E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëzia e trajnerit Han, lë jashtë Bogdani

Holandezi nuk grumbullon sulmuesin kryesor të kombëtares kuqezi, as Besart Berishën

Nga Kina, i angazhuar me ekipin olimpik të Holandës (të paktën sipas mediave të kësaj të fundit), trajneri i kombëtares, Ari Han, i dërgoi dje FSHF-së listën me 18 lojtarë për ndeshjen miqësore të 20 gushtit me Lihtenshteinin, duke çuditur me zgjedhjet e tij. Më konkretisht, "kinezërirat" e Hanit shkojnë deri atje, sa që lihet jashtë sulmuesi kryesor i kombëtares, Erion Bogdani. Por sikur të mos mjaftojë ky vendim për mosthirrjen e lojtarit të vetëm shqiptar që aktivizohet në Serinë A, Ari Han bën edhe gafën e dytë. Nuk grumbullon Besart Berishën, i cili mahniti me Rozenborgun në kampionatin norvegjez, duke shënuar dy gola që në ndeshjen e parë. Vetëm dy sulmues në dispozicion (Salihi dhe Kapllani) për një ndeshje miqësore, nuk mbahet mend të ketë ndodhur më parë me kombëtaren shqiptare. Por tashmë është holandezi, që përkundrejt emrit të madh që ka, kombëtaren shqiptare nuk e njeh aspak, sepse, për hir të së vërtetës, nuk ka pasur shumë mundësi ta arrijë këtë gjë (vetëm një ndeshje miqësore). Eshtë luks që për një kombëtare si Shqipëria, të lihen jashtë dy lojtarë të tillë si Erion Bogdani apo Besart Berisha, që pa dyshim do t'i kishte zili çdo ekip. Aq më tepër kur shikon që në listën e publikuar zyrtarisht dje, ka emra të cilët nuk kanë lidhje fare me fanellën kuqezi. Por cilat janë arsyet e lënies jashtë të Bogdanit? Në pamundësi për të kontaktuar me trajnerin në "emigracion" të kuqezinjve, po bëjmë të ditur email-in e dërguar prej tij në adresë të shefit të ekipeve kombëtare, Ermal Kuka, ku shkurtimisht sqaronte: "Për ndeshjen me Lihtenshteinin mendova të thërras vetëm dy sulmues."

Kjo është të paktën përgjigjja zyrtare e FSHF-së, referuar trajnerit të kombëtares, që tashmë duket se po mendon më shumë për paraqitjen e Holandës në turneun e ekipeve olimpike sesa Shqipërinë. A është parë e dëgjuar kund kjo, që trajneri i kombëtares së një vendi, ta bëjë detyrën për të cilën paguhet me "korrespondencë", përmes emaile-ve, ndërkohë që shëtit si turist në Pekin, duke shijuar Lojërat Olipmike. Duke pasur parasysh që ndeshja e parë eliminatore me Suedinë më 6 shtator është te "dera" dhe Lihtenshteini është prova e vetme para saj, gafat e Hanit duket se janë vërtet të rënda. Me sa shihet, ai ka alergji të theksuar nga germa "B", pasi, përveç Bogdanit dhe Berishës, ka lënë jashtë fantazistin Bylykbashi. Ky i fundit, falë paraqitjes së shkëlqyer me Krivbasin, është cilësuar një ndër pesë lojtarët më të mirë të kampionatit ukrainas, ndërkohë që pak ditë më parë firmosi për ekipin elitar Dnjipro. Pra, është kjo lista e lojtarëve të Hanit, ku ata që janë më në formë nuk grumbullohen, ndërsa afrohen lojtarë që thjesht janë stërvitur këtë periudhë. Madje, ka ndonjë prej tyre që kanë shëtitur klub më klub, duke provuar fatin, dhe vetëm ditët e fundit i janë nënshtruar stërvitjes. Sidoqoftë, koha do ta tregojë nëse trajneri kuqezi ka gabuar në këto zgjedhje apo jo. Por ato duken vërtet të dyshimta, kur dihet që njohjet e tij mbi futbollistët shqiptarë janë të pakta, madje me këtë listë kuptohet se ai ende nuk është "de facto" trajner i kuqezinjve. Por cilët janë të rejat e listës anti-Lihtenshtein? Miqësorja me modestët e Lihtenshteinit konsiderohet shumë e rëndësishme për Ari Hanin, pasi është e vetmja mundësi që ai të shikojë lojtarët në prag të sfidës me Suedinë. Kështu, në repartin e mbrojtjes, listës i janë shtuar Admir Teli dhe Endr Vrapi, ndërsa të tjerët janë të zakonshmit. Edhe mesfusha nuk ka surpriza, pasi ajo që mund të quhet e re në listë është përfshirja e sallaksit Ansi Agolli, i programuar për t'u thirrur nga Hani që në miqësoren me Poloninë. Ndërkohë, siç është bërë e ditur edhe më parë, jashtë listës janë lënë "veteranët" Nevil Dede, Altin Haxhi dhe Alban Bushi. I pari është i dëmtuar, bashkë me sulmuesin Bushi, ndërsa Haxhi po kalon një formë të mirë tek Apoeli, por shkaqet e lënies jashtë duket se janë të komplikuara, nisur nga fakti që ai nuk iu përgjigj thirrjes për miqësoren me Poloninë, e zhvilluar më 27 maj.

------------------------------------------------Bogdani: Luaj në Serinë A, Hani duhet ta dijë

I habitur fillimisht pas njoftimit në orët e para të ditës, se ishte jashtë listës së kombëtares, Erion Bogdani kërkon pak kohë dhe më pas flet. Natyrisht që nuk e ka pritur këtë lajm, por në zërin e tij nuk dallohej ndonjë zhgënjim i madh. Sulmuesi i mirënjohur shqiptar, që aktivizohet në Serinë A me Kievon, komenton zgjedhjen e papritur të trajnerit kuqezi, Ari Han. "Nuk do të jem me Lihtenshteinin? Eshtë zgjedhje trajnerit, nuk kam çfarë të komentoj. E di ai (Ari Han),"- nis bisedën telefonike Erion Bogdani. - Nuk kam pse të ndihem i zhgënjyer. Unë luaj në një nga kampionatet më të forta në botë dhe një mosthirrje në kombëtare nuk është se më bën ndonjë përshtypje të madhe. Besoj se Ari Han duhet ta dijë që luaj në Serinë A." Nga ana tjetër, 30-vjeçarit nuk i vjen mirë që për këtë lënie jashtë kombëtares nuk është njoftuar nga stafi teknik. Në drejtim të sulmuesit të shquar të dekadës së fundit nuk është bërë qoftë edhe një telefonatë. "Personalisht nuk kam menduar t'i kërkoj ndonjërit llogari. As që nuk e kam marrë mundimin. Më vjen keq vetëm për faktin se asnjë person nga stafi teknik nuk më ka kontaktuar. Unë jam futbollist profesionist dhe jam mësuar me një mënyrë tjetër të sjelluri, prandaj po flas në këtë mënyrë. Nuk di për çfarë arsyeje më kanë lënë jashtë listës. Kjo është zgjedhja e trajnerit. Ari Han bën llogaritë e tij, ndërsa unë të miat. Po përpiqem të kap formën e duhur dhe po punoj fort për të nisur një sezon të madh. Ndoshta kombëtarja është më mirë pa mua. Nëse ka ndonjë arsye tjetër, nuk di çfarë të them më tepër. Duhet pyetur vetë trajneri,"- thotë shtatlarti nëpërmjet linjës telefonike nga Verona. Ai nuk kërkon të bëjë polemika, ndërkohë që thekson se nuk ka pasur asnjë kontradiktë me trajnerin Ari Han. "Absolutisht jo. Jemi prezantuar dhe kemi folur normalisht, siç mund të flasë një futbollist me trajnerin. Nuk kemi pasur ndonjë kontradiktë,"- konfirmon Bogdani.

Lista e lojtarëve anti-Lihtenshtein

Portierë

Arjan Beqaj(Anorthosis)

Isli Hidi(Alqi Larnaka)

Mbrojtës

Kristi Vangjeli(Aris)

Andi Lila(Tirana)

Armend Dallku(Vorskla)

Debatik Curri(Vorskla)

Admir Teli(Haxhetepe)

Endri Vrapi(Elbasani)

Mesfushorë

Altin Lala(Hanover 96)

Lorik Cana(O.Marsejë)

Ervin Skela(E.Kotbus)

Jahmir Hyka(Mainc 05)

Klodian Duro(Omonia)

Ervin Bulku(Krivbas)

Ansi Agolli(Tirana)

Elis Bakaj(Partizani)

Sulmues

Hamdi Salihi(Ried)

Edmond Kapllani(Karlsruhe)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›