E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu shton presionin mbi anëtarët e KLD-së

11-11-2011 / Gazeta 55

Transferimi i Artan Gjermenit në Tiranë


Transferimi nga Elbasani në Tiranë, i Artan Gjermeni, gjyqtarit të shumëpërfolur, duket se është shndërruar në qëllim të vetëm për Kreshnik Spahiun, nënkryetarin e KLD-së. Në tentativë të përmbushjes ë këtij qëllimi, Kreshnik Spahiu, me bekimin edhe të kreut të KLD-së, Bamir Topi, ka shpeshtuar ditët e fundit, deri në kufijtë e presioneve mbi anëtarët e KLD-së, përpjekjet e tij për transferimin e Artan Gjermenit. Vendimi për transferimin e Gjermenit, gjyqtarit të përmendur për lidhjet me bandën e Aldo Bares, për ortakëri me PS si dhe për afera korruptive, është marrë disi më herët nga dyshja Spahiu-Topi, të cilët vetë janë në muzg të mandatit të tyre institucional. Tentativa më e fundit e dyshes së KLD-së, është tregues i mosndaljes së ortakërisë së ekzekutivit të drejtësisë (KLD-së) me të gjitha ato fraksione që mundësojnë rrjedhjen e financave në shkëmbim të lëvizjeve të tilla si lirimi i eksponentëve të krimit të organizuar apo qarkullimi me ngritje i gjyqtarëve të lidhur me ta. Rastet e procedurës që lidhen me gjykimin e Aldo Bares, apo problematika që shoqëruan gjykimet e bandës së Lul Berishës dhe të një sërë eksponentësh të krimit të organizuar, ndërthuren bukur me “qeverimin” që KLD-ja e Spahiut dhe e Topit po i bën trupës së gjyqtarëve. Lëvizjet e tyre janë vlerësuar prej një raporti të EURALIUS-it si një shembull i qartë i skemës korruptive. Por në vend të reagimit, tashmë në perëndim të mandateve të binomit që drejton KLD-në, duket se po ndërmerret edhe hapi i madh, ai i rehabilitimit të gjyqtarit, emri i të cilit u bashkëshoqërua me atë të Aldo Bares për dy vite me radhë dhe që solli edhe ngrirjen e mandatit të tij në KLD. Këtë herë, duket se Artan Gjermeni s’e ka për shumë problem këtë asociim, sesa për faktin se duket se s’i pëlqeka shumë klima e Elbasanit, atje ku ai edhe është në profesion dhe kërkoka ardhjen e tij në Tiranë, atje ku mund të “shërbejë” më shumë e të “vlerësohet” më shumë. Dhe kjo kërkesë është e kapërdishme, bile e mirëpritur nga binomi që drejton KLD-në, saqë as asosacioni me Aldo Baren, as polemika për fushat sportive që trashëgoi nëna e tij e as letrat e qindra lushnjarëve që e akuzonin për aktivitetin e tij gjatë kohës kur ai ishte kryetar i gjykatës së Lushnjes (të njëjtat vite, kur atje “qeveriste” “komisariati nr. 2” i Aldo Bares), nuk e trembin dyshen Spahiu-Topi. Ata janë në muzg të mandateve institucionale dhe po mendojnë për më pastaj, për “aventurën” politike, e cila siç pritet jo veç do t’u kërkojë shumë energji, por edhe shumë financa. Pra, le të mirëpritet edhe kërkesa e Artan Gjermenit për t’u rikthyer në Tiranë, pasi siç thonë edhe të mirinformuarit me protagonistët e Konferencës Gjyqësore, ish-kryegjyqtari i Lushnjes di se si t’i shpërblejë nderet. Pra ai kthehet në Tiranë, më pranë “klientëve” të tij në nevojë, kurse të zotët e transferimit, marrin kambialin e këtij vendimi. Më qartë se kaq, s’ka si të shfaqet ortakëria e tandemit që ka qeverisur këto vite sistemin e drejtësisë, atë sektor që vazhdimisht është vënë në shënjestër të kritikave të Brukselit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›