Edi Rama zbulon “grupin armiqësor” në ekonomi
Konferenca të panumërta për shtyp, ligjërimi totalitar në Parlament dhe takimi i xhumasë i liderit socialist, Edi Rama, kanë si synim primar të hedhin baltë propagandistike mbi Institucionet Kushtetuese, dhe sekondar atë të instalimit të një psikoze dyshimi mbi situatën ekonomike në vend. Metastazat e Antishtetit po shfaqen në pretendime krejtësisht të pabaza ndaj institucioneve kryesore financiare dhe statistikore në vend, e që shpesh herë ngjajnë në kujtesë me demaskimet e grupeve sabotuese në ekonomi përgjatë diktaturës jakobine. Natyrisht, regjisori i këtyre akuzave është padyshim një ekspert i këtyre ceshtjeve me zarar, ish-Ministri i Kooperativës Socialiste, Shkëlqim Cani. Sigurisht, producent i kësaj fushate, pas asaj kutiste, është gjithmonë Ai, Egoarku i papranueshëm që sulmon Qeverinë, Bankën e Shqipërisë, INSTAT-in. Do të sulmojë në mënyrë të tërthortë edhe FMN-në, siç ka bërë me institucionet e tjera ndërkombëtare, çka flet për një skenar të trishtueshëm dogmatik.
Ky sulm i integruar populist ndaj Institucioneve kombëtare dhe në mënyrë shtinjake atyre ndërkombëtare vjen nga kompleksi i vjetër që ka propaganda e pa-reformuar e PS-së, që nëpërmjet demaskimit të komploteve Pluto-Imperialiste në ekonomi injekton të pavërteta. Me instalimin sistematik të frikës dhe të dyshimit në çdo qelizë të shtetit, natyrisht pastaj është më e thjeshtë të arrihen qëllimet dhe planet perverse.
Retorika e pakujdesshme e opozitës dhe e mekanizmave të saj këshillimore për ekonominë fyejnë dhe presin në besë çdo ditë me takt dhe pa takt jo vetëm Bankën e Shqipërisë (që për hir të vërtetës është institucioni më korrekt, më teknik dhe më i konsoliduar që ka Shqipëria) por edhe INSTAT-in dhe me FMN-në, sepse kjo e fundit theksoi se “ka pritshmëri pozitive për performancën e ekonomisë shqiptare për vitin 2010, si dhe për suksesin e përballimit të rreziqeve dhe ndikimit të krizës globale”. Kësisoj në qoftë se flitet mirë për Qeverinë Berisha, jo mirë mendon Edi Rama që e dënon Shqipërinë me faj, dhe për rrjedhojë e nxin me shtrembërime spekulative, të cilat tashmë kanë zënë vend dominant në kupolën opozitare. Ai ka sulmuar Qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT-in sa herë ka pasur një njohje të meritës. Kështu që sulmoi në mënyrë të tërthortë edhe me FMN-në, është në vijim me atë çka kanë bërë me institucionet e tjera europiane.
Gjithsesi, Anti-politika opozitare harron se atë që e akuzojnë në çdo konferencë për llafo-shtyp, pra INSTAT-in, institucion që ka rreth 2 vjet që është përfshirë në një projekt asistence nga FMN-ja për përmirësimin e metodologjisë së përllogaritjes së të dhënave dhe statistikave. Opozita harxhon energji të pashoqe në instalimin e klimës së dyshimit duke harruar misionit fisnik të dhënies së alternativave serioze apo ide sesi përmirësohen politikat ekonomike. Xhelozia e për sukseset e një maxhorance ka çuar në këmbë burri i madh e i vogël Shkëlqim Cani që me teknikën demagogjike, të perfeksionuar tash sa kohë të zhvlerësojë nismat e qeverisë “Berisha 2”, natyrisht nuk flitet me fakte por vetëm me fjalë të pabazuara, fjalë pa mbështetje të dhënash, qofshin këto edhe të pasakta. Socialistët kanë qeverisur tetë vjet dhe sa herë për të rritur pagat dhe pensionet kanë marrë borxhe të brendshme (250 milionë dollarë nga Taksa “Majko” - harxhuar që të gjitha për të mbyllur vrimat e zeza qeveria socialiste në buxhetin e shtetit, përmes kontrabandës në dogana, evazionit fiskal dhe politikave të shkatërrimit të ekonomisë kombëtare) dhe të jashtme. Një ekonomi që rrit nga viti në vit të ardhurat, në një sektor si doganat, do thotë që nuk është një ekonomi që meriton lotët e krokodilëve politikë, por një ekonomi që manifeston dinamizëm.
Sidoqoftë ekonomia shqiptare është cilësuar nga të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, si dinamike. Sepse qeveria aktuale shqiptare ka qenë mjaftueshëm insistuese, si dhe e vendosur në reformat anti-korrupsion, për të cilat ka qenë kampione në vitet e fundit dhe të cilat duket se po tregojnë rezultatet e para. Reformat e ndërmarra nga qeveria për luftën kundër korrupsionit me taksa, tatime, prokurime, dhe regjistrimin e biznesit. Sigurisht implementimi i sistemeve elektronike për taksat, prokurimet dhe regjistrimin e biznesit, ka reduktuar në kufirin minimal mundësinë e ryshfetit dhe të gjobës. Natyrisht performanca pozitive e qeverisë shqiptare nuk është fat, por rezultat i ndërmarrjes së një sërë politikash të duhura fiskale, monetare dhe makroekonomike. është i vërtetë fakti që Shqipëria ishte nja nga të paktat ekonomi që shmangën rënien ekonomike në uraganin e 2008 dhe furtunën e 2009.