E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kursi i ri”, produkt i mekanizmit të Ramizit

22-09-2011 / Redaksionale

Marifeti i parafundit i Ramiz Alisë si President i Shtetit komunist ka qenë i ashtuquajturi “Mekanizmi i Ri Ekonomik”, ku mbështetës kryesorë pati Fatos Nanon, Anastas Angjelin, Shkelqim Canin etj etj. që dilnin përditë në TVSh për të paraqitur këtë program, që nga shumë specialiste u quajt jashtë kohe dhe ridikule, pasi aty parashikohej që në thelb ekonomia shqiptare të mbetej sërish e centralizuar.
Po sot mbështetës të kursit të ri janë njerëzit që mbështetën mekanizmin e ri, Shkëlqim Cani dhe Angjeli, që në një mënyrë apo tjetër i mbijetojnë kohëve dhe furtunave politike, duke u rikthyer si këshilltarë financash pë Ramën. Si mekanizmi i ri i Fundkomunistëve, po ashtu kursi i ri i Fillimsocialistëve kanë si elementë përbërës populizmin që fsheh qëllime të tjera.
Partia Socialiste si akt të parë të “kursit të ri” pati veç paralajmërimin e nismën së heqjes së TVSH-së nga një sërë produktesh bazë. Taksa e tatimit të vlerës së shtuar, përndryshe TVSH, është thjeshtë një taksë indirekte që paguhet nga të gjithë pa përjashtim për lëvizjen e mallrave në treg. Me një llaf sa herë një mall (që ka specifika të ndryshme) kalon nga një dorë në një dorë tjetër paguhet taksa fikse e tatimit të vlerës së shtuar. Kuptohet vetiu që taksa paguhet jo drejtpërdrejt sa herë që konsumojmë një mall. Është një taksë e përdorur kudo dhe kurdo, për të ekuilibruar të ardhurat e shtetin, që më pas rishpërndahen në shërbime ndaj qytetarëve, në spitale, shkolla, rrugë dhe asistenca sociale. Mbi të gjitha duket sikur PS-ja e ka lëshuar në tym propozimin sepse deri më tani s’ka asnjë nismë konkrete.
Në qoftë se nisma ekziston me patjetër ajo duhet të mbajë parasysh se TVSh-ja mbi këto mallra është i vetmi instrument “kontrolli” mbi tregtinë dhe tregtarët nga ana e shtetit: çdo tregtar në momentin që blen mallin, paguan TVSH dhe në momentin që e shet, mbledh TVSH dhe në fund të çdo muaji ka me shtetin o një kredi, sepse ka blerë mall më shumë se ç’ka shitur, ose një borxh, sepse duhet t’i japë shtetit diferencën e TVSH-së të paguar me atë të mbledhur në shitjen e mallit
Kuptohet vetiu “kursi i ri” më shumë sesa një platformë politike është një pretekst për të spastruar PS-në nga të panevojshmit. Në këto momente të panevojshëm janë njerëzit e lodhur nga kursit të vjetër i protestave dhe demonstratave, të atyre që në Parti kanë më shumë se 20 vjet. Dhe janë të shumë brenda këtij organizmi të pazhvilluar politik që janë frikësuar kësaj korrje të re. Me marifetin e “kursit të ri” do të priten koka si kurban për fitimin e besueshmërisë të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve.
Sidoqoftë marifeti mediatik i “kursit të ri” i nevojitet Ramës për të ri-shpikur veten si liberal, i hapur për bashkëpunim dhe i dëgjueshëm ndaj këshillave të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kur takohet me ndërkombëtarët veç pohon me kokë, kurse ku flet me shqiptarët ai mohon gjithçka ka pranuar me ndërkombëtarët. Kësisoj shtinjakëria e zakonshme e lojës me dy porta, një portë në lindje dhe një portë në perëndim, po i vjen fundit pasi të gjithë janë të lodhur me fillimet bombastike të Ramës, që pastaj bitisen në flluska propagandistike. Dhe herën tjetër, kur të gjykohet për veprimet dhe mosveprimet e tij nuk do të mbrohet pas parullave “fajin e ka Saliu”, apo silogjizma: unë fitova, por ata më vodhën. Për motive të dobëta intelektuale dhe politike, Edi Rama po vjen të ardhmen Europiane të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›