E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edita Tahiri thirret në interpelancë

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënën me shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për seancat plenare të 3 dhe 10 majit. Në seancën e 10 majit është vendosur të ftohet në interpelancë zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, e cila do të raportojë për fatin e të zhdukurve. Pas mbledhjes së kryesisë nuk ka dalë në konferencë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, siç bënë zakonisht.

Deputetët në seancën e 3 majit do të shqyrtojnë Rekomandimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për debat parlamentar lidhur me çështjen e personave të zhdukur.

Gjithashtu do të shqyrtohen 5 projektligje në shqyrtim të dytë, përkatësisht, Projektligji për themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të akcizave në Kosovë, si dhe Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, lidhur me Vendimin e presidentes për kthimin e Ligjit për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, në seancën plenare të 10 majit në rendin e ditës do të jetë interpelanca me zëvendëskryeministren, Edita Tahiri lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë.

Po ashtu do të shqyrtohet Raporti vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011, Raporti i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011, Raporti i punës së Komisionit të Pavarur të Mediave, për vitin 2011, Raporti i punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, për vitin 2011, Raporti i punës së Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2011.

Në këtë mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, u shqyrtua dhe u miratua Raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për vitin 2011, sipas Rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›