E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Arvizu: Për integrimin në BE, politika të vendosë të mirën e vendit para ambicieve personale

11-11-2011 / Gazeta 55

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar dje se demokratizimi nuk është një proces i lehtë dhe për të është i nevojshëm kontributi i të gjithëve. Arvizu ka ripërsëritur thirrjen për bashkëpunim dhe dialog, në funksion të integrimit europian të vendit. “Demokratizimi nuk është një proces i lehtë, në mënyrë të veçantë për një vend si Shqipëria, që ka përjetuar një sistem autokratik për gjenerata të tëra. Kjo kërkon durim, bashkëpunim dhe vullnet për të vendosur të mirën e vendit para ambicieve personale”, tha ai. Përfaqësuesi zyrtar i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, theksoi se reformat kanë mundësuar ecjen përpara në integrimin europian të vendeve të rajonit. Arvizu, theksoi se Shqipëria ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe shumë miq dhe aleatë në Europë dhe rajon, mbështesin aspiratat integruese të Shqipërisë dhe i kanë ofruar një udhërrëfyes drejt integrimit. Ato mbështeten tek 12 rekomandimet e Bashkimit Europian. Në shumë sfida që qëndrojnë në rrugën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë asnjë mëdyshje mbi atë çfarë duhet bërë. Integrimi evropian është një përgjegjësi kolektive dhe do të jetë përfitim i përbashkët”, tha ai Ambasadori Arvizu ka përcjellë këto reflektime gjatë konferencës ndërkombëtare, “Demokratizimi i mëtejshëm i rajonit si kriter për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›