E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini shpall lidhjen poligamike me Gjinushin dhe Veliajn

Kryetari në detyrë i PS-së është dorëzuar përpara presionit të Skënder Gjinushit dhe Erion Veliajt, të cilët kërkonin ekskluzivitetin e marrëdhënieve, dhe ka shpallur dje marrëdhënien poligamike me të dy, për hir të krijimit të një koalicioni të qendrueshëm politik. Shuhen xhelozitë mes të vjetrit dhe të riut, ndërkohë që për Paskal Milon s’ka mbetur rol tjetër përveç atij të voyaeur-it

TIRANE - Kryesocialisti Edi Rama ka thirrur dje ne një tryezë poligamie të përbashkët aleatet e mbetur politikë, ku nuk kanë munguar as Skënder Gjinushi dhe Erjon Veliaj. Qëllimi i këtij takimi ishte sanksionimi i nekrofilisë, si pikënisje e fushatës elektorale, më 15 mars, ditën e përvjetorit të parë të tragjedisë së Gërdecit.
Pas takimit përfaqësues të këtyre grupimeve recituan njëri pas tjetrit refrenin e politikës së re që do të evitojë ndodhjen e çfarëdolloj incidenti tragjik në të ardhmen, ndërsa kreu i G 99 Erion Veliaj me shumë dëshirë kreu rolin e violinës së parë në sulmet e radhës ndaj Ilir Metës dhe Sali Berishës.
Me përjashtim të kreut të Demokracisë Sociale, Paskal Milo, drejtuesit e tjerë të këtij koalicionit, Rama, Gjinushi dhe Veliaj u treguan shumë të zellshëm në ironizimin e protestës paralele që do të zhvillojë ditën e premte edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, një akt ky që sipas kryesocialistit vendos një vijë të qartë dhe të pakapërcyeshme demarkacionit mes dy grupimeve të së majtës. Asnjëri prej tyre s’ka preferuar të bëjë komente nëse kishte vend për miratimin e një projekti të përbashkët politik, ku të përfshihej edhe LSI-ja, ndërkohë që Skënder Gjinushi dhe Erion Veliaj s’munguan të konfirmonin se nuk e kishin për gjë të ndanin së bashku mbështetjen politike për Edi Ramën, pra këtë poligami politike të institucionalizuar. Më herët, shtypi pat folur për shpërthimin e polemikave në gjirin e koalicionin ylberist, meqenëse Gjinushi, si edhe më herët, e ka shumë problem që të sanksionohet si numri dy i koalicionin të së majtës. Por ashtu si edhe herët e tjera, kur rivaliteti ishte me LSI-në, sërish Gjinushi s’ka mundur që shtrarin e opozitës ta ndajë i vetëm, prandaj i është dashur që të kënaqet me një marrëveshje poligamike, ku politikat opozitare do të konsultohen e ekzekutohen prej Edvinit, herë duke zhvilluar konsultime me të, e në të shumtën e rasteve, duke u konsultuar privatisht me aleatin e ri, Erion Veliaj. Në këtë hartë politike, duket se s’ka shumë vend për Paskal Milon, prandaj edhe i vetmi rol që atij i mbetet të luajë është ai i voiayeur-it. Politik, nënkuptohet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›