E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ nuk merr në shqyrtim ankimimin e PS-së për pavlefshmëri zgjedhjesh

29-06-2011 / Gazeta 55

Selia rozë kërkoi pavlefshmëri, tej të gjitha afateve ligjore që parashikon Kodi Zgjedhor. Publikohet i plotë, arsyetimi juridik i kryetarit të komisionit, Arben Ristani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi dje me 4 vota pro dhe 2 kundër, që mos ta marrë në shqyrtim ankimimin e Partisë Socialiste për rrëzimin e vendimit e datës 25 qershor 2011, që njohu kandidatin demokrat, Lulzim Basha, si fitues të garës së 8 majit për Tiranën.
Në këtë kërkesë ankimore, selia rozë kërkoi gjithashtu edhe pavlefshmërinë e 284 qendrave të votimit. Sipas ankimimit të socialistëve të bërë ditën e djeshme krahas mosnjohjes dhe kundërshtimit të Lulzim Bashës si kryebashkiak, u kërkua edhe kundërshtia tjetër për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendrat e votimit në Tiranë, gjë që duket se do të përballet me një tjetër ankimim.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka propozuar që të mos merret për shqyrtim ankimimi i PS-së, pasi në pjesën e parë nuk plotëson kushtin për kompetencën dhe në të dytën nuk përmbush kushtin për afatin ligjor.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në cilësinë e relatorit të kësaj çështje, e konsideroi si të pavlefshme kërkesën ankimore të PS-së në dy pikat e saj.
Pas një analize të detajuar ligjore, Ristani tha se në pikën e parë kërkesa nuk duhet të kalojë për shqyrtim për shkak të mungesës së kompetencës, ndërsa pika e dytë ku kërkohet rivotim në 284 qendra votimi, nuk duhet të kalohet për shqyrtim për shkelje të afateve ligjore, pasi sipas tij, është shkelur afati 3 ditor.
“Do t’i propozoja KQZ-së që për pikën e parë kërkesa të mos kalojë për shqyrtim për shkak të mungesës së kompetencës, e cila i takon Kolegjit Zgjedhor, ndërsa pika e dytë të mos kalojë për shkak të ezaurimit të afatit ligjor”, u shpreh Ristani në fund të prezantimit të relatimit të kësaj çështje ankimore.
Në reagim ndaj argumenteve të kryetarit të KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj, tha se kërkesa jonë “është në afat, plotëson kriteret dhe është paraqitur përpara organit kompetent për ta gjykuar atë”.
Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, tha se kërkesa e parë në ankimin e PS-së mund të bëhej vetëm në Kolegj, ndërsa lidhur me kërkesën e dytë, PS e ka humbur afatin kohor.
Pas dëgjimit të palëve kreu i këtij komisioni, hodhi në votim kërkesën e socialistëve, por pretendimet e socialistëve u rrëzuan.
Partia Socialiste ankimoi dy ditë më parë pranë KQZ-së, vendimin e datës 25 qershor që shpallte fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 93 vota më shumë se socialistin Edi Rama.
Kërkesa e fundit ankimore e Partisë Socialiste, e depozituar të hënën pranë KQZ-së, kërkonte shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 nga 485 qendrat e votimit që ka kryeqyteti. Opozita i referohet diferencave në shifra në tabelën e rezultatit të shpallur nga KQZ më 25 qershor, si ajo mes votave dhe numrit të votuesve, si dhe faktit që shuma e fletëve të vlefshme dhe atyre të pavlefshme nuk korrespondon me numrin e fletëve të gjetura në kutitë e votimit.     
KQZ shpalli disa ditë më parë me 93 vota në avantazh, kandidatin demokrat Lulzim Basha, pas procesit të numërimit të votave të kontestuara të hedhura në kutinë e gabuar, në 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit. Por ekspertët ligjorë u shprehën dhe më parë, se PS-ja nuk mund të kërkojë pavlefshmëri të zgjedhjeve, pasi afati ligjor për të bërë një kërkesë të tillë, kishte përfunduar.

Vendimi i KQZ-së

Mbështetur në nenin 21, pika 1, nenin 129, pika 1 dhe 3, gërma (a), nenin 130 dhe nenin 131, të ligjit Nr. 10019, datë 29. 12. 2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.

V E N D O S I:

1. Mospranimin  për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 164 të Partisë Socialiste e Shqipërisë.
2. Shpalljen publike të këtij vendimi.
3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e këtij vendimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›