Edvini, me vilë të padeklaruar në Dardhë, në media shet përralla për të pastrehët
Edvini hiqet si politikan që mbron të pastrehët e të paprivilegjuarit, por krejt platformën e gënjeshtrave ai e shpall nga Kulla e Pezës, por edhe nga vila e Dardhës, të cilën nuk e ka deklaruar si pasuri, por e shpall se i është falur një partnereje të tij, me të cilën ai nuk jeton më
Përpjekjet e Edvinit për t’i dhënë fushatës elektorale përmasën morale që do të mund t’i garantonin atij pretendimin për t’i dhënë një shans me 28 qershor janë rrënuar nga lista e frikshme klienteliste e lejeve të ndërtimit, por tashmë edhe në rrënimi i imazhit të tij si një politikan i paprivilegjuar. Kryeministri Sali Berisha gjatë një deklarimi mediatik denoncoi dje sjelljet prej jopolitikani dhe nekropolitiku të Edvinit, duke e quajtur si të pafytyrë marrjen e pozave elektorale në krah të ndonjë të pastrehu, kur vetë sapo kishte ardhur nga vila e tij e padeklaruar në fshatin turistik të Dardhës. Ndaj deklaratës, kryetari i PS-së nuk reagoi, me shpresën se deklarata do të mbulohej nga ritmi i fushatës elektorale, megjithatë, gazeta do të ofrojë një këndvështrim më të gjerë të zakoneve prej “borgjezi” që ka “proletari” që drejton Partinë Socialiste. Prej vitesh, Edvini ka ndërtuar (kuptohet, me kleringun e sekserizmës, që i garantojnë lejet e ndërtimit), një vilë luksoze dykatëshe në fshatin turistik të Dardhës, në qarkun e Korçës, të cilën për disa vjet e mbajti si objekt adhurimi për miqtë e tij, kur shtronte edhe dreka e darka intime (kryesisht darka). Më tej, kur standardet e shtetit demokratik nisën të përmbushën dhe Edvinit iu kërkua që të vërtetonte se ishte ai politikani e pushtetari me vlerat morale që pretendonte se kishte, ai u detyrua të kamuflohej dhe vilën në fjalë nuk e përfshiu në deklarimin e tij të pasurisë. Njëherë ai u deklaroi autoriteteve se vila s’ishte fare e vetja, më vonë, kur duket se investigimi do të ishte një detyrë shtetërore, por edhe një joshje për kundërshtarët politikë, deklaroi se vila tashmë nuk ishte e tija, por i ishte shitur partneres së tij (ky është termi që përdor sot e gjithë ditën Edvini për njerëzit me të cilët bashkëjeton), por më vonë, kur e kuptoi se edhe shitja kërkonte një procedurë ligjore, deklaroi se gjithçka ishte e falur. Më vonë ai refuzoi të thoshte se kishte ndonjë lidhje me vilën e Dardhës, por kjo s’e pengoi që të vinte vazhdimisht tek ajo, bile edhe kur ai e kishte prishur marrëveshjen e bashkëjetesës me njeriun të cilit thoshte se i ishte falur ndërtesa luksoze. Edhe para ca ditësh, mendohet se ai erdhi prej andej, kur nisi të shpërndante kasetat me pozime me shqiptarë nën nivelin e varfërisë apo edhe me të pastrehë, por nuk harroi të përmendte faktin se asnjë qytetar i pastrehë nuk është pajisur me shtëpi nga bashkia e Tiranës, bile kalecët e Edvinit ushtrojnë edhe dhunë mbi ta, kur ata nisen të kërkojnë në bashkinë e Tiranës, në vendin që thuhet se duhet të jetë “godina e popullit”. Me afrimin e 28 qershorit, Edvini ka gjithë interesin të hiqet si ai politikani që mbron shtresat e paprivilegjuara, që mbron të papunët e të pastrehët, por krejt kjo politikë e gënjeshtërt arkitektohet te Kulla e Pezës, por fundjavave edhe tek vila borgjeze e Dardhës së Korçës.
...