E Hënë, 2 Nëntor 2026

Amfiteatri i Durrësit i ngjashëm me atë të Veronës, një park arkeologjik dhe urban


Amfiteatri antik i Durrësit dhe të tjerë të zbuluar në vende të ndryshme të Ballkanit, janë vënë sot në qendër të një diskutimi shkencor ndërkombëtar, organizuar nga Universiteti i Riminit (Itali), CEI (Nisma e Evropës Qendrore), si dhe një sërë universitetesh italiane. Në këtë veprimtari marrin pjesë specialistë dhe arkeologë të njohur nga Italia, Austria, Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Serbia, Sllovenia dhe Bosnje-Hercegovina. Prof. Massimo Bianchi, drejtues i seminarit, tregoi se në të gjithë pellgun mesdhetar janë zbuluar deri tani 54 amfiteatro romanë të përmasave të ndryshme, një pjesë e të cilëve ndodhen në vendet e Ballkanit. "Përvoja pozitive e krijuar në Itali, duke kthyer amfiteatrin e Veronës në një qendër jo vetëm muzeale, por dhe në arenë të koncerteve dhe spektakleve, pa i humbur vlerat arkeologjike të monumentit, përbën një prej temave më të rëndësishme në seminarin e sotëm", tha prof. Bianchi. Ndërsa Prof. Sara Santoro, bashkëdrejtuese e misionit arkeologjik "Durrësi", tha se në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe shkencore shqiptare prej 5 vitesh amfiteatri i Durrësit ka qenë në qendër të ekspeditave italo-shqiptare. Gjatë këtyre ekspeditave janë zbuluar një sërë objektesh me vlerë, duke sqaruar dhe periudha të veçanta të jetës qytetare, janë kryer analiza dhe rilevime me aparatura bashkëkohore për përcaktimin e përmasave dhe gjendjes aktuale të tij. "Krijimi aty i një parku arkeologjik urban, që bashkë me amfiteatrin do të ketë dhe muret bizantine, forumin rrethor, Torrën mesjetare dhe muzeun arkeologjik, përbëjnë një pjesë të projektit të madh që po zbatohet në qytetin 3000-vjeçar të Durrësit", tha Santoro. Sipas saj, një tjetër projekt modern që parashikon transforimimin e monumentit më të madh të antikitetit në Shqipëri në një qendër të vizitueshme muzeale dhe arenë të hapur të spektakleve me një kapacitet 1500 spektatorë, është paraqitur dhe në panaire të mëdha si ai i Tokios. Santoro shtoi se pas ekspeditave verore në vitet 2004-2008, pritet që në muajin shtator në amfiteatrin e Durrësit misioni arkeologjik italo-shqiptar të zhvillojë gërmime në pjesën juglindore të tij. Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar në fund të shekullit të I p.e.s. Funksionet e tij si arenë dyluftimesh mes gladiatorëve kanë përfunduar në shekullin e 4-t, ka përmasa të krahasueshme me amfiteatrot mesatarë të zbuluar në pellgun e Mesdheut. Kapaciteti i amfiteatrit të Durrësit arrinte në afro 20 mijë spektatorë. Rrënojat e tij nisën të zbulohen në vitin 1966 nga arkeologu i njohur durrsak, Vangjel Toçi.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›