E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërro kanal!

Televizionet shqiptare, thuajse asgjë gjatë verës. Të paktat përpjekje ofrojnë një argëtim të sforcuar dhe asnjë vlerë

Tv shkrijnë dhjamin e dimritSezoni i pushimeve ikën shpejt. Rutina e përditshme ia zë vendin argëtimit moskokëçarës. Kontaktet me televizorin bëhen më të shpeshta. Rrotullon telekomandën nëpër duar. E kalon nga njëri kanal në tjetrin dhe zor se mund të gjesh diçka që tëtë kënaqë shijet. Gjatë sezonit të verës, kur thuajse gjithë dynjaja shpërngulet nga Shqipëria në drejtim të ndonjë toke të panjohur, ekranet e televizioneve, nuk ofrojnë thuajse asgjë. Ndërsa ato të gjora ditë, kur mund të pushohet në mënyrë totale dhe kur dëshiron të harrosh çdo kontakt me botën, janë shumë pak. Pjesën tjetër verore, duke qenë se nuk zhvillohet asnjë ngjarje kulturore, mbetet ta kalosh kohën e lirë – atë kohë të lirë pa shumë angazhim - në shoqërinë e ekranit (edhe kafenetë nuk mund të mbushin gjithë kohën). Megjithëse rituali përsëritet çdo vit, nuk duket se stafet e televizioneve kanë ndonjë “strategji” të veçantë për këtë sezon.

Përveç ekraneve që kanë si specifikë të tyren lajmin në 24 orë dhe nuk njohin stinë, të tjerat duket se “shkrijnë” dhjamin e dimrit. Ekrani më i vjetër në Shqipëri, televizioni publik shqiptar, vazhdon me të njëjtat ritme si qëmoti. Të njëjtat emisione, e njëjta mënyrë patetike e ofrimit të së resë.

Privatët po ritransmetojnë emisione të prodhuar në muajt e shkuar, ndodh edhe të dy viteve të shkuara (rasti i Euro Video Grand Prix). Janë talk-show apo spektakle të cilat i kemi ndjekur një herë e kur nuk ka asgjë më të mirë se aq. Sigurisht metoda e ritrasmetimeve, apo e shfaqjes së numrave më të mirë të një spektakli (best of.), është e njohur edhe në televizionet e huaja. Por kjo është e ndërthurur edhe me programe të reja, që i përshtaten stinës, kryesisht spektakle ku ka shumë argëtim. Por ky tip është tepër i rrallë në ekranet tona, dhe po të bëjmë krahasime me disa vite më parë, duket se programi veror bëhet gjithnjë e më i thatë e më i paorganizuar. Nëse më parë organizoheshin spektakle seriale rreth ndonjë pishine apo në ndonjë anije, me lojëra e këngë, (pavarësisht nivelit) tani nuk i gjen as ato. Eh, në ndonjë ekran nuk mungon dëshira e mirë. Vihen re disa përpjekje.

Në një ekran kombëtar, transmetohet një turne koncertesh me këngë popullore qytetare. Koncerte të zhvilluar në sheshet e qyteteve më të mëdha të Shqipërisë e nga ç’transmetojnë kamerat, duket kanë rezultuar të pëlqyer. Gjindja e mbledhur nëpër sheshe për t’i parë është e shumtë në numër dhe fatmirësisht kjo atmosferë arrin të përcillet edhe në ekran. Si koncerte të zhvilluara në natyrë, nuk kanë ndonjë shkallë të lartë të spektaklit.

Në një tjetër ekran të njohur, në orët më të ndjekura të mbrëmjes zhvillohet një “spektakël”, që sipas titullit pretendon të sjellë shumë ngjyra. E në fakt, kështu, larmi ka. Ka kuice, karaoke dhe të ftuar. Konkurrentët janë kryesisht të rinj. Të vendosur dyshe-dyshe përballë njëri-tjetrit ata duhet t’u përgjigjen pyetjeve të moderatores, që të thuash të vërtetën nuk janë aspak të vështira. Aty kanë mundësi të marrin pjesë të gjithë e të dëshmojnë njohuritë e tyre, por problemi qëndron në faktin që shumë syresh, nuk kanë fare se ç’të tregojnë. Dëshpërohesh pa masë kur sheh se si të rinj mbi të 20-at, nuk kanë as njohuritë më minimale mbi kinematografinë apo muzikën shqiptare. Nuk njohin aktorë e këngëtarë të njohur, ngatërrojnë tituj filmash… Por nuk mbaron me kaq. Mbi skenën e improvizuar ngjiten vajza e djem që kanë dëshirë të këndojnë. Të “stërvitur” nëpër karaoket e shumta të kryeqytetit, ata tentojnë të zbulojnë talentin. Ka nga ata që këndojnë vërtetë mirë, por ka edhe nga ata që nuk kanë fare të dhëna muzikore, apo siç i thonë shqip, nuk kanë vesh muzike. Për ta është krijuar edhe një juri, ku vazhdimisht ka anëtarë të rinj. Edhe pse hiqen si ekspertë të fushës, prej vlerësimeve të dhëna, ata duken të jenë më keq se vetë konkurrentët. (Një prej tyre, në një prej takimeve të fundit, përpiqej t’i jepte zemër një konkurrenteje, duke i thënë se emri i saj, Davida, ishte tipik italian). E nuk di për kë të të vijë keq më parë. Për ata të rinjtë që bëjnë atë figurë mjerane para të tjerëve, për edukimin dhe njohuritë e një brezi të tërë që ata përfaqësojnë e që duket se nuk kanë interes për asgjë që ndodh në Shqipëri. Apo duhe të të vijë keq për ekranin që bie në një nivel të tillë. Nëse qëllimi është argëtues, sigurisht që edhe ia arrin deri diku, sepse të kap të qeshurit, kur dëgjon të tilla gjëra. Sa për vlera, e vështirë t’i gjesh. Prandaj, ndërron kanal edhe me inat.

Dalëngadalë po ikën gushti. Në ekranet e huaja, u kushtohet një hapësirë e madhe spoteve të emisioneve të reja që nisin në shtator. Gjatë gjithë verës është punuar. Ndërsa nuk gjen të njëjtën atmosferë në ekranet tona. I vetmi është një TV kombëtar që po reklamon nisjen një programi të përjavshëm të përmasave të mëdha. Për më tutje… Të shpresojmë që vera të mos zgjasë edhe në stinët e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›