E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet varka politike e Edi Ramës

07-04-2012 / Gazeta 55

Një vit para zgjedhjeve, në frontin e majtë është kuptuar se s’mund të fitohet. Varka e Edi Ramës po fut ujë nga të gjitha anët. Vangjel Dule e shpalli dje formalisht divorcin me Edi Ramën, ndërkohë që edhe Milo po mendon të njëjtën gjë. Petro Koçi po bojkoton tryezat e koalicionit, nëse aty janë të pranishëm Ngjela e Ndoka, ndërkohë që Ben Blushi kërkon publikisht që asnjë aleat të mos hipë në varkën e opozitës
Fakti/Blushi shkruan Otellon e Vlorës, por Rama e sheh si Jago

Një vit para zgjedhjeve, në frontin e majtë është kuptuar se s’mund të fitohet.
Këtë e ka kuptuar më në fund edhe Edi Rama.
Përmes rrekjeve të tij, të tipit “nga njëra tryezë në tjetrën”, ku vetë fletë dhe ët tjerët tundin kokën, njëherazi Edi Rama duke mos parë një dritë të mundshme në fund të tunelit të humbjeve, po sillet edhe vetë si një opozitar që ka ende nevojë për këtë lloj stazhi.
Në fakt nuk është vetëm mungesa e alternativave serioze në këto tryeza të thirrura prej Edi Ramës, ku vetë fletë e vet dëgjon, që ia shton besimin atij te humbja e radhës e zgjedhjeve të radhës në vitin 2013. Janë edhe aleatët e tij, të cilët e kanë kuptuar se Edi Rama “po xhiron bosh”. Për pasojë kreu i PS-së, i cili nuk ka asgjë në dorë për ndonjë shpresë për fitore të mundshme në zgjedhje te vitit të ardhshëm, njëherazi, sipas mënyrës së vet, nuk po bën asgjë që “ti mbush me optimizëm” aleatët, por përkundrazi ua ka bërë të ditur atyre, se si me ata si pa ata, rikonfirmimin në opozitë edhe në zgjedhjet e vitit 2013 e ka të sigurt.
Në këto kushte, kur varka e Edi Ramës fut ujë nga të gjitha anët, aleatëve të tij, nuk ju ka mbetur asgjë më shumë për të bërë, se sa ta braktisin këtë varkë.
I pari që ka pohuar dhe bërë realitet hedhjen nga varka e Edi Ramës, më saktë dalja nga koalicioni opozitar, është kreu u PBDNJ-së.
Jo më larg se dy net më parë, Vangjel Dule shpalli formalisht divorcin me PS-në. Për kreun e PBDNJ-së, martesa me PS-në ka kohë që ka marrë fund, sipas tij që pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2011, pavarësisht se ky divorc u zyrtarizua vetëm dy net më parë.
Vangjel Dule, mund të jetë i pari që ka pohuar dhe bërë realitet edhe zyrtarisht, divorcin me PS-në. Por pavarësisht se ky zyrtarizim është thjesht dhe vetëm çështje kohe, duhet kujtuar e pohuar se Paskal Milo, kreu i PDS-së, ka qenë më i avancuar në këtë drejtim. Me paralajmërimet mediatike, më te hershme të tij, për dalje nga koalicioni me PS-në, për shkak edhe të zhgënjimit nga pabesia e Edi Ramës me reformën zgjedhore, Paskal Milo, pritet që të menduarit e kësaj gjëje shumë më herët nga Vangjel Dule, ta bëjë realitet shumë shpejt.
Petro Koçi nga ana tjetër, nga pozitat e drejtimit të një me nder të themi, parti e koalicionit të majtë, vetëm nuk e ka artikuluar divorcin me PS-në. Ndërsa pritet që edhe ky divorc të formalizohet, ndërkohë ai prej kohësh i ka bojkotuar tryezat e opozitës. Justifikimi çudibërës” që Petro Koçi ka gjetur për të “motivuar” këtë bojkot, lidhet me “të parit shtrembër” prej tij, si “të djathtë”, Spartak Ngjelën e Nard Ndokën.
Edhe Nard Ndoka ka shprehur hapur pakënaqësi për mënyrën sesi kryesocialisti po drejton opozitën. Nga ana tjetër, kreu i PDK-së ka arsye të tjera për të cilat edhe ka paralajmëruar divorcin me PS-në. Sigurisht këto arsye nuk lidhen me prezencën në tryezën e opozitës të “të majtëve” Ervin Mete apo Gjergj Koja, por, sikurse ai ka artikuluar, me lojën e dyfishtë të Edi Ramës, së fundmi edhe për reformën zgjedhore.
Sikur të mos mjaftonin pakënaqësitë e aleatëve, dhe kontributit të Edi Ramës, për “t’u dhënë udhë” këtyre pakënaqësive, ndërkohë edhe Ben Blushi nuk ngelet më pas. Ai, jo vetëm që nuk ka asnjë kundërshtim pse aleatët po e braktisin varkën e Edi Ramës, që po fut ujë, por po u jep një dorë” atyre, duke i ndihmuar të hidhen nga kjo varkë. Ben Blushi po shton formalisht alternativizmin, duke u shfaqur si njeriu pas derës, që mezi po pret rënien e radhës të Edi Ramës, për të theksuar “ia pata thënë”. Edhe pse Blushi foli dje për kafetë që ka pirë me Ramën dhe për “marrëdhënien e mirë” që ai ka me kryetarin, duket se autori i Otellos së Vlorës, shihet nga Rama si një Jago që i ka mbetur në derë dhe që kur e ndihmon, është thjesht një ndihmë për të afruar humnerën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›