E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edmond Topalli mposhtet për 2 minuta

Xhudoja e cilëson thjesht eksperiencë pjesëmarrjenMungesë përvoje e cilëson konkurrimin e sportistit të xhudos shefi i delegacionit, Ylli. Nuk i janë dashur më shumë se 2 minuta kampionit të Europës në fuqi Joao Neto i peshës -81 kg për të mposhtur shqiptarin Topalli. Për të takimi me shqiptarin Topalli ka qenë vetëm një shëtitje. Në fakt, xhudoja nuk ka pasur asnjë pretendim serioz në përfaqësimin e saj në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Vetë trajneri, njëkohësisht dhe sekretari i Federatës së Xhudos, Labo Capo, e vlerësoi si sukses të sportit që ai drejton thjesht pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike. "Për xhudon shqiptare, sukses është thjesht pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Ne si federatë arritëm të merrnin një ftesë nga Federata Botërore për t'u përfaqësuar në një eveniment kaq të rëndësishëm, siç janë Lojërat Olimpike. Për sa i përket konkurrimit, mund të them se ishim edhe pa fat, pasi që në ndeshjen e parë përballë sportistit tonë modest dhe pa eksperiencën e duhur shorti vuri kampionin në fuqi të Europës, portugezin Joao Neto, i cili ka një karrierë të pasur me suksese. Në Lojërat Olimpike "Athinë 2004" ai u klasifikua në vendin e 7-të, ndërkohë që ky sportist që nga viti 2005 deri në 2008 është fitues i 2 medaljeve të arta dhe 3 medaljeve të argjendta në Kupën e Botës, pa përmendur këtu faktin se në Kampionatin Botëror të këtij viti ai mori medaljen e bronzit. Ndërkohë, sportisti Edmond Topalli ka një eksperiencë shumë modeste krahasuar me rivalin e tij,"- thotë trajneri Capo. Federata Shqiptare e Xhudos fitoi të drejtën e përfaqësimit për herë të parë në Lojërat Olimpike përmes sistemit të ftesave. Kampion Olimpik në peshën -81 kg u shpall gjermani Ole Bischof, i ndjekur nga koreani Jaebum Kim me medalje argjendi dhe dy të bronztat kanë shkuar për Tiago Camilo të Brazilit dhe Roman Gontuik të Ukrainës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›