Partia Demokratike ngriti një vit më parë një akuzë kundrejt Ilir Beqjes, duke e akuzuar këtë të fundit se ishte përfitues tenderash gjatë kohës që ka ushtruar edhe mandatin e deputetit. Për të hedhur në dritë nëse aktiviteti fitmprurës i kompanisë së z.Beqja ishte i ligjshëm apo jo në tenderin e Durrësi, Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi për interpretimin e mandatit të tij, ndërsa ngriti edhe një Komision Hetimor për këto akuza. Mazhoranca kërkoi interpretimin e nenit 71 të kushtetutës, ku flitet për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit me një sërë postesh të larta të shtetit. Dhe pikërisht në bazë të interpretimit të nenit 71 të Kushtetutës së Shqipërisë nga Gjykata Kushtetuese, sjelle se, Ilir Beqja ka abuzuar me mandatin e deputetit duke përfituar fonde publike.

Tenderi për rrjetin kompjuterik, “vrasësi” i mandatit të Beqjes

E gjithë çështja lidhet me një tender që kompania me aksioner kryesor Ilir Beqjen, Intech +, ka përfituar në bashkinë e Durrësit, për informatizimin e rrjetit kompjuterik.
Në Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike të datës 28 shtator 2009, Autoriteti Kontraktor, Bashkia Durrës, nëpërmjet një “Procedurë të hapur, elektronike”
shpall objektin e prokurimit “Informatizimi i Bashkisë faza II”. Sipas të njëjtës shpallje, mësohet se fondi limit është 20 751 000 (njëzet milion e shtatëqind e pesëdhjetë e një mije) lekë, fonde të Bashkisë së Durrësit. E njëjta shpallje bën të ditur se “Afati për dorëzimin e mallrave është 154 ditë”, ndërsa tenderi do të zhvillohej në datën 22. 10. 2009, në ambientet e Bashkisë së Durrësit. Rreth dy muaj më vonë, në Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike të datës 21 dhjetor 2009, mësohet se Kontraktori “Intech +”, me adresë Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit, Komleksi “Parku Jeshil”, Kulla 2, Apartamenti 1, Tiranë dhe me NIPT K 12418001K, ishte shpallur fitues i tenderit “Informatizimi i Bashkisë faza II”, për vlerën 24 240 000 (njëzetë e katër milion e dyqind e dyzetmijë) lekë me TVSH dhe se data e lidhjes së kontratës kishte qenë 09. 12. 2009.
“Faza e dytë e këtij projekti, ku kompania në fjalë ka qenë e përfshirë, i përkon një periudhe gjatë të cilës unë nuk ushtroja funksionin e deputetit, madje nuk kisha asnjë të ardhur apo përfitim që lidhet me mandatin e deputetit. Që nga momenti kur unë kam filluar të ushtroj mandatin e deputetit, kompania në fjalë nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike...”- ishte deklarata e deputetit Beqja, menjëherë pas ngritjes së çështjes nga Partia Demokratike. Me këtë frazë, të deklaratës së tij, Ilir Beqja u mundua të luajë me datat 22 tetor 2009, të pjesëmarrjes në tender dhe të 9 dhjetorit 2009, të nënshkrimit të kontratës, data që ai e quan veten “jo deputet”, sepse nuk kishte bërë betimin. Por, Ilir Beqja, sigurisht me dashje, harron që nënshkrimi i kësaj kontrate, kishte edhe një afat përfundimi. Afati i kontratës vetë parashikonte 154 ditë “për dorëzimin e mallit”. Sipas një llogarie të thjeshtë, po të numërosh 154 ditë, nga data 9 dhjetor 2009, i bie që kontrata të ketë përfunduar në 12 maj të vitit 2010, kur tashmë Ilir Beqja, ishte deputet prej 77 ditësh sepse “kishte bërë betimin”, që në datën 25 shkurt 2010. Fakti, që pas “legalizimit” si deputet ai ende vazhdonte të merrej ne “biznes”. Në përmbushje të detyrimit 154 ditor të kontratës me Bashkinë e Durrësit, nuk është mohuar asnjëherë nga Ilir Beqja. Përkundrazi, provon shkeljen e Kushtetutës nga ana e tij.

Kronologjia
28 shtator 2009

(Ilir Beqja deputet, por nuk kishte berë betimin)
Bashkia Durrës, nëpërmjet një “Procedurë të hapur, elektronike”
shpall objektin e prokurimit “Informatizimi i Bashkisë faza II”.

22 tetor 2009
(Ilir Beqja deputet, por nuk kishte bërë betimin)
Bashkia Durrës, nëpërmjet një “Procedurë të hapur, elektronike”
zhvillon tenderin për “Informatizimi i Bashkisë faza II”.

09 dhjetor 2009
(Ilir Beqja deputet, por nuk kishte bërë betimin)
Bashkia e Durrësit nënshkruan kontratën me “Intech +”
 për “Informatizimi i Bashkisë faza II”. Afati i kontratës 154 ditë.

25 shkurt 2010
(Ilir Beqja deputet, që kishte bërë edhe betimin)
Deputetët e PS-së, pas bojkotit prej rreth 6 muajsh të Parlamentit, bënë
 betimin. Edhe Ilir Beqja, bën betimin dhe “zyrtarisht” është deputet

12 maj 2010
(Ilir Beqja deputet, që kishte bërë edhe betimin)
Bashkia e Durrësit kishte parashikuar përfundimin e kontratës 154 ditor
me “Intech +”  për “Informatizimi i Bashkisë faza II”, për vlerën 24 240 000.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Neni 70
1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

Neni 71
“Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›