“Qeveria, e gatshme të përmbushë kriteret e BE, opozita të votojë ligjet”
Berisha – Sannino
Kryeministri Berisha priti dje në një takim Stefano Sannino, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian. Sannino e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen, si dhe për përpjekjet dhe qëndrimet konstruktive në lidhje me përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian. Sannino vlerësoi hapat e bërë kohët e fundit në drejtim të zgjidhjes së një numri çështjesh të shtuara nga prioritetet e BE-së.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi Sanninon dhe delegacionin e BE-së për kontributin e dhënë në çuarjen përpara të dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme, në kuadër të trajtimit të rekomandimeve të KE-së. Kryeministri vlerësoi se puna e mirë dhe arritjet e kohëve të fundit kanë hasur në vështirësi të cilat kapërcehen me dialog konstruktiv. Ai e siguroi Sanninon se qeveria shqiptare ka vullnet të plotë për të finalizuar me sukses të gjitha përpjekjet për përmbushjen e 12 prioriteteve dhe se mazhoranca do të tregojë vullnet maksimal në gjetjen e konsensusit, duke respektuar parimet, standardet dhe rregullat në fuqi.