Shqipëria – Serbisë: Po i forconi kriminelët serb
“Përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet”, thuhet në deklaratën e MPJ-së së Shqipërisë.
Duke qenë të paligjshme, sipas MPJ-së, këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik dhe të zgjedhurit nuk do të kenë asnjë autoritet ligjor.
“I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Republikës së Serbisë. Këto zgjedhje gjithashtu cenojnë perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës”, theksohet në deklaratë.
“Fryma evropiane për të cilën ka nevojë Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni, konsiston në zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës, duke zbatuar plotësisht paketën Ahtisari”, përfundon deklarata e MPJ-së.