E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Është koha për t’i dhënë fund lojës me integrimin e vendit në BE”

11-11-2011 / Gazeta 55

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta


“Është koha për t’i dhënë fund lojës me integrimin e vendit. Është koha për t’iu kthyer qytetarëve dhe për një bashkëpunim më të ngushtë mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore”. Kështu u shpreh dje kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë mbledhjes së Kryesisë së kësaj force politike, duke shtuar se ka ardhur koha për fillimin e punës mbi realizimin e reformës zgjedhore. Meta kërkoi nga forcat politike që t’i jepen fund praktikave zvarritëse. “Tani është koha t’i lëmë mënjanë fjalët dhe retorikat. Dua t’i bashkohem thirrjes së ambasadorit të Prezencës së OSBE-së, thirrjes së bërë sot, lidhur me domosdoshmërinë për fillimin e menjëhershëm të punës për reformën zgjedhore e cila pritet nga të gjithë, pritet në mënyrë të veçantë edhe nga Bashkimi Evropian sepse është koha vërtet për të lënë mënjanë fjalët dhe retorikat dhe për të nisur një punë serioze, të përgjegjshme dhe në mënyrë institucionale, pra për t’i kthyer fjalët apo shqetësimet për zgjedhjet në vepra konkrete përmes një reforme transparente dhe gjithëpërfshirëse. Ne nxisim fort dialogun politik, ashtu sikurse nuk mund të pranojmë që për hir të dialogut për dialog të vonohen reformat e mëdha që duhet të përmbushim të gjithë së bashku duke nisur nga më e rëndësishmja, pikërisht reforma zgjedhore”, u shpreh Meta. Sipas Metës, duhen respektuar dy parime themelore, gjithë përfshirja dhe transparenca. Sipas Metës, vonesat e deritanishme janë të pajustifikueshme dhe është koha për t’u hedhur në veprime konkrete. Meta përshëndeti dhe të zgjedhurit në qeverisjen vendore, sidomos për të gjithë të zgjedhurit në fazën e dytë të zgjedhjeve vendore për në Këshillat e qarqeve. Ai vuri në dukje se nga zgjedhjet e 8 majit, bilanci i LSI-së është më pozitiv se asnjë herë tjetër me rreth 600 këshilltarë të zgjedhur në këshillat e komunave, të bashkive dhe të qarqeve dhe me 25 drejtues të njësive vendore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›