Paradoksi/Opozita me bllokimin, paska dashur integrimin (!)
Të gjithë e përshëndetën futjen e opozitës në parlament. Ndonëse Rama ç’ka thënë sot, e ka mohuar nesër, njerëzit përsërí besojnë se është penduar. Edhe sikur kjo të mos jetë e sinqertë, shqiptarët përsërí i ngazëlleu. E mirëpritën ata duke menduar se, sidoqoftë, humbjet e njëpasnjëshme do të kishin bindur edhe një profan se rruga e “rrugës” nuk të nxjerr gjëkundi. Megjithatë, ata që përjetuan gënjeshtrën komuniste, vështirë të besojnë në sinqeritetin e një egoisti, që mburret edhe në demokrací me demonstrimin e forcës. Sidoqoftë, dëshira për ta parë Shqipërínë anëtare të BE-së, i bën njerëzit të urojnë që dhe dyshimet e tyre të mos dalin të vërteta. Se naiviteti është tipar i fisnikërísë. Vetëm të poshtrit dyshojnë menjëherë ! Shpresat e mëdha kanë bërë dhe njerëz të shquar të mashtrohen. Se jo vetëm frika i bëri shumë shqiptarë t’i besonin një maskarái si Enver katili. Në fund të fundit, sinqeriteti nuk është krim. Vetëm njerëzit e pabesë shohin gjithçka me dyshim. Nuk ka krim më të madh, sesa të tallesh me ëndrrat e një populli, që komunizmi nuk e la të shihte një ditë të bardhë!
Tashmë dihet që diktatura ishte një gënjeshtër e madhe. Ajo zhgënjeu, jo vetëm njerëz të thjeshtë. Mashtrimi nuk sjell vetëm dëme materiale. Ai i vret njeriut besimin tek e mira. Kurse “njeriu i rí”, që krijoi komunizmi, është ai që beson në mashtrime. Që duke dyshuar dhe te vetja, nuk njeh ideale, apo altruizma. Atij i duken qesharake mbajtja e fjalës, ndershmëría dhe përkushtimi. Ky njerí është mbështetës i Ramës dhe neobllokmenëve. Fatmirësisht, të tillë sot nuk janë shumë! Përkundrazi! Ka njerëz, që nga “helmi” i zhgënjimeve, kanë nxjerrë dhe nektar të çmuar. Ka të zhgënjyer, që kanë filluar të besojnë tek e mira universale, tek energjitë dhe vlerat e njeriut, te përtëritja e tij, te ringjallja e të gënjyerve, te pendesa e mëkatarëve, madje, dhe te lartësími i atyre, që diktatura tentoi t’i zhvishte nga vlerat. Dhe këtu qëndron një nga bukuritë e jetës në demokrací. Sidoqoftë, përvojat e hidhura vazhdojnë të mbajnë në “pranga” ca mendje dhe zemra njerëzish të mirë. Inercia e së keqes nganjëherë është më e hidhur se përvojat e reja. Prandaj diktatura, që la pas shumë paragjykime, po tenton ta vonojë sa më shumë tranzicionin. Se, edhe Rama, si pjesë e kësaj inercíe, e bllokoi Shqipërínë për dy vjet, që kjo të mos shihte dritën e integrimit. E megjithatë, Shqipëría ka aq miq të mirë, aq shumë dashamirës dhe burra shteti, aq personalitete që ia dallojnë vlerat, sa, megjithë “krizat”, ngërçet, katrahurat, bllokimet dhe bojkotet e pafundme të Ramës me neobllokmenët, ata përsërí po ngrehin zërin në mbrojtje të pranimit të shqiptarëve “plangprishës” në gjirin e e tyre. Janë çaste historíke. Është një fat i madh, ndoshta i papërsëritshëm, që altruizmi i qytetërímit, duke kapërcyer dhe veten, po përpiqet t’i bëjë mirë një populli të vuajtur. Ndoshta prandaj dhe të zhgënjyerit nga përralla e “parajsës” së kopaçes, po ngazëllehen nga hyrja e deputetëve të majtë në kuvend. Megjithatë, gati të gjithë pyesin veten nëse kjo “kthesë” e Ramës është e sinqertë. Nëse vërtet nuk do të shoqërohet ajo me skenarë të rinj “kushtesh” e alibísh, apo bllokimesh të reja ! Të gjithë pyesin veten se mos kjo është një tallje e re, një gënjeshtër, një hije e mashtrimeve si ato të “fenerit ndriçues” të atij mjerimit kolektiv. Dyshojnë se mos edhe ky “kthim” është një iluzion i tipit të atyre zikzakeve të diktaturës, me të cilat kjo e paturpshme lozi si macja me minë me shpresat e një populli paqësor, që tërë kohën besoi se e keqja nuk mund të mos i kishte ditët e numëruara. Ndaj, do të ishte një krim i pafalshëm, i përmasave të frikshme futja e deputetëve socialistë me prapamendime të këqíja. Sepse një nihilizëm i ri, një mungesë e re vullneti politik për konsensus, një sajim i rí krizash artificiale dhe një kokëngjeshje në një të drejtë, që nuk e vërtetoi koha, do të dëmtonte, jo vetëm Ramën, duaxhinjtë e tij, gjithë lakejtë dhe fanatikët e apologjisë së fitimit të padrejtë, por sidomos gjithë shqiptarët dhe Shqipërínë! Se po ndihen zëra kuadrosh të majtë që të bëjnë të dyshosh se opozita mund të nisë një “luftë” të re, me devizën sikur vetëm ajo e paska dashur integrimin e vendit në Europë, dhe jo mazhoranca, që u bë copa për të. Sikur, gjoja, grevat e urísë, demonstratat e dhunshme, bllokimi i reformave madhore dhe gjithë “kushtet” finoke të opozitës, na paskan synuar, jo përjashtimin, por integrimin e Shqipërísë në BE (!) Të jenë këto një lajthitje enveristësh nostalgjikë, apo pinjollësh Blloku, që nuk durojnë dot të pendohen? Apo megalomania e tyre komuniste, që nuk e njeh rrugën e konsensusit, synon nënshtrimin e kundërshtarit? Mos antieuropianët duan që fajet e tyre, mëkatet dhe gjëmat e tyre t’ia veshin mazhorancës ? Apo hyrja në parlament është një taktikë e tyre prej dhelpre që t’ia lënë kundërshtarit kopilin në derë? Për t’i thënë botës se fajtorë qenkan viktimat dhe se gjoja opozita e paska dëmtuar imazhin e Shqipërísë, që të shpejtuakësh kështu integrimin. Se dhe dje xhelatët komunistë u kërkonin mirënjohje viktimave, kur i dënonin me pushkatim, ngaqë u paskëshin falur dënimin me varje (!) Por jo! Duhet t’i kalosh kufijtë e cinizmit dhe idiotësisë politike, që të pretendosh sot se ke luftuar për integrimin, kur s’ke lënë gur e kusur për pengimin e tij. Megjithatë, koha do të provojë, nëse hyrja e opozitës në parlament është një pendesë e saj e sinqertë, apo një “atentat” i ri kundër demokracisë. Se, dhe vetë socialistët e ndershëm nuk e besojnë që Rama me neobllokmenët, të mbetur sot si peshku pa ujë, të tallen me të ardhmen e tyre politike, duke synuar ta shesin sapunin për djathë. Se jo më kot Remarku ka thënë: “Njeriun e poshtërojnë veprat e veta”!