Velipojë, plagoset shoferi i kryetarit të komunës
VELIPOJE – Plagoset me tytën e një pistolete shoferi i kryetarit të komunës Velipojë. Ngjarja ndodhi në komunën bregdetare, rreth 2 orë para nisjes së mitingut elektoral të kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas burimeve të policisë, shoferi i kryekomunarit, Fran Vila ndodhej në makinë, në plazhin e Velipojës, kur autori Pllumb Gj., administrator i një lokali në zonë i ka dalë para duke e ndaluar. Nuk dihen arsyet e grindjes, por mes tyre ka nisur një debat me fjalë e më pas autori ka nxjerrë një pistoletë, duke e qëlluar me tytën e saj Vilën. Gjatë këtij veprimi, arma ka bërë shkrehje, por fatmirësisht plumbi nuk ka lënduar njeri. Mësohet se i lënduari ka përfunduar në spitalin e Shkodrës me plagë, por pa pasojë për jetën, ndërsa personi, megjithëse u identifikua, u shpall në kërkim nga policia. Për këtë ngjarje reagoi menjëherë PD-ja e Shkodrës, duke e quajtur atë si provokative nga njerëz të PS-së në Velipojë. Ndërkohë, PS-ja lokale deklaroi se ajo nuk ka asnjë lidhje me personin që ka plagosur me mjete të forta Fran Vilajn, duke shtuar se ai nuk është as simpatizant dhe as anëtar i PS-së.