Berisha: Minoriteti të votojë PD, jo Vangjel Tavon
Gjirokastër/Sarandë
Pasi u kërkoi votat socialistëve, kryeministri Sali Berisha ka bërë të njëjtën gjë edhe me minoritetin, i cili në zgjedhjet e fundit ka votuar në masë për PBDNJ-në, tashmë aleate e Partisë Socialiste. Nga Dropulli i Sipërm, ku këtë vit kandidojnë Spiro Ksera për PD-në dhe Vangjel Tavo për PS-në, kreu i qeverisë bëri thirrje për të mbështetur koalicionin e djathtë. “Bëjeni vetë zgjedhjen. Jam i bindur se ju do të votoni për Spiro Kserën, sepse Vangjel Tavo, më shumë se interesat e Golës, nuk ka parë interesa të tjera. Ju këtë e keni vetë parasysh. Sërish ai do të shkojë tek interesat e Golës. Prandaj, votat mos i jepni për Golën, por jepini për Spiro Kserën”, u shpreh kreu i demokratëve. Në të njëjtën kohë ai vlerësoi edhe kandidatin tjetër të PD-së, ish-zyrtar i lartë i PBDNJ-së, Kosta Barka, për të cilin tha se ndjeu keqardhje kur kreu i kësaj partie, Vangjel Dule i kërkoi ta shkarkonte nga posti i ministrit të Punës. Nga minoriteti, kreu i qeverisë udhëtoi drejt Ksamilit, për të cilin premtoi se gjatë mandatit të dytë do të jetë Bashki. Më pas Berisha inspektoi, vënien në shfrytëzim për mjetet të 7.5 kilometrave të segmentit të parë të rrugës Qafë Bot – Sarandë, nga fshati Shkallë deri në pikën doganore Qafë Bot. Kryeministri u ndal në projektet rrugore të ndërmarra në këtë zonë, duke përmendur këtu ndërtimin e rrugës Kardhiq – Delvinë, ndërtimin e rrugës Tepelenë- Levan, zgjerimin e rrugës Delvinë – Sarandë, etj. “Qeveria është tërësisht e përkushtuar për rindërtimin e të gjithë infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Para disa ditësh, inaugurova fillimin e punimeve për autostradën Shkodër-Podgoricë, ndërkohë që ne do të realizojmë ndërtimin me katër korsi të rrugës nga Shkodra në Vlorë. Qëllimi ynë është që të kompletojmë infrastrukturën rrugore të vendit”, u shpreh Berisha. Në fund të vizitës në jug të vendit kreu i ekzekutivit u ndal në Delvinë dhe Sarandë, pjesë e Qarkut të Vlorës, nga ku do të dalin 12 deputetë. Berisha bëri thirrje për një bashkim të të gjithë qytetarëve, për të garantuar, siç tha ai heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë dhe furnizimin 24 orë me ujë. “Të bashkohemi për të ndërtuar në Sarandë shërbime dhe sistemin arsimor më modern. Të bashkohemi për të rritur rrogat dhe pensionet e qytetarëve të Sarandës dhe të mbarë Shqipërisë. Të bashkohemi së bashku për të garantuar furnizim me ujë 24 orë të qytetarëve të Sarandës dhe të mbarë Shqipërisë. Të bashkohemi së bashku për të mbështetur fermerët e Sarandës, Për të vendosur Sarandën dhe fushat e saj dhe të mbarë Shqipërisë nën ujë”, vijoi kreu i qeverisë. Në fund ai i bëri thirrje të gjithë emigrantëve që në 28 qershor të vijnë në Shqipëri dhe të votojnë nr. 10, për ta përgatitur, sipas Berishës, për anëtarësim në BE.