E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Ata që vajtojnë për identitetin shqiptar, janë për vete në krizë identiteti”

21-07-2011 / Gazeta 55

Duke shpallur fushatën e regjistrimit të popullsisë, vjeshtën e këtij viti , kryeministri Berisha kujton se shqiptarët mbeten shqiptarë dhe ata që derdhin lot krokodili – duke nënkuptuar Aleancën Kuqezi - janë të pashpresë, mjeranë dhe që s’kanë lidhje me krenarinë e të qenit shqiptar

Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje për herë të parë lidhur me “censusin 2011”, për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Berisha tha se nga ky proces, i cili është census dhe jo regjistrim, pasi nuk do jetë bazë për Regjistrin e Gjendjes Civile, nuk cenohet kombësia e shqiptarëve, pasi shqiptarët kanë identitetin e tyre dhe mbeten shqiptarë.
Sipas tij, ata që derdhin lot krokodili se po humbet identiteti i shqiptarëve janë mjeranë, të pashpresë sikurse dhe njerëz që s’vendosin dot raport me zotin dhe identitetin. “Ata të cilët përpiqen të derdhin lot për kërcënimin e identitetit të shqiptarëve, ata kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet, kanë një defiçencë kongjenitale të identitetit. Ata janë individë të shkëputur që nuk kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare. Në çdo shoqëri, në çdo grup ka edhe aberracione, qoftë edhe gjenetike. Ky komb nuk ka vuajtur, nuk vuan dhe nuk do të vuajë kurrë për identitetin e tij. Shqiptarët për këta mjeranë kanë qenë shqiptarë kur nuk kanë patur alfabete, kanë qenë shqiptarë kur kanë përjetuar pushtimet më barbare, pushtime të cilat për dekada të tëra kanë zbatuar doktrinën e shfarosjes së tyre, kanë qenë shqiptarë, kanë mbetur shqiptarë edhe kur kanë fjetur në perandori të tjera për shekuj me radhe dhe janë zgjuar shqiptarë. Dy gjëra i kanë mbrojtur këta njerëz, Zoti dhe identiteti. Këta që derdhin lot krokodili se po na kërcënohet identiteti janë njerëz me deficencë kongenitale identiteti, këta janë të pashpresë për t’u shëruar në raport me identitetin, por shoqëria i pranon se ajo është shoqëri e lirë. Këta, të cilët na thonë ne, në virtytin, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi se të shënosh fenë është diçka negative, këta janë njerëz të pazotë, këta janë mjeranë, ateistë që kanë frikë zotin, sepse ai që e beson zotin e di se pavarësisht besimit bashkohet tek Zoti me vëllezërit e tij, me motrat e tij. Ata të cilët shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin këto karrige, ata përdhosin kushtetutën, postet dhe karriget dhe janë më të mjerë se çakejtë  e tyre, sepse çakejtë të paktën lehin, ndërsa ta vetë fshehin fytyrën dhe kanë frikë të dalin dhe kështu shndërrojnë institucionet, kushtetuese të vendit në strofulla praktikash, konceptesh dhe qëndrimesh ataviste, primitive. Nuk mund të them antikombëtare se nuk mund t’i vendos këta në raport me kombin, nuk duhet përdorur fare ky term për ta. Këta njerëz nuk vendosën dot as raport me zotin, as raport me identitetin. Të njëjtën gjë bënë një pjesë e tyre për kartat e identitetit, duke ndërmarrë fushatën më primitive kundër kartave dhe tani na thonë se në se shqiptarët do të kenë mundësi të shprehen për besimin, do të shprehen për përkatësinë etnike, atëherë do të shpërbehet qenia jonë. Janë të shpërbërë ata në përmbajtje nuk kanë asgjë me identitetin e kësaj shoqërie derisa mbajnë një qëndrim të tillë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai vuri në dukje se, regjistrimi i popullsisë është një akt i rëndësishëm, pasi sikurse u shpreh kryeministri, për herë të parë qytetarët regjistrohen si qytetarë të një Shqipërie tjetër, me të ardhura të mesme dhe të larta, të një Shqipërie që nuk është më streha e mjerimit dhe varfërisë. “Çështje ndër më të rëndësishmet është regjistrimi i popullatës. Regjistrimi i popullatës dhe pasurive të qytetarëve shqiptarë përbën një akt madhor. Regjistrimet janë periodike, por janë akte shumë të rëndësishme për të njohur të vërtetat më thelbësore të individit, shoqërisë, kombit dhe vendit, në momentin kohor në të cilin ai realizohet. Por do të thoja se ky regjistrim realisht ka një rëndësi të veçantë, ndofta më të madhe se shumë e shumë regjistrime të tjera të bëra më parë sepse për herë të parë në historinë e këtij vendi qytetarët shqiptarë regjistrohen si qytetarë të një Shqipërie tjetër, të një Shqipërie me të ardhura të mesme të larta, të një Shqipërie që nuk është më streha varfërore dhe streha e mjerimit të Evropës siç është identifikuar pothuaj në shekuj. Ky regjistrim bëhet pra në një realitet tërësisht të ri, në një realitet pakrahasimisht të ndryshëm dhe pozitiv. Do të regjistrohen qytetarët, do të regjistrohen pasuritë e tyre, pra do të regjistrohet Shqipëria e cila në turravrapin e saj gjatë kësaj de kade ka shënuar arritje shumë të mëdha. Le të fillojmë me varfërinë, nga 25 % që ka qenë 7- 8 vjet më parë ajo sot është 12 %. Të ardhurat për frymë janë rritur gjatë këtij 10-vjeçari së paku 150 % apo më shumë. Të ardhurat për frymë janë rritur gjatë këtyre 20 viteve rreth 35 herë, ishin 204 dollarë dhe tani janë 7400 dollarë për frymë, sipas disa statistikave ndërsa sipas disa të tjerave janë 8000 dollarë, por në tërësi sot në qoftë se 20 vjet më parë ne e kishim të vështirë të regjistronim mushka se nuk kishim, sot regjistrojmë vetura, vila, pra atë çka qytetarët e lirë me mundin, djersën, sakrificën e tyre kanë ndërtuar në një vend të lirë, duke dëshmuar se liria funksionon, se shteti ligjor funksionon, ndaj dhe shtytja e censusit për në vjeshtë ju garantoj se nuk ka asnjë lidhje me klithmat mjerane të disa individëve të cilët për interesa të tyre personale duan të vënë në pikëpyetje identitetin, thelbin, qenien e kësaj shoqërie. Nuk ka asnjë lidhje, lidhja e vetme pse u shty sensusi ka qenë fushata zgjedhore, zgjedhjet lokale, sepse qeveritë vendore kanë  përgjegjësinë kryesore në të këtë akt madhor në të cilin Shqipëria do të dëshmohet para shqiptarëve dhe botës një vend tjetër, një vend që ecën me hapa të sigurta drejt një vendi të zhvilluar, një vend me të ardhura të mesme dhe të larta”, tha kryeministri.
Sipas kryeministrit vendi ka sot regjistrin e gjendjes civile elektronik më modern që mund të ekzistojë. Në këtë sens, Berisha sqaroi se regjistrimi do jetë për statistikë dhe nuk ka asgjë me politikën.
Sipas kryeministrit, ky reagim gjasme “nacionalist”, është frustruar përmes mediave, të cilat kanë arritur të krijojnë pseudo-ngjarje dhe pseudo-personazhe.
“U ndala këtu se ka disa muaj që një stuhi histerike, në thonjëza “nacionaliste” përpiqet të marrë revanshin në media, se tjerëkund nuk rezulton absolutisht, por mediat kanë vetinë e tyre të krijojnë pseudofenomene, pseudongjarje dhe pseudopersonazhe. Lexoni pak në doktrinën e mediave. Një nga problemet kryesore është krijimi pseudopersonazheve, kaposhizimi i tyre dhe që pastaj kur shkojnë e bien përtokë dalin flluska. Pra, mediave ju bëj thirrje ta shndërrojmë këtë proces të qytetëruar, që të dëshmojë Shqipërinë vend me të ardhura të mesme të larta, Shqipërinë në një ngjitje të pandërprerë”, theksoi Berisha.
Kryeministri veçoi se pjesëmarrja masive në zgjedhjet e 8 majit, tregon se Shqipëria nuk po braktiset, por përkundrazi po pret qytetarët e vet.
“Këto zgjedhje kanë patur një mesazh shumë të madh, mesazhin se ky vend po mbushet me qytetarët e vet, njerëzit nuk po ikin. Jo ata nuk votojnë për politikë, mençuria  e qytetarëve tejkalon shumë herë mençurinë e politikanëve të sezonit. U bënë përpjekje për ta shndërruar në referendum kundër kryeministrit dhe qeverisës dhe u pa seç u doli nga kjo përpjekje. Qytetarët votuan më shumë se në çdo zgjedhje tjetër, çka tregon se shqiptarët po qëndrojnë në Shqipëri, është kthyer stina, është kthyer rryma, dhe ky është zhvillimi më pozitiv dhe jam i bindur se e tëra kjo lidhet me faktin se Shqipëria sot është me të ardhura të mesme, të larta, është vend që ngjall gjithnjë e më shumë besim tek qytetarët e tij”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Brendshme ngritjen e komisioneve në rang qarku, si njësitë përgjegjëse për regjistrimin e popullsisë.
“Pra duhet, Ministria e Brendshme të nisë menjëherë punën me qarqet, të krijohen komisionet në rang qarku, të cilat janë dhe njësitë përgjegjëse kryesore për regjistrimin e popullsisë, të fillojë menjëherë përzgjedhja dhe trajnimi, sa më shpejt sepse është e vërtetë që zgjedhjet vendore e penguan procesin dhe tani duhet ta realizojmë me shpejtësi. Ata që mendojnë se ky tregues apo ai tregues kërkohet nga ky apo ai vend, ata mashtrojnë veten e tyre. Kjo qeveri dhe ky kryeministër në mënyrë absolute nuk mund të ndikohet dhe nuk do të ndikohet kurrë në formularin bazë që ka të bëjë me identitetin dhe besimin, qenien e këtyre qytetarëve, por nuk ka asgjë më të palëkundur se besimi im tek liria, se besimi i qeverisë shqiptare tek liria, se qytetarët shqiptarë duhet të regjistrohen si qytetarë të lirë, duhet të kenë të gjithë lirinë për të shprehur përkatësinë  e tyre etnike, po të duan, për të shprehur besimin e tyre fetar, për të shprehur pra ato që ndjejnë. Asnjeri nuk u detyron këtyre pa identitet që të shkruajnë se janë të tillë, le ta shkruajnë po të duan, por kërkesë nuk ka për ta”, tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›