E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqim Cani, nga Ramë Nexhmija te Ramë Koleka

Për të errësuar impaktin e deklarimeve të ministrit Prifti, njeriu i ekonomisë sovjetike, njeriu i tufëzave dhe arëzave, po përcjell tek Ramë Koleka të njëjtin mashtrim antishqiptar me të cilin shërbeu vite me radhë tek oborri politik i Ramiz Nexhmijes. Kreu i PS vjen i tmerruar nga Greqia e krizës, ku s’e priti askush, dhe doli dje para medias me një temperaturë gënjeshtrash edhe më të lartë sesa temperaturat afrikane të ditës


Dje është regjistruar një rekord i dëshpërimit në kampin e Edi Ramës, i cili i gjendur mes dështimit politik dhe turpërimit publik ka rikthyer në skenë Mjerim Canin e ekonomisë, i cili pasi dështoi në 90-n me Ramiz Alinë, me tufëzat dhe me arëzat, tani s’ka turp të dalë e të thotë mashtrime, mjaft që të largohet disi vëmendja. Edi Rama e ka fort të vështirë t’u tregojë njerëzve se përse e përdor ndryshe hundën përveçse për të marrë frymë, apo për dëshirat e tij jonormale në të veshur e në të jetuar në Kullën e Pezës, prandaj edhe pranon shpejt e shpejt, çfarëdo budallallëku që t’i serviret, mjaft që të hutojë disi publikun. Bylmez siç është në fushën e ekonomisë - zaten bylmez është edhe gjetkë, sepse edhe Artet që ka mbaruar atëhere, kanë qenë një strukturë sovjetike krejt antishkollë - ai besoi pa një pa dy se borxhi publik i Shqipërisë nuk ishte 60 përqind, por 100 përqind, dhe se kataklizmoja ekonomike si e Greqisë po afronte. Ai kishte parë tmerr në Greqi, kur për 4 ditë me radhë s’e priti asnjeri dhe Jorgos Papandreu thjesht i dha dorën, bashkë me të tjerët, kur ishte në hollin e hotelit ku mbahej aktiviteti i Internacionales. As Vangjel Dules s’kishte si i kërkonte llogari, pasi ai gjithë rrugës i kishte përsëritur se s’ishte socialist, e as Taulant Ballës, për të cilin me kohë e pat kuptuar se tezat politike i dukeshin si shesh-beshi i tavllës apo i kazinosë. I ardhur nga tmerri, tezat e Mjerim Canit u gëlltitën edhe më shpejt sesa i gëlltiti Ramiz Alia në 89-n tezat për tufëzat dhe arëzat. Shkëlqim Cani e kuptoi se po xhironte në vend, nga Ramiz Nexhmija tek Ramë Koleka, prandaj edhe ia fali Edvinit turpërimin që i pat bërë para zgjedhjeve vendore, kur e bëri helaq duke e përdorur në parafushatë, si njeriun që i kish besuar ekonominë, por kur erdhi puna për të hartuar listën e deputetëve, e la krejt jashtë dhe e zëvendësoi me Rudina Seserin. Këto ia fali Mjerim Cani, sepse kuptoi se ishte me shërbim tek e njëjta kastë e nomenklaturës, por që tani s’do të duhej të zbulonte mirëfilli grupe armiqësore në ekonominë e shtetit që kontrollohet prej tyre, por të shpallin armike qeverinë që po drejton ekonominë e vendit, larg ujrave të cunamit ekonomik (siç thotë me të drejtë kryeministri Berisha). Ai e shpalli armike dje qeverinë e Shqipërisë, e shpalli të dënuar ekonominë e Shqipërisë, por këto “sokëllima” të Mjerim Canit dhe bylmezit të ekonomisë nuk mund të kthejnë vëmendjen nga përgjigjet e vërteta që u duhen shqiptarëve, nga përgjigjet e pyetjeve që dy ditë me radhë shtron deputeti Dritan Prifti. Ato përgjigje duhen, dhe jo roli i kasandrës ekonomike, me njeriun e mjeruar që s’e ka për gjë të shërbejë në të zezë që nga Ramiz Nexhmija e deri tek Ramë Koleka.


I.N

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›