Izraeli konfirmon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BERZH

Meta takon ministrin e Jashtëm të Izraelit, Liedermann
Shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta ka zhvilluar dje një takim me homologun e tij izraelit, Avidgor Liebermann, gjatë punimeve të mbledhjes informale të Këshillit Ministerial të OSBE-së. Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Liebermann, vlerësoi qëndrimin e ekuilibruar dhe konstruktiv të politikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në Ballkanin Perëndimor. Ai përshëndeti anëtarësimin e vendit në NATO dhe ecurinë e procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm Izraelit u shpreh i gatshëm dhe i interesuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të rritur investimet izraelite në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Zv/kryeministri Meta mirëpriti interesin e Izraelit për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe vuri theksin tek zbatimi sa më efektiv i kuadrit ekzistues të marrëveshjeve që janë në fuqi mes dy vendeve. Duke u ndalur tek zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, z. Meta nënvizoi se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje që garanton stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon. Ai i kërkoi homologut të tij mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, çka u konfirmua nga z. Liebermann. Meta konfirmoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë për zgjidhjen paqësore të konfliktit në lindjen e mesme dhe dënoi aktet e dhunës nga cilado palë që ato vijnë. Dy homologët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
...