E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Kuinti mirëpret vendimin e OSBE-së

(E plotesuar) Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Prishtinë mirëpresin marrëveshjen e arritur për ta lejuar OSBE-në për t’ua lehtësuar votuesve me të drejtë vote votimin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të caktuara për datën 6 maj.

"Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë duhet të përgëzohen për gatishmërinë e tyre për t’ua siguruar votuesve me të drejtë vote mundësinë për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike", thuhet në një deklaratë të përbashkët të Kuintit.

"Ne i jemi mirënjohës OSBE-së për gatishmërinë e saj për të ndërmarrë këtë detyrë sfiduese në afat të shkurtër dhe ia ofrojmë mbështetjen tonë të plotë ekipit të misionit të OSBE-së në Kosovë", thuhet në deklaratë.

Vendet e Kuintit ftojnë të gjithë qytetarët "që të ndihmojnë për të mbajtur një ambient të qetë dhe paqësor ashtu që OSBE-ja të mund të kryejë punën e saj në kushte të qeta dhe të sigurta".

OSBE arrin marrëveshje për zgjedhjet serbe, Qeveria e Kosovës e mirëpret

OSBE përmes një komunikate për media ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për rolin lehtësues që do ta ketë ky mision në organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë.

Kryesuesi i OSBE-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Irlandës, Imon Gilmor ka mirëpritur këtë marrëveshje, derisa ka sqaruar se vetë ai ka qenë në kontakt me palët e përfshria, por pa I specifikuar ato.

“Mirëpres marrëveshjen që është arritur sot sa i përket rolit lehtësues të misionit të OSBE-së në Kosovë për (organizimin) e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. Në ditët e fundit, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me palët e përfshira, së bashku sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier, për t’i inkurajuar ata që të ndërmarrin një qasje pozitive”, ka thënë përmes njoftimit për media të OSBE-së, Gilmor.

“Është thelbësore që zgjedhjet të mbahen sipas marrëveshjes së arritur dhe duke respektuar plotësisht rolin e OSBE-së”, ka thënë ai.

“Nëse nuk ndodh kështu, OSBE rezervon të drejtën për t’u tërhequr nga roli lehtësues,“ ka theksuar Gilmor.

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-s,ë Lamberto Zanier tha se tashmë “OSBE ka nisur përgatitjet për organizimin e qendrave të votimit për t’iu mundësuar votuesve në Kosovë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në këto zgjedhje.”

“I bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga provokimet dhe të lejojnë që votimi të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore”, ka thënë Zanier.

Zgjedhjet lokale, presidenciale dhe parlamentare të Serbisë mbahen më 6 maj.

Autoritetet kosovare kanë lënë të kuptohet se duke marrë për bazë parimin e dyshtetësisë, serbët e Kosovës mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por jo edhe për ato lokale, të cilat politikanët serbë të veriut këmbëngulin që t’i mbajnë.

Deklarata e Qeverisë së Republikës së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e OSBE-së për lehtësimin e votimit për qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet e 6 majit.

Ky vendim i OSBE-së është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane.

Ky veprim është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj dite do të hapen qendra mobile votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të shtetit të Kosovës, në mungesë aktuale të Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe anasjelltas.

Vendimi i OSBE-së reflekton qëndrimet dhe parimet e panegociueshme dhe vijat e kuqe të Republikës së Kosovës për këtë çështje.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një hap i madh për shtetin e Kosovës, sepse për herë të parë Serbia është pajtuar që të mos organizojë asnjë lloj zgjedhje në Kosovës, 13 vite pas përfundimit të luftës.

OSBE-ja po e ndërmerr një veprim të tillë me kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, që i takojnë komunitetit serb dhe kanë dyshtetësi, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›