A do t’i kërkojnë “të përndjekurit” sot Presidentit shkarkimin e këshilltarit të tij, ish-hetuesit Hilmi Barometa?

Pasi është rreshtuar në mbrojtje të piramidës, si mauzole i diktatorit, presidenti dhe këshilltari i tij hetues, takohen sot me një përfaqësi të deleguar ish-të përndjekurish, për t’i paraqitur ata si një front që po përpiqen për restaurimin e diktaturës së Bllokut
Presidenti i Republikës është i njohur tashmë për organizimin e tavolinave e pritjeve mediatike me grupe të ndryshme, shpesh herë pa vlerë apo që nuk përfaqësojnë asgjë. Kjo gjë bëhet për ta paraqitur presidentin në sy të opinionit si një njeri që i ka përveshur mëngët (jo në kuptimin e të ngrënit) për të zgjidhur problemet e ndryshme. Duke qenë se presidenti e kupton pozitën e vendit si një mekanizëm që ka nevojë për organizata partnere apo afër tyre, e ka katandisur rolin e tij më keq nga ç’ishte Presidiumi i Kuvendit Popullor. Duke qenë se nevoja për organizata satelitore të tipit Bashkime Profesionale ndihej e ngutshme apo e ethshme, presidenti ka ndërtuar rrjetin e tij ku si rotacion mediatik regjistron në kohën e duhur takime sikur po interesohet për hallet.
Do mjaftonte fakti që presidenti i republikës nuk dekretoi ligjin e lustracionit për të gjykuar se kemi një president jo në anën e të përndjekurve, por në anën e persekutorëve. Do mjaftonte roli i tij inaktiv si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në drejtim të personave që kanë drejtuar apo vulosur gjenocidin komunist për të mos vazhduar.
E në fund, normalisht për të mos folur më për administratën që ka emëruar, ku mund të gjesh çdo gjë, nga teknicienë peshqish, lopësh, shpendësh, hetimit komunist, por jo të përndjekur politikë.
Presidenti e ka humbur shansin që iu dha për ta treguar veten si antikomunist. Këtë shans nuk mund ta ushtrojë më, duke u dhënë nga një kafe dy-tre vetëve e duke mbushur faqen e vet të lajmeve me asisoj njoftimesh. Kështu anëtarët e klubit të Bashkimeve Profesionale që janë zhvendosur nga hidrocentralet në zyrat e Topit si figurantë “part – time” mund t’i kishin kërkuar presidentit të tyre që në zyrat e tij, çështjet e drejtësisë të mos i gjykonte e trajtonte hetuesi Hilmi Barometa. Në takimin e sotëm të orës 11.00 përfaqësuesi i Bashkimeve Profesionale, sipas agjendës së përcaktuar prej tij, do i kërkojë presidentit të përshpejtohet dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë (çështje që është zgjidhur dhe ka marrë rrugë të mbarë nga qeveria). E Presidenti, me shikim serioz këtë herë do ta miratojë këtë gjë si të drejtë.
Por më e drejtë do ishte që në takimet e presidentit të ishin të pranishëm jo vetëm këshilltarët e botës shtazore, por edhe eksperti i hetuesisë që na e këshillon aq mirë presidentin për çështje që lidhen me gjykatat dhe prokurorinë, Hilmi Barometa. Bile meqë është edhe rasti, Bamir Topi e Hilmi Barometa mund të shkëmbejnë pikëpamje me të përzgjedhurit e tyre ndër të përndjekurit, edhe për mosprishjen e Piramidës e mbrojtjen e mauzoleumit të diktatorit. Kjo konsultë po, do ishte me të vërtetë e vlefshme për opinionin.