E Diel, 1 Nëntor 2026

Edicioni i pestë i festivalit shqiptar vjen në kryeqytet

Pas një turi në qytetet kryesore, "Giffoni Shqipëria" mbërrin në Tiranë. Edicioni i pestë i festivalit të vetëm të filmit për fëmijë dhe të rinj rrugëtoi më parë në Shkodër, Durrës, Elbasan dhe për herë të parë në Burgun e të rinjve në Kavajë. Organizatorët organizuan dje një konferencë për shtyp si prezantim të aktivitetit në kryeqytetin shqiptar. Veç presidentit të "Giffoni Shqipëria", të pranishëm në panel ishin ideatori dhe drejtori artistik i "Giffoni Fim Festival" në Itali, Claudio Gubitosi, presidenti i festivalit, Carlo Andria, dhe ambasadori italian në Tiranë, Saba d‘Elia. Në fjalën e tij, pas një bilanci në shifra për fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës gjatë këtij pesëvjeçari në "Giffoni Shqipëria", Namik Ajazi ka theksuar se "kinemaja është ajo që na mungon, jo vetëm si hapësirë, por duket paksa e harruar nga publiku shqiptar. Televizioni ka përfshirë gjithkënd dhe shikueshmëria e filmave ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Ne kemi mundësinë që përmes këtij formati, unik në botë që zhvillohet prej 5 vitesh në Shqipëri, të krijojmë mundësinë për ta bërë tonën këtë magji të artit të madh të kinemasë". Ndërsa Claudio Gubitosi, drejtori artistik i "Giffoni Film Festival", ka theksuar se fakti që ky festival bën pesë vjet në Shqipëri, duke prekur qytetet kryesore nga Veriu në Jug, do të thotë se ai mirëpritet nga publiku. "Ne kemi 40 vjet festival dhe 25 vjet të pranisë tonë këtu në Shqipëri. Prej shumë vitesh "Giffoni" ndjek dhe është i pranishëm në Shqipëri me një sërë aktivitetesh, më intensivisht këto 5 vitet e fundit, por edhe më parë. Kur erdha 25 vjet më parë nuk ishte Shqipëria e sotme dhe as Tirana e sotme. Por këtu kam njohur njerëz të mrekullueshëm, një popull të jashtëzakonshëm që e kam dashur që nga momenti i parë. Kam njohur artistë të një niveli të mirë, një shkrimtar të madh si Ismail Kadare, kam njohur Xhanfise Kekon, regjisorja e madhe e ndarë pak kohë më parë nga jeta, Muharrem Fejzon dhe regjisorin Dhimitër Anagnostin. Përveç Italisë këtë kulturë shqiptare e kemi njohur edhe në Europë dhe vazhdojmë ende, por me një gjeneratë të re, me perspektiva të reja", ka thënë Cubitosi. Në vazhdim ai foli për të parin film artistik për fëmijë si të parin bashkëprodhim që "Giffoni" mbështet në historinë e tij. Ndërsa duke iu referuar vitit të ardhshëm që në Itali shënon 40-vjetorin e "Giffon"-it, Gubitosi u shpreh se jehona do të ndihet në Shqipëri si një ndër tri pikat kyçe së bashku me Las Vegas dhe Sidnej, ku do të përqendrohen aktivitetet për këtë përvjetor. "Në këtë botë të luftërave, të këqijave, të dhunës, të imagjinosh që mund të gjesh të rinj që të ulur para ekranit të madh, pasi kanë parë një film flasin dhe gjejnë të përbashkëta në interesa personale, por edhe të kombeve që përfaqësojnë, na bën të shpresojmë", ka thënë gjatë kësaj konference Carlo Andria, presidenti i "Giffoni Film Festival".

Ambasadori italian në Tiranë, Saba d‘Elia, pasi ka falënderuar organizatorët dhe ka ofruar mbështetjen në vazhdim të ambasadës italiane, theksoi se "do të doja t‘i ftoja gjeneratat e reja shqiptare që të marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë moment të rëndësishëm kulturor, që është një komunikim mes gjeneratave të reja që përfaqësojnë të ardhmen e popullit shqiptar. Organizatorët duhet të vazhdojnë këtë dialog mes Shqipërisë dhe Italisë, mes tyre dhe rajonit, Ballkanit dhe vendeve të tjera të botës". Rreth mesditës, organizatorët janë pritur nga Kryeministri Berisha. Edhe gjatë dy ditëve, "Giffoni Shqipëria" do të shfaqë në kinema "Millenium" filma me metrazh të gjatë e të shkurtër, për kategoritë e moshave 12-25 vjeç dhe 15-19 vjeç. Çmimet do të ndahen mbrëmjen e nesërme, ora 18:30 në një ceremoni të madhe në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›