Shansi i Edi Ramës
Nuk ka asnjë dyshim se publikimi i kabllogrameve të Ambasadës së SHBA në Tiranë drejtuar Uashingtonit do të ndryshojë njëherë e mirë historinë e politikës shqiptare. Shumëkush mund të thotë se ishin gjëra që pak a shumë diheshin dhe në to ska asgjë të re. Të gjithë e dinim që shumë nga politikanët tanë janë përlyer deri në fyt në krime monstruoze, të gjithë e dinim se shumë banditë janë bërë deputetë e ministra, të gjithë e dinim që në këtë vend vidhet gjithçka e paguhet ryshfet për gjithçka. Por nuk mund të thuhet se bërja publike e fakteve të reja tronditëse nga miqtë tanë amerikanë (megjithëse pa vullnetin e tyre) nuk ndryshon gjë.
Politika jonë deri më sot ka arritur jo pa sukses që edhe mediat ti bëjë jo shumë të besueshme për opinionin e gjerë. Shumë nga mediat shqiptare kanë publikuar herë pas here fakte tronditëse rreth politikës, por kjo e fundit me sulmet e saj permanente (pushteti disa media i quan opozitare, ndërsa opozita bën të anasjelltën) ka bërë që këto fakte për shumëkënd të duken edhe si sulme preferenciale me motivim politik.
Mirëpo sot shqiptarët po dëgjojnë faktet e mendimet e diplomacisë më të fuqishme të botës, të zhveshura nga etika diplomatike, apo nga të qenit të detyruar të respektojnë një shtet sovran dhe institucionet e tij.
Shqiptarët mësuan se kanë një familje kryeministërore të përfshirë në afera kriminale. Mësuan gjithashtu se kishin një shef shtabi të zhburrëruar. Mësuan se shumë nga krerët më të rëndësishëm politikë janë krerë të rëndësishëm dhe të trafiqeve, vrasjeve e korrupsionit. Mësuan se kanë institucione të kapura për fyti nga këta banditë që drejtojnë shtetin e opozitën. Mësuan se i gjithë ky sistem ka kapur për fyti shoqërinë shqiptare, e ka vjedhur, vrarë, mashtruar dhe çështë më e keqja e ka gjunjëzuar.
Unë jam i bindur se indiferenca proverbiale e kësaj shoqërie, e cila ka ndihmuar që kjo klasë e korruptuar politike bashkë me shërbëtorët e saj të vjedhin, mashtrojnë e vrasin pa u hyrë gjemb në këmbë, smund të shkojë deri aty sa të mos jetë e ndieshme përballë bërjes publike të të tilla fakteve. Unë jam i bindur se historia e politikës shqiptare do ndahet në përpara dhe pas WIKILEAKS.
Mirëpo shqiptarët kanë një vështirësi shumë të madhe, skanë një alternativë të vërtetë. Për shumëkënd (edhe për mua) gjendja është dëshpëruese. Që ky pushtet duhet rrëzuar një orë e më parë jam shumë dakort, pasi asnjë organ i ligjit smund të funksionojë për sa kohë banditët janë në kolltukët e pushtetit e të mbrojtur nga manteli i imunitetit. Sinjalet u dhanë më së miri nga kryeministri dhe olldelet e tij, të cilët pa u skuqur fare i quajtën këto si thashetheme të shtypit, etj. etj..
Po në favor të kujt ta rrëzojmë këtë pushtet? Në favor të asaj opozite që na rezulton pothuajse njëlloj? E drejtuar nga njerëz si ish-komunisti Gramoz Ruçi, që tani na dilka edhe kriminel? Në favor të Doçave, apo Stërhajnave? Domethënë të rrëzojmë një tirani për ti bërë vend një tjetre? Të rrëzojmë ca hajdutë për të ngritur ca të tjerë??? Jo faleminderit. Jam shumë i sigurt se të njëjtim mendim ndajnë edhe shumë nga bashkëqytetarët e mi.
Megjithatë unë shoh një shans. U bënë disa vite që dëgjojmë kryetarin e opozitës të bërtasë e ulërasë për krimin që po vjedh e grabit këtë vend, për drejtësinë e munguar, për pushtetin e shndërruar në tirani moderne, etj. etj.. Më një opozitë të ndërtuar në mënyrë të tillë Edi Rama ka pasur jo pak sukses. Vërtet ka humbur në zgjedhje, por le të mos harrojmë se në vitin 2009 u tradhëtua nga kryehajduti Meta dhe u manipulua nga pushteti. Ndërsa më 8 maj u vodh ditën për diell. Por të njëjtin sukses nuk mund ta ketë në zgjedhjet e ardhshme me këta palo politikanë, të cilët janë bërë rrethi i tij i ngushtë.
Megjithë zhytjen në llumin e krimit të këtij pushteti, pjesa gri e shqiptarëve, që skanë interesa politike, smund ta shohin këtë opozitë si një alternativë reale për zxjerrjen e vendit nga llumi ku e ka futur pushteti. Të paktën jo me ata deputetë që cilësohen si baronë të krimit të organizuar.
E quajta këtë shkrim Shansi i Edi Ramës, sepse e shoh vërtet si shansin e tij. Në këtë gjendje që është sot politika shqiptare, për njerëzit e këtij vendi ka dy zgjidhje; ose të bëjnë zgjedhjen fataliste të të keqes më të vogël, ose të shohin alternativa të tjera përtej partisë më të madhe opozitare. Unë besoj se shqiptarët tashmë janë lodhur duke pranuar fatalisht se nuk mund të kenë një alternativë të vërtetë. Pas fenomenit WIKILEAKS ka shumë gjasa që figura të reja të shfaqen në horizontin e politikës shqiptare dhe të gjejnë përkrahje masive. Por mendoj se ka një lëvizje që mund ta bëjë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste konkurues të vërtetë, alternativë të vërtetë; të distancohet nga emrat e cilësuar si banditë nga diplomatët amerikanë. Të shporrë nga partia Ruçët, Doshët, Sterkajt dhe cilindo tjetër që është si ata. Kjo natyrisht që do jetë një veprim me kosto, pasi të tillë njerëz kanë klane dhe investojnë nga paratë e pushteti i tyre i pistë për të pasur përkrahje. Edi Rama kështu vërtet do humbë disa militantë të lidhur me krimin e shefave të tyre, por kjo është e vetmja mënyrë për të fituar shqiptarët. Le të na tregojë se është figurë e pastër dhe se qëllimi i tij i vërtetë nuk është thjesht kolltuku i kryeministrit, por ndërtimi i një shoqërie perëndimore dhe ecja e Shqipërisë përpara. Ky është shansi i tij.
