Vodhi pushtetin për të shpëtuar nga burgu i sigurt
Dikur, pas vitit 97 kur Berisha u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës, u betua se nuk do linte rast dhe formë për tu rikthyer në pushtet. Halli ishte sa të kalonte periudhën e trazirave dhe të qetësohej situata, pastaj e dinte vet ai. Kështu, marazi i madh për dorëzimin e pushtetit e bëri Berishën të niste një varg mitingjesh dhe protestash në sheshin Skënderbej, pa kursyer institucionet e shtetit, të cilat u sulmuan me bomba Molotov. Berisha u fut edhe në grevë urie brenda një automjeti Benz, së bashku me disa drejtues të njohur të PD-së në ato vite dhe ishte gati ti vinte sërish zjarrin këtij vendi të varfër. Përpara ambicies patologjike për tu rikthyer në pushtet, Berisha ishte i gatshëm të bënte gjithçka që mund të imagjinoj një mendje xheloze që di ta dredhi. E kam fjalën për konvertimin e tij nga komunist në demokrat, pasi dihet botërisht që Shqipëria sot drejtohet nga ish komunistët dhe ish sigurimsat. Berisha nuk la kusur për ta përçarë të majtën, pasi e kishte të pamundur të rikthehej në pushtet, pas imazhit të tij të prishur gjatë trazirave anti-fajde të 97-tës.
Përçarja e Nanos dhe Metës në vitin 2005 solli në pushtet produktin e kësaj përçarje, pra Sali Berishën, i cili me flamurin e anti-korrupsionit në dorë dhe të qeverisë në dietë, u bë kryeministër i vendit. Vetëm tre vjet pas ri-ardhjes së Berishës në pushtet plasi skandali i Gërdecit i 15 marsit 2008, që la të vdekur 26 fatkeq dhe shpërndau rreth e qark, veç flakës, tymit dhe blozës së barotit, me mijëra predha të mbjella në ugaret e fshatit. Tragjedi të tillë nuk kishte parë bota, si atë që panë banorët e varfër të Gërdecit, të cilët u dogjën në flakët atomike të barotit të korrupsionit. Opozita u përmbajt pas kësaj që ndodhi, ndërkohë që reagimi i saj duhet të ishte i fuqishëm dhe i pareshtur, deri në lënien e pushtetit të kryeministrit përgjegjës dhe gjithë shpurës së tij të korruptuar. Thonë se u hap një hetim dhe u përmendën disa emra këtej dhe andej Atlantikut, por deri tani në shtator 2011 nuk ka ndodhur asgjë. Nuk u dënua askush, nuk doli përpara gjykatës asnjë. Dihet vetëm se, në atë tragjedi mbetën të vrarë 26 të pafajshëm. Ku janë fajtorët e asaj tragjedie?! A ka fajtor apo jo?! Apo ajo që ka ndodhur nuk ka qenë një tragjedi me përzierje qeveritaro-familjare, por vetëm lojëra kalamajsh që luanin në fushat e fshatit me barotin e fishekëve që i kishin demontuar vet?! Një ministër u detyrua apo u urdhërua të jepte dorëheqjen, pasi po ti hiqeshin petët lakrorit do të qelbej dynjaja. Dhe më e bukura e të bukurave, vjen viti 2009 dhe zgjedhjet e përgjithshme, ku të gjithë menduan se Berisha do ti humbiste ato në mënyrë spektakolare, jo vetëm për përgjegjësinë e tij drejtë në tragjedinë e Gërdecit, por edhe për korrupsionin galopant të asaj qeverie në dietë?! Berisha e dinte mirë se po ta merrnin pushtetin socialistët me opozitën, ndoshta do ta dërgonin atë në bankën e të akuzuarve për Gërdecin dhe afera të tjera të hedhura në shtypin e përditshëm. (megjithëse opozita ka treguar se nuk e ka karizmin për të bërë kësi punësh deri në fund). Frika nga lënia e pushtetit dhe ndëshkimi personal dhe ndoshta familjar, e bëri Berishën të skiconte vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të qershorit 2009. Berisha donte me çdo kusht, me çdo çmim që ta mbante pushtetin, pasi ndershmërisht nuk e merrte dot atë. Duke qenë në pushtet Berisha kishte në dorë gurin dhe arrën, (jo nga këta arror që ka shpallur si prioritet), dhe duke pasur në dorë gurin dhe arrën, ai iu vërsul institucioneve vitale të vendit duke i tulatur dhe vënë atyre stërkëmbëshin përmes një presioni spiral si të uraganit. Më thoni kush është vënë sot nënë akuzë dhe kush është dënuar për tragjedinë e Gërdecit, për aferat e rrugës Durrës-Kukës dhe për shumë afera me konçesione, tendera apo monopole?! Askush, asnjë, vetëm llafe në erë dhe luftë me mullinjtë e saj.
Ku është opozita, që herë e ngre dhe herë e ulë tempin e revoltës së saj pa bosht?! Vetëm media e pavarur i ka mbetur këtij vendi, si e vetmja rreze drite për të vërtetën, të tjerët kanë vdekur, apo janë varrosur të gjallë! Frika se mos e akuzojnë opozitën për marrjen e pushtetit me dhunë, e ka bërë këtë të fundit të tulatur dhe pa frymë. Pas vrasjeve makabër të 21 janarit 2011, ku opozita lëshoi disa shkëndija shprese, menjëherë ndodhi tulatja e saj dhe nga një opozitë luftarake u kthye në një opozitë homazhesh?! Për kë pret opozita shqiptare që të ngrihet në protesta dhe revolta antiqeveritare, si kudo në vendet demokratike të botës?! Kush do ta ngrejë popullin?! Ku ka në Shqipëri sindikata të tjera, veç asaj të minatorëve të Bulqizës?! Sindikatat e pavarura shqiptare janë mbytur në korrupsionin e aseteve të punëtorëve të dikurshëm dhe nuk kanë zemër dhe frymë të flasin më. Pa le pastaj që nuk u vinë njeri pas, pasi në këtë vend nuk ka më punëtorë të organizuar. Në këtë vend nuk ka më fabrika dhe kombinate, nuk ka më uzina dhe reparte, sepse u zhdukën pas teorisë famëkeqe, Ta fillojmë nga kuota zero?! Si do të vijë opozita në pushtet, kur ka gjithë këto fakte manipulimi dhe vjedhje të votave dhe të pasurisë kombëtare?! Opozita nuk është e zonja të vij në pushtet, pasi nuk është e zonja të menaxhoi votat e qytetarëve. Opozitës ja rrëmben pula bukën nga goja dhe nuk ka fuqi të reagojë deri në fund dhe me të gjitha mjetet?! Kemi dëgjuar kohët e fundit deklarata të opozitarëve për të hyrë në Parlament apo për ta bojkotuar atë. Mësimet e ndërkombëtarëve e kanë bërë çorbë këtë vend. A nuk ishin këta që nxorën nga greva e urisë deputetët socialist dhe mbështetësit e tyre dhe u thanë; hajdeni tek Krokodili ta zgjidhim këtë punë?! Greva u prish dhe shkuan tek krokodili, por atje nuk këndonte bilbili?! Çfarë fitoi opozita nga takimi tek krokodili?! Opingën e Sheros, tha dikush?! Berisha është po ai që ishte, pa u tërhequr nga parimet dhe metodat e tija. Berisha vodhi rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë dhe opozita u betua se do bëjnë namin në parlament?!
Komisioni i Venecias mund të thotë të vërtetën, por për këtë do ta thotë?! Berisha nuk dëgjon më nga ai vesh. Raporti i OSBE-ODHIR-it i tetorit mund të flas edhe më hapur akoma për maskaradën e zgjedhjeve, por përsëri Berisha nuk do të dëgjoi nga ai vesh. Të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët e panë se kush fitoi në Tiranë. Madje, vet ambasadori i Shteteve të Bashkuara zoti Arvizu përveshi mëngët dhe të gjithë thanë: Epo tani nuk ka më tërci-vërci, Berisha u bë MAT! Pas deklarimit të 10 votave për Edi Ramën Berisha dhe Luli nuk e deshën veten. Ata rrëmbyen telefonin dhe iu lëshuan Arben Ristanit me urdhra dhe kërcënime. Blloko nxjerrjen e rezultateve se do ta pësosh! Të gjithë e pamë se si fusha e ekranit ku po publikoheshin rezultatet heshti çuditshëm. Këtu nisi edhe maskarada e numërimit të çdo vote të hedhura gabimisht edhe në tualet, apo kazanët e plehrave, mjafton që Luli të delte i pari. Shaka më të hidhur zor se gjen në këtë botë?! Opozita priti e priti, u takua e u ankua tek ndërkombëtarët, por asnjëri nuk kishte fuqi të ndryshonte diçka. Fshiu maçi bythën, thonë këtej poshtë nga ne. Tani opozita është në Parlament me gërr-vërret e saj. Shumë mirë që shkoj në Parlament, pasi aty shpalosen pikëpamjet e saj dhe lufta kundër së keqes, në të mirë të integrimit të vendit. Po a mund të ketë integrim, a mund të bisedohet me hajdutin që të ka vjedhur votat?! A mund të jetë i besueshëm bashkëpunimi pozitë-opozitë kur ata që kërkojnë të shtrijnë dorën e pajtimit, janë ata që të vodhën votat, të rrëmbyen pushtetin përmes vjedhjes dhe manipulimit?! Si mund tu besohet atyre që deri dje të treguan dhëmbët e ujkut dhe tani po të tregojnë gëzofin e qengjit pirës?! Kuptohet, ndërkombëtarët nuk dua sherre, ata tani, megjithës
