E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini injoron ultimatumin e Metës, pranon ndarjen e opozitës në dy pjesë

Vazhdon dhe thellohet hendeku ndërmjet Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, megjithëse teorikisht në largësi shkëmbehen mesazhe reciproke për bashkim ndërmjet dy grupeve politike, por në praktikë urrejtja brejtëse e Metës ka arritur kulmin e moralizimit politik. Në këtë aspekt, vetëm dy ditë më parë Meta, megjithëse i vetëm, hodhi tezën konspirative duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese dhe për këtë kërkoi referendum popullor me 28 firma që do të mblidhte për të përgatitur kërkesën. Gjatë disa ditëve me radhë, thirrjet për bashkim kanë qenë reciproke, por në asnjë rast nuk janë marrë me seriozitet, madje Rama shpresh herë ka reaguar duke i konsideruar ato thjesht si “politikë e Metës për të më nënshtruar dhe për të synuar karrigen e kryeministrit të vendit në zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Në këtë aspekt, shihet qartë se avanguarditeti tipik populist në partinë e Metës dhe në ngrehinën e Ramës, është futur në një amulli të plotë dhe të dy krahët vuajnë nga paqartësia ideore dhe mungesa e efektshmëria vepruese ditore politike. Edhe dje, Partia Socialiste i ka bërë thirrje kreut të LSI-së, Ilir Meta, që të bashkohet me forcën më të madhe opozitare në vend, me qëllim fitoren në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Kësisoj, zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, u shpreh, se “Ilir Meta nuk është kundërshtari ynë, por aleati që ka humbur rrugën dhe qetësinë”. “Përrallën e bashkimit të Ramës me Berishën nuk e beson as vetë Ilir Meta, që nuk ka gjetur dot asgjë më të hajrit për t’u treguar shqiptarëve të mërzitur nga 17 vjet politikë shpifjesh, akuzash, sherresh e sherrxhinjsh”, tha ajo. Ajo ftoi Metën e indinjuar për t’u bërë pjesë e politikës populiste të Ramës dhe të flakë tutje armët e politikës së vjetër, duke ndalur diversionet, shantazhet dhe ultimatumet për Partinë Socialiste dhe të kontribuojë pozitivisht, bashkë me të tjerët, në zgjerimin e frontit opozitar për të fituar zgjedhjet e vitit 2009. Ndërsa nga ana tjetër, në të njëjtën linjë ka vepruar edhe Meta, duke i bërë thirrje Ramës që të largohet nga bashkëpunimi me Berishën dhe të lihen reformat, pasi situatë më emergjente është bashkimi i së majtës dhe rrëzimi i Berishës nga pushteti. Por i menjëhershëm ka qenë kundërreagimi i Ramës që nga Postriba e Shkodrës, i ka konsideruar thirrjet e Metës si pjesë të lojës së tij për të fituar kapital politik dhe për të sfiduar atë nga roli kryesor në opozitë. Edvini ka deklaruar se nuk i intereson bashkimi politik, sic kërkon Meta, por bashkimi i njerëzve përtej ngjyrimeve partiake dhe se kreu i LSI-së, është i mbërthyer nga ambiciet dhe xhelozitë e panumërta për shkak të bashkëpunimit të efektshëm të forcave politike në vend, në dobi të realizimit të reformave. Ndërsa, nga Përmeti, Meta ka përsëritur idenë e tij për të marrë deputetë nga ngrehina e Edvinit. Meta ftoi edhe deputetin e Përmetit dhe të gjithë deputetët e tjerë të ndahen nga puçi i Berishës dhe i Ramës. Më pas duke ju drejtuar të pranishmëve Meta ka renditur një sërë arsyesh për të cilat sot qytetarët duhet të dalin në protesta masive për të larguar njëherë e mirë këtë qeveri, e cila dita-ditës po mashtron dhe varfëron popullin. Reagimi i PS-së ka qenë që Meta të lerë pas thirrje të tilla dhe të shohë shqetësimet reale të vendit. “Mllefi i pushtetit nuk po e lë Metën të shohë shqetësimet e shqiptarëve”, theksoi Kodheli. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, ka kritikuar turin e Ramës, duke e vlerësuar si “këta individë të papërgjegjshëm në lidershipin e PS që flasin lart e poshtë se si rritet kastraveci e domatja mendojnë se sipas tyre është kjo rruga e duhur, ne u themi se është vetem një rrugë për të ruajtuar shtetin nga shkatërrimi i themelit të tij”. “Kjo është mbrojtja e kushtetutës së tij, ku në themel të saj janë investuar mbi 2 milionë shqiptar”, tha Vasili. Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli dy ditë më parë, publikisht iniciativën e saj politike për një kompromis të madh për mbrojtjen e themelit të shtetit shqiptar, që është Kushtetuta. Ky kompromis kërkon që duke mos prekur ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me Reformën zgjedhore, me kërkesën e 28 deputetëve të mbahet një referendum popullor për të ndryshuar atë që, sipas Vasilit është një mënyrë puçiste u gatua në sallën e parlamentit duke kthyer me votat e deputetëve të PS dhe PD, Berishen në sundimtar. “LSI vlerëson se socialistët e vonë dhe të qelepirit që kanë uzurpuar lideshipin e Partisë Socialiste dhe që i lidh me PS vetëm shpërdorimi për interesat e tyre personale i pushtetit dhe sakrificave të mijëra socialistëve që me përpjekjet e tyre larguan Berishën nga pushteti, e kanë shumë të vështirë që ti shpëtojnë kapjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me Berishën në dëm të së majtës”, ishte replica e radhës e Vasilit. Kësisoj hendeku i thellë, ndërmjet LSI dhe PS-së ka hyrë në faza të përshpejtuar në luftën e ashpër të gjuetisë së shtrigave, që Meta dhe Rama i kanë shpalluar njëri-tjetrit. Këto zhvillime, pritet të intensifikohen edhe më tej në ditët e ardhshme deri në betejën filnale, Rama-Meta.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›