Edi, torturuesi i gjyshes për muhabete mizash!
“Burri im me shumë zanate, nga të gjitha asnjë s’pate”, - është aforizma e lashtë e një gruaje fatkeqe, burri i së cilës, me trutë përmbi flokët, ishte i paaftë për gjithçka. Si piktor, kryeveprën e kishte te pallati me shigjeta! Si politikan, ndonëse nuk ishte asfare modest, kishte deklaruar se s’ia thoshte! Si vizionar, as kur të shihte majën e veshit pa pasqyrë, duhej ta harronte prore një vetëlavdërim marroq të tillë, kur vizionarët, në rruzullin mbarë, numërohen me gishtat e dorës: Gandhi, De Gasperi, Shumani, Adenhaeuri!
Mos ishte ekonomist? As ekonomistët e famshëm utopikë, ndërmjet të cilëve Furié-i nuk kishin mundur t’u shkonte ndër mend që, sa më shumë të mos punoje, sa më tepër ta shihje me dylbi derën e bashkisë, aq më i suksesshëm do të ishe në punët bashkiake!
Këtë mendim të fundit ma dha këshilltari bashkiak i sotëm, Murat Basha, i cili e kishte cilësuar, kuptohet në mënyrë metaforike, kryebashkiakun e tanishëm, që “punonte 25 orë në ditë, kur dita ka 24 orë”. Dhe vërtet, punët e mbara të kryetarit të tanishëm të bashkisë, Lulzim Bashës, po bien në sy që në ditët e para. Mjafton të shohim ecurinë e punimeve të Unazës së Madhe, me vështirësi të jashtëzakonshme, për ndërtimet pa leje e me leje që kishin bllokuar ecjen e mëtutjeshme të kësaj autostrade të mahnitshme. (Edvini edhe kur e çonte ndër mend se duhej ta bënte ai vetë, sikur e zinte një si dhimbje e kokës, që e kishte si sëmundje që në moshën e pubertetit). Mos të zgjatemi më shumë me tunelin e Qafë-Krrabës, që shihen qysh tash nëpër ato ekrane televizive që nuk i kanë zët sukseset e dukshme të kundërshtarit politik të Edvinit. Njerëzit e ndershëm, pavarësisht nga ngjyresat partiake, po thonë: - “Tani po shohim dorë, në bashkinë e Tiranës”. Sepse, gjer tani, kemi parë letargji, vetëm letargji, a thua se Tirana do të zhvillohej me frymën e shenjtëruar. Por edhe në fe, E. Rama ishte i patenzonë. Qysh në fëmijërí e terrorizonte gjyshen, që ishte fetare! - siç do ta shohim në fund të këtij shkrimi.
***
Në antologjinë “Quo vadis, Shqipëri?” të vëllait siamez të Edvinit, Ardian Klosit, në faqen 142 të saj, shohim shkrimin “Etërit, seksi dhe krenaria kombëtare”, me shënimin se këto 20 faqe, afërsisht, përbëjnë vetëm “fragmente të një libri”. Edi në këtë antologji ishte edhe në rol të redaktorit. Të ishte një redaktor tjetër i përkorë, do të kishte shumë për të korrigjuar. Sepse antologjia (pjesë të zgjedhura letrare) është edhe për nxënësit e shkollave, duke filluar nga nëntëvjeçarja. Por a ka prind që do t’i lejonte së bijës së mitur të lexonte “te jugosllavi do të jepeshin filma me t’qime”. Mehmeti (shoku i ngushtë i treguesit) i thoshte këtij se i ati, “ai shkërdhata”, nuk e la që ta shihte filmin. Dhe Mehmeti, nga inati, i ra me dorë. Kshu e boj sa herë që ai mut m’ça bythën”. I kërkoj ndjesë lexuesit për këto palavira. Këto janë të gjitha në faqen 152.
Duke sfiduar edukatën politike të Enverit në shkolla (libri është botuar në vitin 1993), lexuesi bie nga shiu në breshër, kur vëren se me ç’sy shihet mësuesja e fizkulturës, Marieta, të cilën nxënësit e tetëvjeçares e përfytyronin lakuriq në atë masturbim kolektiv në bunkere: “Zhvishu Marieta, se m’plase. Zhvishu, shpirt, ta shoh pak cicën e bukur. Lene lalin ta prekë pak atë kofshën e bardhë”. Nuk mund të shkruhet gjithçka, se duhej legeni pranë, që të zbrazësh zorrët e barkut, nga këto fëlliqësira të nxënësve të tetëvjeçaresh... Antienverizmi i pacak mendohet se i motivon këto banalitete që nuk janë përfshirë në asnjë libër pornografik të zvetënuarish të tetëvjeçares së atëhershme ? Vetëm një mendje e sëmurë mund të shkruajë gjëra të tilla skandaloze për moshën, që mund të lexohen në kohën kur shqiptarët kishin në dorë libra si “Zemra”, “Djemt e rrugës Pal”, “Princi i Kaltër”, Oliver Tuisti, “Tom Soieri”, “Pinoku”, “Gavroshi” (i përfshirë brenda “Të Mjerëve”). Janë shkruar libra për fëmijë me vlera edukative edhe nga shqiptarë gjatë diktaturës, veçanërisht kur i largoheshin sa më shumë politizimit.
Kemi libra për fëmijë që mund t’i lexojnë me ëndje edhe të rriturit, madje edhe pas ndërrimit të sistemit. Tri vite e gjysmë më parë, në fillim të shkurtit të 2008-s, doli në qarkullim libri për fëmijë “Ismaili”. Në atë kohë gazeta jonë i bëri një paraqitje të merituar kësaj vepre për fëmijë, me një njohje të thellë të botës së tyre të brendshme fëmijërore të 12-14-vjeçarëve; të të folurit e tyre, gjer në shprehjet specifike e në zhargone të skelarëve, të çamëve, të nartiotëve dhe të prindërve të tyre të cilët, ndonëse të varfër ku s’mban më, janë të ndershëm dhe dinjitozë. Uria kronike ishte shndërruar në një lajtmotiv.
Përpjekja dramatike për mbijetesë, kushtëzohet nga punërat më të vështira dhe me kohëzgjatje, si ajo e peshkatarëve, karrocierëve, muratorve, bojaxhinjve, kovaçëve... të skelarëve të Vlorës. Citojmë: - “Mësoni se kazma do t’ju hajë! E keni kazmën, prapa dere, po nuk mësuat!
Të folurit është kurdoherë me kolorit. Autori e njeh mirë mënyrën e të shprehurit të këtyre familjeve të varfra të Skelës së Vlorës, në të cilat ishin shkrirë me to edhe familje çame jo të pakta, të dëbuara nga gjenocidasit e Zervës. Për ilustrim, le të japim qortimet që babai i Ilmiut të prapë, i bën të birit:
- “Pa pse nuk pson mre Ilmi? Pa pse nuk pson, djalëthim? Mal pene ke, bith pene ke (bisht pene...), tefterë ke, klumështorin ta bën nana të ngrohtë, di gisht të trashë, sabah-sabah. Mbeti në det baba për surratin tënd... Pa çish ... të satëme ke (por ç’të satëme ke) mre Ilmi, që nuk pson? (f.22).
Varfëria pikturohet jo vetëm përmes dialogëve dëshpërues, por edhe përmes gjendjesh me një vërtetësi therëse. “55”-a e zbëthen mirë atë gjendje ekonomike katastrofike të kohës, në një artikull të datës 11.12.2007: “Eminenca gri e Ramiz Alisë, (Sofokli Lazri), solli trofenë e vendit të parë të Shqipërisë socialiste në botë, për ushqimin dhe ushqyeshmërinë e popullsisë në botë, ndonëse mungesa e ushqimit dhe uria kronike po rrëshqisnin me shpejtësi drejt zisë së bukës, radhëve të gjata para dyqaneve dhe syve të shqyera e të pajetë, drejtuar kah magazinat e boshatisura”.
Kjo panoramë e mungesës ushqimore e përshkon si një fill i zi tejetej këtë vepër. Dhe është një sfidë e mprehtë kundër hipokrizisë për ta paraqitur të zezën të bardhë, në një vepër letrare mbresëlënëse. Episodet e varfërisë në roman janë të shpërndara si gurët e një mozaiku, disa nga të cilët ia vlen të përmenden: “Fëmijëve u mungonin kushtet më të thjeshta për të mësuar. Në një dhomë e kuzhinë jetonin të paktën gjashtë veta. Nuk kishin qetësinë më të vogël për të bërë detyrat me shkrim dhe të mësoheshin me radhë lëndët e shkollës (...). Shpesh nënë Maria e qortonte Riston: - Ja, shiko Ismailin, të birin e Kasëmit. Të gjitha i bën. Edhe llastiqe mban, edhe me top luan, edhe në shkollë mëson. Pse nuk bën edhe ti si ai?”. (32-33)”.
“Andej nga vitet 60 doli një nismë e komunistëve për ta prodhuar bukën në vend ose, siç thuhej atëherë, “të prodhojmë çdo gjë me forcat tona”. Mirëpo gruri nuk mund të prodhohej në gërxhet dhe në malet e Shqipërisë. Gjendja arriti gjer atje, sa buka e grurit të merrej me listë. Këtë bukë, ndonëse njerëzit ishin të uritur, nuk mund ta hanin dot. Brenda ishte plot gëzhuta dhe kallinj misri. Banorët e fshatrave përreth, si Panamaja, Cerkovina, Narta, Radhima, Tragjasi etj, pasi shisnin me shumë mundim diçka nga prodhimet e tyre, drejtoheshin nga dyqanet, për të blerë bukë gruri. Dhjetë muaj në vit ushqeheshin me bukë misri. Shpesh ata bëheshin objekt ngacmimesh e talljesh nga njerëz të ndryshëm, ose nga vetë shitëset. Kur vinin fshatarët e Nartës, që është vetëm tre kilometra larg nga Vlora, shitëset i pyesnin me djallëzi: - Çfarë buke do, të rrumbullakëta apo drejtkëndëshe? Të rrumbullakëtat ishin më të mira. Ata përgjigjeshin:- Të rrumbullakëta. Kjo përgjigje ua nxirrte se nga ishin, sepse nartriotët germën “ll” e shqiptonin “l”. Dhe shitësja qeshte me të madhe: - Nuk të jap, se je nga Narta!” (41-42).
Po me fshatarët e Kaninës ç’ndodhi? Ata shisnin kucka, fitonin 100 l. dhe vinin në dyqan për bukë të grynjtë (bukë gruri). Shitëset nuk u jepnin dhe i quanin, me përbuzje, “kuckaxhinj”. Atëherë këta mundoheshin të binin në ujdi me fëmijët, familjet e të cilëve e kishin emrin në listë. Por njëherë, tepër të uritur, protagonistët e librit ua morën 100-lekëshin kaniniotëve dhe nuk vajtën në dyqan, por ia mbathën për në restorant. Ç’nuk bënte uria! Fshatarët i diktuan, sa pa vajtur për të ngrënë në gjellëtore dhe, sapo u ishin afruar për t’i mbërthyer, Lalani, shoku i tyre, në rol të vëzhguesit, dha alarmin. Tani po citojmë autorin:
-“Përpara, se armiku na diktoi dhe po na ndjek këmba-këmbës. Drejtimi: nga fuçitë e serës, në molin Zero!” (Kaluan duke hipur mbi fuçitë e bitumit për eksport)(...) “që armiqtë e Shqipërisë, siç thotë P.Punës, kishin bërë bllokadë dhe nuk po i merrnin, që Shqipëria të dorëzohej. Por nuk kuptonin përse duhej të dorëzohej dhe përse Italia e kishte halë në sy vendin e tyre. Madje stacionet e radiove italiane fëmijët i ndiqnin me ëndje, në muzikën e tyre”. (Kur Ylli kujtoi se ia hodhën, bërtiti: - “Shokë, ndaloni! Jemi jashtë rrezikut. Armiku nuk na kapi dot”. (Ndërkaq Yllit i rrëshqiti këmba nga një lartësi vëzhgimi dhe iu përplas koka, në fundin e hekurt të njërës nga fuçitë, e u përgjak). ”Lalani ua hodhi qindëshen e zhubrosur fshatarëve dhe, kur ata u ulën që të merrnin paratë, fëmijët u shpëtuan duarsh, duke marrë në krah edhe të plagosurin. Fshatarët derdhën një lumë të sharash për bakabonët”, zgjidhën gomarët dhe u nisën drejt Kaninës, pa i marrë dot bukët e grynjta” (f. 41 – 46).
Në familjen e Ladit të Aishesë: “Aisheja ua linte ushqimin fëmijëve mbi tavolinë. Në të gjashtë pjatat, ajo ngulte mbi fetën e bukës një kallam të hollë dhe mbi të një copë letër të vogël, ku ishin shkruar emrat e secilit. Nuk kishin të gjithë të njëjtën sasi. Racioni zmadhohej ose zvogëlohej në varësi të moshës. Asnjëri nuk prekte pjatat e tjera. Kur Ladi, Ismaili dhe Fatriu hynë në shtëpinë e Ladit, përlanë me një të gëlltitur racionin e Ladit, që e kishin ndarë në tri pjesë...”.
E këto episode fukarallaku janë të shumta. Këta skelarë të shkretë ishin aq të uritur sa sajonin edhe tregime të rreme me kryefjalë ushqimin. Ja gënjeshtra e Ladit: “ Një ditë në behar po shkoja nga Vapori i Mbytur. Kur ç’të shikoj? Ishte një njeri që po mbytej. Lashë rrobat në breg dhe mbërrita...E kapa nga flokët dhe, kur arrita në breg, ishin mbledhur atje prindërit dhe kushërinjtë e tij, me duart në kokë. Më morën në shtëpinë e tyre e ç’nuk më dhanë: makarona me gjalpë, mish të pjekur, patate të skuqura, mish me bamje, mish me patate, marmallatë, kadaif, bakllava, revani, fiq, rrush, ftonj, qershi... Fëmijët e kuptonin se Ladi ishte shumë i uritur se, sa herë përmendte emrin e një ushqimi, kapërcente gjithë mundim pështymën poshtë. Kuptonin edhe që po i gënjente dhe filluan lojën: -Po peshk të dhanë? – Po, më dhanë. –Po biftek të dhanë? – Po, më dhanë.- Po byrek të dhanë? – Po, më dhanë. –Po pjeshkë të dhanë? – Po më dhanë. Më në fund nuk kishin se çfarë të shtonin dhe heshtën, duke lëpirë buzët. Kur po ndaheshin, Ladi u kthye befas nga shokët dhe tha: - Më dhanë edhe një thelë pjepër! Fëmijët shpërthyen në të qeshura, se pjepri mbillej në bahçet e tyre dhe ishte i zakonshëm për ta. – Pse gënjeve dje, o Ladi? – e pyeti Ismaili në shkollë. –Më kishe marrë uria. Kishim dy ditë pa bukë në shtëpi, se mamaja nuk e kishte marrë rrogën, por vetëm se më hahej bukë e shpika atë historinë... – S’ka gajle,-i tha Ismaili. –E pe? Të gjithë ishin të uritur dhe gjithë qejf përmendnin emrat e gjëllëve që kishin dëshirë të shijonin. Ah, sikur një ditë të kishim mundësi t’i shijonim gjithë ato gjëllë të mira që përmendëm dje! – hoqi në zemër Mili (Ismaili)”.
Sikur ky roman të ishte shkruar nga autori i presumuar si i arratisur dhe ata të Komisionit të të Leshtëve (apo të të pacipëve), ta kishin lexuar, pasi kishin vënë firmën e turpit për të na dhënë atë trofenë që e kishte prurë me mburrje Sofo Lazri, si më të ushqyerit në rruzull (!), sigurisht që do të kishin hequr dorë nga politika e shpërfytyruar gjer në këtë farë feje nga një propagandë mashtruese. Por me siguri që s’do ta kishin bërë. Sepse ishin lakenj që i kishin qejf mashtrimet!
Fëmijët e uritur të këtij romani janë gazmorë, të lezeçëm në prapësitë e tyre, me një fjalor të veçantë, thumbues dhe tërë humor. Aventurat e tyre i shkaktojnë lexuesit një nënqeshje të hidhur. Nënqeshja buron nga dialogët e tyre tërë lezet, nga veprimet e prapësitë dhe nga zgjuarsia për t’u shpëtuar telasheve me gjetje nga më inteligjentet, nga marrëdhëniet e sinqerta për njëri-tjetrin; por edhe e ndjejmë dhembjen e tyre të një trishtimi si të fshehur, për atë mjerim ekonomik, të përshkruar me thjeshtësi e me besueshmëri, madje me art, nga autori.
Vepra ka vlera të veçanta si roman karakteresh. Prindëritt i rrahin fëmijët, që duhet të mësojnë në kushte të mjeruara, se duhet të jenë të bindur, të mos vjedhin frutat e ndërmarrjeve shtetërore, paçka se janë të uritur. Këto tipare burrërore i kanë trashëguar edhe fëmijët, cilësitë e të cilëve përshkruhen një për një nga autori.
***
Tani le t’i rikthemi vetëm fillimit të tregimit të Edvinit, që mund të krahasohet me romanin “Ismaili”. Autorit të paturpshëm i vinte turp që gjyshja lutej çdo natë (!). 14-vjeçari ia tregoi zyshës. Ajo i kishte thënë se duhej të luftoheshin zakonet prapanike. “Sapo hyra në shtëpi, i bërtita gjyshes:- Ti je me zakone!”. E kishte tronditur gjyshen me lojën e fjalëve, në kuptimin e menstruacioneve! Ajo i kishte folur për Krishtin. Hyn e ëma, dhe ky i shthurur e padit: - “O ma, nona do t’i ndërpresë zakonet dhe do të flasë për Krishtin në mbledhjet e Frontit”. Nënës i kishte rënë legeni nga dora. “Ajo, pasi e kishte ndaluar të më fliste tjetër herë për Krishtin, më tha se kjo ishte një legjendë reaksionare e njerëzve pa shkollë”. Por i nipi çamarrok, - por edhe sadist, - “nuk linte rast pa e sulmuar besimin e saj te Zoti... Më ngjallej një kënaqësi e njeriut të fortë, kur shihja gjyshen të trishtohej, pa mundur të më kundërshtonte”. Gjyshja nuk i duronte dot mizat. “Sa herë që ajo vriste miza, në kohën e ateizmit tim agresiv, unë mendoja se i gjeja një pikë të dobët e i thosha: - Pse i vret krijesat e Zotit”. –“Mizat nuk pendohen kurrë”, - mbrohej gjyshja.
Dhe ja, vijmë te pendesa. Nipi nuk pendohej kurrë. As kur ishte antikomunist fiktiv, as kur u shndërrua në ultrakomunist enverist, si në 16 shtatorët e Pezës, pavarësisht se në vitin 2011, nuk guxoi ta mbushte kupën kundër faktorit ndërkombëtar në Pezë!