E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini fut në Asamble edhe Adriatik Zotkajn, rrahësin e Erjon Braçes

11-11-2011 / Gazeta 55

Mbyllet maskarada 5 ditore e Kongresit, Rama klonon Komitetin e ri Qendror të PS


Kryesocialisti Edi Rama njoftoi dje se ka përfunduar procesi i hajdutërisë së votave të delegatëve të Kongresit dhe se është arritur ndërtimi i listës së anëtarëve të rinj të Asamblesë Kombëtare. Rama pranoi me zotësi se në PS janë rikthyer një pjesë e larguarve me shkelma dhe të akuzuar për afera të rënda korruptive, ndërsa s’dihet ende se si do justifikohet për mos qasjen e liderit historik të PS, ish kryeministri Fatos Nano, ish kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi apo dhe ish Presidentin e Republikës, Rexhep Meidani. Të tre këto figura, me kontribute të rëndësishme gjatë 20 viteve në PS, por që nuk respektohen, madje përkundrazi shahen, fyhen dhe akuzohen në mënyrën më të paturpshme të mundshme nga hispanikët e Edvinit, thjesht e vetëm që t’i bëjnë fresk çmendurisë kurbanërore këtij të fundit. Kësisoj, maskarada e zgjedhjes së Asamblesë nuk është për Rilindjen e Vërtetë Shqiptare, por për kooptimin e falangave të krimit dhe korrupsionit, eksponentë me precedentë penal, duke ri-ngritur kështu formacionin e kleptokracisë, me mamuthin e korrupsionit, pagatori i protestave dhe varrmihësi i dosjeve të korrupsionit të Edi Ramës. Zgjedhja e anëtarëve të Asamblesë i ngjan më tepër një procesi shpërblimi për atë që shpura e korrupsionit dhe ryshfetit ka bërë për kryesocialistin, deri në zhdukjen e dosjeve mal. Kjo s’mbyllet më kaq, pasi maskarada ditën për diell, do vazhdojë me zgjedhjen e kryesisë dhe sekretariatin. Beteja e vërtetë e Ramës janë pikërisht këto dy forume, në të cilat aderojnë aktualisht një pjesë e mirë e kundërshtarëve të linjës së tij politike. Është e kuptueshme se çfarë kërkon të realizojë Rama me fushatën e tmerrshme të emërimit me gisht të delegatëve, renditjen e anëtarëve të Asamblesë në listën e fituesve me dorën e tij; thjesht të spastrojë kryesinë dhe sekretariatin, nga të padëshirueshmit.


Edvini fut në Asamble edhe rrahësin e Erjon Braçes/Deputeti i PS, njëherazi nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, me të drejtë shprehu dje rezerva, gjatë shpalljes së listës së fituesve të Asamblesë Kombëtare të PS. Si një javë më parë, edhe dje Braçe i ka kërkuar llogari Ramës se pse nuk janë në listën e Asamblesë, kandidaturat e propozuara prej tij. Mjafton të sjellim në vëmendje sherrin dhe grushtet që plasën në Kongresin e PS-së, fundjavën e kaluar, për të aktualizuar hallin e madh të Braçes. Rama s’ka ndërmend të kultivojë elita dhe personalitete të fushave respektive, por thjesht kërkon të dominojë koncepti i të fortit në çdo forum vendimmarrës të PS. Kjo për shantazhe dhe kërcënime në situata të ndryshme që lidhen direkt me mbijetesën politike të Edvinit. Dhe jo më kot, pikërisht rrahësi i Braçes (Adriatik Zotkaj) të shtunën e kaluar, dje (të enjten), mori bekimin për të qenë në listën e 120 anëtarëve të Asamblesë së Partisë Socialiste. Kjo sigurisht nuk është një lëvizje e rastësishme, pasi përpos manipulimit të delegatëve të Kongresit e deri në zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë, gjithçka ka qenë në funksion të planifikimit se çfarë do të ndodhë dhe si do të ndahen anëtarët, normalisht pikë së pari sipas servilizmit dhe qasjes klienteliste me kryesocialistin në detyrë. Kjo do të thotë se Braçe ka humbur dukshëm terren në qarkun e Beratit dhe s’do ishte surprizë të atakohej impakti i Fidelit (Yllit të PS), te Edi Rama dhe shpura e tij. Më konkretisht, të shtunën e kaluar, gjatë punimeve të Kongresit të PS, pati një përplasje mes Erjon Braçes dhe Adriatik Zotkajt (kryetar i bashkisë së Poliçanit) fillimisht verbale dhe më pas në konfrontime fizike. Shkak i incidentit ishte pikërisht lista e anëtarëve të Asamblesë së PS, të cilës i ishin hequr dy kandidaturat e propozuara nga Erjon Braçe, ndërsa ishte shtuar në mënyrë të papritur ajo e Adriatik Zotkaj, edhe pse direkt nuk vinte i propozuar nga ndonjë deputet i zonës së Beratit, pavarësisht se dyshimet janë të hapura për lidhjet e tij me Fidel Yllin. Pavarësisht problemeve personale të Braçes dhe Fidelit, ajo që është shqetësuese për PS-në, është mbizotërimi i konceptit të të “fortit” sa në Kongres ashtu edhe në Asamble, ndërsa dy sferat e paprekura ende, kryesia dhe sekretariati, do i nënshtrohen të zakonshmes “fshesë”. Dhe kështu kompletohet formacioni i mbizotërimit të kultit të individit.


Reagimi i PD: Rilindja e Vërtetë e Partisë Socialiste me yjet e reja, Caci, Xibri e Sollaku/Partia Demokratike e quajti programin e PS-së Rilindja Shqiptare, si Rilindja e Vërtetë e Partisë Socialiste me yjet e reja si Caci, Xibri dhe Sollaku. Zëdhënësja e PD, Albana Mustafaraj, tha dje se Rama shënoi rekord në historinë botërore, për numërimin e votave dhe klonimin e anëtarëve të Komitetit Qendror të PS. Sipas saj, Ramës iu deshën 5 ditë dhe 5 net për të numëruar 1 500 vota të delegatëve, çka gjithçka shkon përtej imagjinatës normale. “Sot më datë 10 nëntor Kryetari i PS Edi Rama, njoftoi anëtarët e Partisë së tij se përfundoi procesi i klonimit të Komitetit të ri Qendror të PS. Sot Edi Rama shënoi një rekord të ri në historinë botërore të numërimit të votave dhe klonimit të anëtarëve të Komitetit Qendror të PS-së. Për numërimin e votave të 1500 delegatëve klonarë të tij, zotit Rama iu deshën 5 ditë e 5 net apo 120 orë”, u shpreh Mustafaraj. Zëdhënësja e PD vuri në dukje se çdo njeri e ka të qartë se ky nuk ishte numërim, por thjesht klonim i udhëheqjes së re të PS-së, në radhët e së cilës shkëlqejnë si zifti i larë mamuthi i korrupsionit Caci, apo banania e Partisë, arkëtari i protestave të Ramës që shpërndante para kamerave paratë për mitingashët, por që gjysmën e mbante, si taksën e Ramës, për partinë dhe së fundmi një yll tjetër që nxin, Sollaku i korrupsionit që mbylli dosjet e Ramës dhe jo vetëm të tij, por të të gjithë nomenklaturës së kleptokracisë së PS. “Kjo, të dashur e të nderuar qytetarë ishte klonimi, Rilindja e Vërtetë e Partisë Socialiste me yjet e reja, Caci, Xibri e Sollaku, në udhëheqjen e re të saj”, përfundoi deklaratën e saj, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›