Gjermania konfirmon mbështetje ekonomike dhe politike të pakushtëzuar për Shqipërinë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta takohet në Berlin homologun e tij gjerman Guido Westerwelle. Ratifikimi i vendimit për heqjen e vizave, do të merret, sapo KE të njoftojë mbylljen e kritereve
Qeveria gjermane shprehet se Shqipëria ecën e sigurt drejt aspiratave të integrimit dhe kjo falë reformave dhe përkushtimit të ekzekutivit shqiptar.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta gjatë një takimi të zhvilluar në Berlin me homologun e tij gjerman, zëvendëskancelarin dhe ministrin e Jashtëm, Guido Westerwelle, ka marrë konfirmimin për mbështetje të plotë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në BE.
Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi shumë i mirë politik dhe ekonomik dypalësh dhe u shpreh vullneti i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të tij, përmes investimeve gjermane në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e energjisë, duke nxitur bizneset e vogla e të mesme. Gjithashtu, u vlerësua bashkëpunimi dypalësh mes strukturave përgjegjëse në luftën kundër krimit të organizuar.
Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, ministri Westerwelle theksoi rëndësinë e dialogut politik dhe kapërcimin e mosmarrëveshjeve midis palëve brenda Parlamentit, pasi mirëfunksionimi i tij është shumë i rëndësishëm për reformat që kërkon integrimi evropian i vendit.
Ministri Meta u shpreh se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për çdo çështje që ka të bëjë me interesin e vendit dhe integrimit evropian, dhe të plotësojë të gjitha kërkesat e saj në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Për sa i përket integrimit evropian, Meta e informoi Westerwelle lidhur me dorëzimin e përgjigjeve shtesë të Pyetësorit të Komisionit Evropian, dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv me Komisionin në këtë proces.
Gjithashtu, ai shpjegoi hapat e ndërmarra për mbylljen e tre nën-çështjeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, në mënyrë që vendimi për kalimin e Shqipërisë në Listën e bardhë “Schengen” të realizohet sa më parë.
Zëvendëskancelari dhe ministri i Punëve të Jashtme, Westerwelle konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave, sapo Komisioni të ketë konfirmuar përmbylljen e plotë të të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit. Njëkohësisht, Westerwelle shprehu mbështetjen e vendit të tij për integrimin evropian të Shqipërisë.
Gjatë bisedimeve rreth zhvillimeve rajonale, Westerwelle vlerësoi politikën konstruktive të Shqipërisë në rajon. Në këtë kuadër, Meta dhe Westerwelle shkëmbyen mendime lidhur edhe mbi konkluzionet e Takimit të Nivelit të Lartë të Sarajevës, duke e vlerësuar atë si një nxitje tjetër për të inkurajuar vendet e rajonit në zbatimin e reformave integruese dhe zgjidhjen e problemeve bilaterale nën frymën evropiane.
Në këtë kontekst, z. Meta theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në Takimin e Sarajevës ishte një hap përpara në integrimin e rajonit dhe nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në të gjitha iniciativat integruese, pasi Shqipëria mbështet në radhë të parë një Kosovë evropiane, si faktor stabiliteti për të gjithë rajonin.
Në përfundim, Meta e ftoi Westerwelle për një vizitë në Shqipëri, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.
Meta-Kopp: “Shqipëria progres të madh ekonomik, Gjermania nuk do ta shkurtojë ndihmën”
Me gjithë krizën ekonomike dhe kursimet e mëdha Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë. Kjo u bë e qartë gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm shqiptar Ilir Meta në Berlin.
200 milionë Euro ka planifikuar të shkurtojë ministria gjermane e zhvillimit dhe bashkëpunimit ekonomik, por pjesa që i takon Shqipërisë nuk do të preket, i tha Deutsche Welles sekretarja e shtetit Gudrun Kopp.
“Me Shqipërinë ne kemi një bashkëpunim të qendrueshëm prej tashmë dy dekadash dhe në vitet e ardhshme 2010 deri në 2012 kemi rënë dakord për një shumë prej 72,2 milionë euro për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit”, saktësoi ajo.
Protokolli i bashkëpunimit bilateral është nënshkruar para disa javësh në Tiranë dhe parasheh një ndihmë të mëtejshme të Gjermanisë në sektorin e ujësjellësve, të kualifikimit profesional, apo energjetik.
Më shumë investime gjermane
Ministri shqiptar i punëve të jashtme Ilir, Meta me këtë rast theksoi se ky bashkëpunim ndërmjet dy qeverive duhet të pasohet nga më shumë investime në vend.
Pas takimit ai tha se “shumë e rëndësishme për të ardhmen mbetet jo vetëm bashkëpunimi ekonomik midis dy qeverive, por edhe nxitja e interesave ekonomike dhe të biznesit, sidomos në drejtim të inkurajimit të më shumë investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri. Në energji, infrastrukturë, turizëm dhe në shumë fusha të tjera. Për këtë ne kemi rënë dakord për të intensifikuar aktivitetet e përbashkëta në të ardhmen edhe në Shqipëri, edhe në Gjermani”, u shpreh Meta.
Një impuls në drejtim të rritjes së marrëdhënieve tregtare pritet të japë edhe marrëveshja bilaterale për bashkëpunimin detar, e cila po ashtu nënshkruhet në Berlin gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Ilir Meta.
Meta u shpreh edhe për më shumë bashkëpunim ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
“Pasi dihet se investitorët gjermanë kanë interes të investojnë në të gjithë rajonin dhe ata dhe unë e sigurova sekretaren e shtetit se Shqipëria është një vend, i cili po fiton një rëndësi gjithnjë e më të madhe strategjike për investitorët e huaj”, tha ai.
Lufta kundër korrupsionit
Me vëmendje po vëzhgon Gjermania luftën e qeverisë shqiptare kundër korrupsionit: “Kjo është një temë e vazhdueshme në Parlamentin Gjerman dhe u binda se qeveria shqiptare, së bashku me strukturat legale në vend, po përpiqet të arrijë përmirësime”, vlerësoi Kopp më tej.