E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi s’bëhet Sokrat, “dishepujt” po ashtu...

21-07-2011 / Nga Eden Babani

Që dorëheqja e parevokueshme e njëzet e katër funksionarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës (ndoshta edhe më shumë), nënkryetarë, drejtorë, kryeinspektorë etj, është akt i ligjshëm, kjo s’ka pse të diskutohet, ashtu siç nuk mund të diskutohej e drejta e tyre për ta pranuar detyrën që patën marrë dhe për të qëndruar në atë detyrë, deri ditën e largimit, për shkaqe objektive (ligjore) a për shkaqe subjektive (dorëheqje e vullnetshme), pavarësisht suksesit a mossuksesit. Ajo që të vret sytë në letrën e tyre, tashmë bërë publike, dhe që s’përputhet aspak me normat elementare të një gjykimi normal, është vetëvlerësimi për ushtrimin e detyrës. S’u takon të dorëhequrve të shprehen për çka kanë arritur ose nuk kanë arritur, për çka kanë milituar si punonjës partiakë të administratës ose kanë abuzuar si pjesëtarë të një klani pushtetar etj. Morali ka kufi. Përtej kufirit, e moralshmja tjetërsohet në të pamoralshme. E drejta e vlerësimit dhe e mosvlerësimit ishte e do të jetë edhe në të ardhmen në duart e votuesit tiranas. Ai, tashmë, e ka shprehur vullnetin e vet përmes votës së lirë. Në këtë këndvështrim, deklarata se, sipas ligjit, atyre u “janë garantuar të gjitha kushtet për të punuar gjithnjë si shërbëtorë të qytetit e të qytetarëve, asnjëherë si rrogëtarë të zgjedhur përmes lidhjesh politike dhe të varur prej interesave e orekseve të politikës”, është qesharake. Ajo është e papranueshme për opinionin kryeqytetas, madje merr konotacione keqdashëse. Në mos gënjeshtër me bisht, në rastin më të mirë, do të ishte retorikë politike, ndonëse pavend.
Zgjedhjet, të përgjithshme qofshin a vendore, bëhen mbi bazën e një gare të mirëfilltë politike. Në asnjë rast dhe në asnjë vend demokratik të botës, garuesit dhe mbështetësit e tyre nuk e bjerrin sensin politik. Afërmendsh, rrogëtarët e niveleve të larta, pra stafi i Kryetarit: nënkryetarët, drejtorët, kryeadministratori, kryeinspektorët etj. - në rastin e Bashkisë së Tiranës, një metropol i vërtetë – nuk do të përzgjidheshin, ta zëmë, nga radhët e militantëve të partive kundërshtare. “Meritokracia” që zënë ngoje të dorëhequrit, nuk bie prej qielli. Ajo hetohet dhe përzgjidhet mes veprimtarëve më të spikatur të partisë fituese. Rrallë, shumë rrallë, mund të peshkohet ndër veprimtarët e humbësve, por kurrsesi në kontekstin e mentaliteteve të sotme shqiptare, ende të palimuara politikisht. Sa nëpunës, fjala vjen, mbijetuan në administratën Rama prej administratës paraardhëse? A thua të mos ketë pasur nëpunës me merita në administratën e përparshme? Nga ky këndvështrim dhe po të mbahet parasysh se detyra nr.1 e çdo kryebashkiaku të sapozgjedhur do të ishte riorganizimi dhe rinovimi i administratës bashkiake, deklarata e dëshpëruar e të dorëhequrve synon të njollosë politikisht legjitimitetin e zgjedhjeve vendore.
Përveçse me mbingarkesë politike, deklarata është jashtë kohës dhe hapësirës. Është jashtë kohës, sepse kryeqytetasit e thanë fjalën e tyre qysh më 8 maj. Me atë rast, shprehën njëherësh vlerësimin për Kryebashkiakun dhe për punën e stafit të tij më të afërt në administratën e rënduar të bashkisë. A do të kishte sens një deklaratë e tillë dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve, kur gjithçka ka marrë formë ligjore të prerë? A do të kishte sens qëndrimi i tyre i mëtejshëm me një kryebashkiak tjetër, që vjen nga një tjetër përvojë politike dhe me programe të tjera?
Është jashtë hapësirës, sepse pavarësisht pretendimeve, të cilave nuk u besojnë as vetë, lidhur me mbrojtjen “që ofron ligji për të qëndruar në pozicionet tona (që patën para dorëheqjes, EB) si nëpunës të shërbimit civil dhe të shtetit”, vullneti i qytetarëve e ka ligjësuar largimin e tyre, bash për pozicionet që mbajtën në piramidën e bashkisë, si këshilltarët dhe ndihmësit më të afërt të kryetarit në largim, për veprimet e mosveprimet e përbashkëta gjatë mandatit të kaluar, bash në ato pozicione.
Po t’i hedhësh një sy listës së të dorëhequrve, botuar në ndonjë organ shtypi,  do të vëresh emrat e 2 nënkryetareve, të 19 drejtoreve e drejtorëve, të 1 administratori të përgjithshëm dhe të 2 kryeinspektorëve. Asnjë emër i ndonjë nëpunëseje a nëpunësi të zakonshëm. Shumë domethënëse. Interesante është se, me përjashtim të 7 drejtorive - e urbanistikës, e infrastrukturës, e shërbimeve, e  transportit, e pastrimit, e kontrollit të territorit dhe e kabinetit – nuk rezulton se çfarë lloj drejtorish kanë drejtuar 12 drejtoret e drejtorët e tjerë - 5 “drejtore e drejtorë të përgjithshëm” (?!), 7 “drejtore e drejtorë drejtorie (?!).
Një varg pikëpyetjesh, lindin kur lexon këtë listë të çuditshme dorëheqjeje me një karvan të tërë “funksionarësh” të cilët s’dihet me çfarë janë marrë, në mos vetëm kanë tundur derën dhe i kanë bërë fresk Kryetarit. Nga ana tjetër, s’ma do mendja që kjo mënyrë të paraqituri në publik e të dorëhequrve të jetë lajthitje e ndonjë gazetari,  shkaktuar prej zhegut të sivjetshëm. As pakujdesi e rastit, në ngutin me të cilin, siç është bërë e njohur në shtyp, po pastrohen arkivat e dokumenteve të Bashkisë. Përndryshe, mosemërtimi i drejtorive bri emrit të drejtores a të drejtorit përkatës e gjen shpjegimin bash te spastrimi i ndërtesës-bunker.
Më në fund, do të doja t’u kujtoja të dorëhequrve, ithtarë të ish-Kryebashkiakut, se, përveçse e pamoralshme të vetëdeklarohesh i suksesshëm, është e papranueshme të mos njohësh vendimet e organeve kushtetuese të pavarura, çka do me thënë të mos respektosh ligjin, po t’u prekën interesat vetjake. Me ç’të drejtë ata vënë në dyshim vendimet KQZ-së dhe të Kolegjeve Zgjedhore, kur, deri dje, ishin pjesë e administratës shtetërore, siç e pohojnë vetë?
Me këtë rast dhe meqë erdhi fjala, do të doja t’u kujtoja fat-humburve Sokratin e Lashtësisë Greke, filozofin që vlerësoi ligjet e qytetit më shumë se vetveten. Ndonëse u dënua t’i jepte fund jetës duke pirë një helm vdekjeprurës, ai nuk e diskutoi vendimin, pas mbrojtjes që bëri përpara gjyqit, siç na dëshmon Platoni (Apologjia e Sokratit), madje as pranoi të merrte arratinë, ndonëse i kishte mundësitë. Sipas ideve të tij filozofike mbi ligjin dhe individin, kjo binte ndesh me interesat e qytetit e të qytetarëve, me jetën e tyre. Kupën e helmit, e mori prej dorës së dishepujve, duke i dhënë fund jetës në respekt të ligjit. Le të mësojnë ndonjë gjë sado të vogël “dishepujt” e Ramës dhe ai vetë prej gjestit të Sokratit. Le të interesohen edhe për pikturën e famshme të Zhak-Luis Daviol “Vdekja e Sokratit”, të cilën Edi, si piktor, s’ma do mendja të mos e ketë parë.
Për të shuar kureshtjen e të dorëhequrve, meqë “si shërbëtorë të qytetit e të qytetarëve” s’kanë pasur kohë jo më të lexojnë, por as të marrin frymë, aq sa Tiranës do t’i duhen vite të harrojë bëmat e mosbëmat e një administrate bashkiake të papërgjegjshme, shtoj se, në mënyrë krejt të rastësishme, njeriu gjen edhe ndonjë ngjashmëri të vogël mes Sokratit dhe idhullit të tyre, Edi Ramës. Nuk kam lajthitur, i nderuar lexues. Edhe i marrë, s’jam. E kam fjalën jo për ngjashmëri nga pamja e jashtme, nga mjekra, fjala vjen. As nga veshja, sepse Edi tashmë i ka braktisur xhamadanët e brekushet, u është kthyer kostumeve të shtrenjta. Kurse, në planin filozofik, të diturisë dhe të urtësisë, në atë të moralit, të guximit e të respektimit të ligjit, ata të dy janë po aq të ngjashëm sa edhe errësira xëc me dritën verbuese të diellit. Po ja që ndonjëherë na rastis të ndeshemi edhe me çudira, ndonëse me distancë 2500-vjeçare. Sikurse babai i Sokratit, Sofroni, edhe ai i Edit, Kristaqi, ka qenë skulptor. Sikurse Sokrati, edhe Edi e ka kaluar një pjesë të jetës si endacak i uritur e i palarë. I pari u end rrugëve të qytetit të tij, për të ndriçuar mendjet e bashkëqytetarëve. I dyti, urave të Senës në Paris, për të nxirë moralin tonë dhe artin shqiptar me “vepra arti” të përçudnuara, ku mbizotëronin leckat dhe ndërresat e pista. Ke çka i thua kësaj?
Të paskësh pasur Edi Rama edhe të tjera ngjashmëri me filozofin grek, lum si ne! Mirëpo Edi nuk bëhet Sokrat, as i afrohet atij. Dishepujt, po ashtu...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›