Witney Houston: Duamëni si dikur
Dalje nga errësira dhe rikthim tek adhuruesit e tradhtuar. “Like i never left”, “Si të mos kisha ikur kurrë” është kënga që shënon kthimin e një prej yjeve të muzikës botërore, Whitney Houston. Një këngë e interpretuar me këngëtarin e muzikës R&B Akon. Mësohet se ajo do të përfshihet në albumin e shumëpritur të këngëtares,më datën 10 nëntor. Një rikthim pas 5 vitesh të vështirë në jetën e saj, duke filluar që nga dashuria torturuese me ish-burrin Bobby Brown dhe problemet me drogën. Në një intervistë të dhënë për kanalin muzikor MTV, Akon ka mohuar që Brown, me të cilin këngëtarja u divorcua vitin që shkoi, është frymëzimi i këngës në të cilën Houston thotë “Kuptova që kam qenë një e marrë/ nuk duhej të të ktheja shpinën/ është një botë e ftohtë kur je jashtë dhe je vetëm/ sa shumë herë doja të merrja telefonin/ e të thoja: i dashur më mungon shumë dashuria jote/ nuk po vonoj/ e dashura jote do të kthehet në shtëpi?”. Thuhet se kënga i kushtohet adhuruesve të këngëtares, ende të shumtë në numër dhe të apasionuar. Sepse ishin pikërisht ata që e kthyen në këngëtaren më të famshme e të talentuar të viteve ’80-’90, aq sa u quajt artistja më e vlerësuar dhe më popullore në botë nga Çmimet Guinness, për shkak të 411 çmimeve dhe 170 milionë disqeve e videove të shitura.
“Like I never left”, duket se u drejtohet pikërisht atyre: “Dëshiroj të më doni si të mos isha larguar asnjëherë. “Sepse jam kthyer”, këndon Houston. Por mbi këtë pikë ka ende shumë dyshime. Videoja e këngës, ndoshta e hedhur në internet nga shtëpia e saj diskografike për të bërë një sondazh tek publiku, u tërhoq sërish për “çështje të drejtash autori”, por ndoshta edhe për shkak të reagimit të publikut dhe kritikës, jo vetëm në Amerikë.
“Nëse misioni i saj ishte që “të restauronte” reputacionin e Whitney-t si artiste bashkëkohore, kënga ka dështuar. Që prej 2005-ës premtohet një album i ri i Houston-it. Ka kohë që presim kthimin e saj të madh, që nga kur nxori në qarkullim një koleksion me këngë për Krishtlindjet”, - është shkruar në “Los Angeles Time”. Një ndër këngët e para, me të cilën Houston-i u bë e njohur është “I Wanna Dance With Somebody”, për të vazhduar me të tjera, që do ta bënin atë këngëtaren më të dashur të planetit, si “I Ëill Alëays Love You”, “I'm Every Ëoman”, “I Have Nothing” “My Love Is Your Love”, “I Learned from the Best”, “My Love Is Your Love”, apo “Miracle”.
Tanimë tre minuta e 39 sekonda këngë, duket se nuk i ka mjaftuar publikut i cili ka ndjekur përmes thashethemeve të gazetave jetën e këngëtares së preferuar. Që nga martesa me Bobby Broën tek problemet me drogën, nga problemet me të atin tek zërat për homoseksualitet. Janë shokuar nga fotografitë e publikuara një vit më parë, ku këngëtarja nën ndikimin e drogës dhe alkoolit ishte transformuar aq sa nuk mund të njihej. Nga një grua e suksesshme, plot dritë, ishte shndërruar në një plakë të shëmtuar dhe të vuajtur. Sipas kritikëve tashmë këngëtares, e cila në vitet’80 u shfaq si një vajzë për së mbari (kishë-familje), duhet të punojë trefish për të treguar se ajo vajza e dikurshme “nuk është larguar kurrë”.