E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini do të mbështetet te “të rinjtë” me mendësi të vjetër!

10-09-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë: “PS-ja, bllokuese për reformat”

Në një intervistë të bashkëshortes së tanishme të E. Ramës, kjo kishte thënë se e kishte simpatizuar Edin qysh në hapat e parë për rrëzimin e diktaturës. “Ai ishte ndër më të zjarrtët”. Por konformizmi gazetareve tona, veçanërisht në ballafaqim me majtizmin ekstrem të Edvinit gjer këtu mund të shkonte. Përndryshe mund t’i kishte bërë edhe pyetjen pasuese: - Po tani, bashkëshorti juaj a nuk mund të përgjigjet për zellin e tij pro diktaturës, me rastin e orgjive për ringritjen e figurës së Enver Hoxhës, më 16 shtator në Pezë? Kjo përsiatje zgjohet vetiu se 16 shtatori i këtij viti është pranë nesh me më pak se një javë ndryshesë. Ta shohim edhe këtë herë këtë datë të cilën përdhosësit e historisë e çiftëzojnë me meritat e shokut Enver. Kur vetë i cilësuari ka deklaruar se për këtë ngjarje ishte në rolin e shpërndarësit të ftesave, të përgatitura nga Miladin Popoviçi! Nga ana tjetër, Konferenca e Pezës na kujton pabesinë komuniste ndaj një elite jokomunistësh, të vendosur për luftën kundër okupatorit. Kjo pabesi u përsërit gjer në shpërthim të luftës civile, në Mukje.
Pra, edhe në ngjarje historike, kur ithtarët e Enverit duhej ta ndjenin veten të turpëruar historikisht, ata gjejnë rastin ta paraqesin historinë kryengulthi.
Si pasojë edhe qëndrimi i opozitës sonë të Edvinit, domethënë i ekstremizmit majtist në vendin tonë, është në shpirt e në ndjenja kundër komunitetit europian dhe kundër demokracisë amerikane. Njerëzit e kapluar nga nostalgjia enveriste nuk mund të jenë me Amerikën, kur E. Hoxha s’kishte lënë gur e kusur kundër imperializmit amerikan me gjyqe të sajuara kundër atyre që mund të quheshin fajtorë vetëm e vetëm se kishin mbaruar shkollën e Harry Fulcit!
Tanimë grupi mbështetës i Edi Ramës i ka mëshuar si tepër gojës kundër faktorit ndërkombëtar, sidomos kur eksponentët e këtij faktori bënin vërejtje, qoftë edhe me delikatesë, ndaj bojkotimit të institucioneve dhe ndaj zhurmnajës së njerëzve të paguar ditën për diell, me bordero, nga “sindikalisti” Fiqri Xibri. Gramoz Ruçi e thoshte troç se këta njerëz të cilët, në të vërtetë, kishin ardhur për të na ndihmuar, përfliteshin se po na silleshin nëpër këmbë, thuajse po na zinin rrugën! Nuk flasim për tani. Por, sidoqoftë, nuk kemi të bëjmë me një kohë shumë të largët. Ishte koha e rrëmujave, e gjullurdive, e thirrjeve zëçjerra, e djegieve të gomave nëpër autostradat, në të cilët socialistët nuk kishin dhënë asnjë kontribut, përveç mburrjes me “taksën” Majko! Ishte koha kur të ashtuquajturit “analistë” flisnin hapur kundër ndërkombëtarëve. Nuk është nevoja të përmendim emra, besoj. Anarkistët shkonin edhe më larg. Bënin parashikime kobzeza, si ato të Kasandrës, për rënien e qeverisë brenda dy ditësh! Në emër të demokracisë! Sikur anarkizmi dhe demokracia të ishin sinonime!
Për të gjitha këto, përgjegjësia e drejtpërdrejtë bie tek E. Rama. Të gjithë të nënshtruarit e tij nuk guxonin të bënin asnjë veprim që të binte ndesh me frymëzimin e tij politik (se për vizionin e tij as që mund të flitet. Është vetëm një budallallëk!).
Në ditët e fundit, kur Wikileaks-in  e Julian Assange-it nuk e marrin për argument, se merret vetëm me gjëra jozyrtare, por me korrespondenca intime, Edi Ramës ia paska fajin e  antiamerikanizmit Gramoz Ruçi, kur vetë Edvini është po aq antiamerikan sa Ruçi dhe sa bllokmenët e rinj dhe ish-persekutorët e vjetër. Në emër të politikës së tij “të re”  ai mbështetet në leximin subjektiv të Wikileaks-it dhe ia ka paralajmëruar Ruçit se i ka ardhur koha t’u hapë rrugë të rinjve, kur të rinj e të vjetër në vathën e tij.- çelësin e të cilit e mban shtrënguar në brez, - janë të një prerjeje. Megjithatë, ai do ta mbajë afër Gramozin! Por Ruçi e di mirë sesa të sinqerta janë deklaratat e Ramës dhe nuk e pati për gajle t’i bënte një pyetje si ato që kanë pasur përgjigje: “Bëji të fala Sandrit!”. Pyetja ishte kjo: Po sekretari i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, i vjetër ishte?
***
Meqë po flasim për mendësi dhe për pyetje pa përgjigje, do ta mbyllim me atë provokimin e  21 janarit apo, më saktësisht, të 20 janarit. Më 20 janar Rama tha se më 21 “situata mund të dilte jashtë kontrollit”. Duke vënë si premisë se të gjitha demonstratat janë bërë nga E. Rama, dhe vetëm nga ai, pa asnjë konsultim, çka do të thotë  se vetëm ai e bën kohën e kthjellët apo të vranët në opozitën tonë; duke vënë edhe një premisë tjetër se  është një falsitet i trashë ai, që këto gjullurdi bëhen spontanisht (!) dhe ai  vetëm se “i bekon” këto rrëmuja antikushtetuese, atëherë le t’i përgjigjet pyetjes: - Meqë rojtarët e institucionit të kryeministrisë për 90 minuta rresht u bënë vetëm mur mbrojtës që hanin copëra kalldrëmesh, hunj, dajakë mbi skafandrat e tyre, pa bërë asnjë hap para ose prapa, përse Edvini e lejoi që gjendja të degradonte më tej dhe nuk tha:- Stop! Demonstrata (e dhunshme) mbyllet me kaq! Do të mjaftonte një urdhër me celular!
Sa për spontanitetin, këtë e di më mirë se cilido, F. Xibri! Një plakë që kishte dalë e gjallë nga kampi i vuajtjes së Tepelenës, kur dëgjoi se Edi donte të na mbushte mendjen se ishte si ai bariu gunëbardhë me delet bardhoshe (në këto farë mitingjesh), kishte thënë: - “Plasi tue na mbushë në rrena, ditziu!.
Le t’i kthehemi atij stop-it. A do të shmangej thyerja e portës së  hekurt të kangjellave? A do të merrte fund mitingu, pa viktima? Vetëm përgjigjja transparente dhe analitike e kësaj pyetjeje do të çonte në përfundimin se kishim të bënim me një provokim, për ta pasur si armë kundër Lulzim Bashës, në fushatën e admirueshme të këtij të fundit. Pa këto hile, Luli do të kishte marrë disa mijëra vota më tepër.
Edvini është i molepsur fund e krye me mendësinë enveriste, erën e keqe të së cilës kërkon ta largojë me ujë trëndafili!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›