E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat e përgatitura në farmaci, higjiena problem për pacientët



Emanuela Sako

Barnat e përgatitura në farmaci shpeshherë janë bërë një rrezik për shëndetin e pacientëve. Kjo ndodh në rastet kur farmacistët nuk përdorin dozat e duhura për çdo element që nevojitet për përgatitjen e medikamentit. Farmacistët shprehen se ka ndodhur që pacientët kanë pasur probleme shëndetësore. Sipas tyre, kjo ka ndodhur si pasojë e shtimit të elementeve në përgatitjen e medikamentit. Për të shmangur këtë situatë, farmacistët duhet të kenë parasysh mënyrën e përgatitjes së medikamenteve dhe dozat e përdorura sipas rregullores që parashikohet në formularin farmaceutik. Përgatitja e disa preparateve të veçanta është e lejuar nga MSH-ja. Shumica e medikamenteve që përgatiten në farmaci shërbejnë kryesisht për trajtimin e lëkurës apo problemeve të tjera në sipërfaqe të saj.
Rregulli
Për përgatitjen e barnave në farmaci ekziston një rregullore e qartë për të gjithë punonjësit. Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka paraqitur rregulloren, e cila parashikon që barnat e përgatitura në farmaci të bëhen sipas formularit farmaceutik dhe recetës së mjekut dhe nuk kërkohet autorizim i veçantë. Kjo do të thotë që mjeku orienton nëpërmjet recetës pacientin, i cili duhet të paraqitet në farmaci për të marrë medikamentin përkatës që do të përgatitet nga farmacisti. Formulari farmaceutik miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe zbatohet nga farmacistët. Por, shpeshherë neglizhenca e farmacistëve bën që një pjesë e qytetarëve të kenë probleme me preparatet e përdorura.
Kontrollet
Kjo nuk është hera e parë që farmacitë bëhen problematike për qytetarët dhe për vetë autoritetet shëndetësore. Problemet janë nga më të ndryshmet, duke nisur që nga abuzimi me barnat dhe nga shkelje të tjera. Nga ushtrimi i kontrolleve nga ISKSH-ja gjatë muajve të fundit janë konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuale nga ana e disa subjekteve farmaceutike. Nga kontrollet me inventarizim në 4 farmaci të rajonit Dibër janë konstatuar diferenca në plus për disa barna të rimbursuara, ku në zbatim të kontratës janë vendosur masa zhdëmtimi në vlerën 196942.1 lekë. Kështu, në rajonin e Dibrës janë konstatuar: qarkullim i barnave të listës së rimbursueshme pa pullën e kontrollit të MSH-së, parregullsi në regjistrimin e faturave në regjistër brenda afateve të përcaktuara në kontratë, prania e librezave të shëndetit të pacientëve në mjediset e farmacisë pa praninë e tyre dhe diferenca në minus të pajustifikuara me receta të rregullta pa rimbursim. ISKSH-ja ka marrë masa ndaj këtyre subjekteve sipas shkeljeve përkatëse që janë bërë. Një ndër masat e marra është ndërprerja e kontratave, ku i është bërë propozim Komisionit të Licencimit për heqje licence për një farmaci në rajonin e Dibrës. Njëkohësisht janë marrë masa administrative me gjobë për farmacitë e rajonit Dibër në vlerën 46 000 lekë për diferenca në minus të barnave dhe parregullsitë në mbajtjen e dokumentacionit të farmacisë. Në dy farmacitë e rrethit Krujë u konstatuan parregullsi në mbajtjen e dokumentacionit në lidhje me regjistrimin e faturave brenda afateve, diferenca në plus dhe në minus për barnat e listës. Masat penalizuese ndaj këtyre farmacive janë gjobë në vlerën 32 000 lekë dhe dëm ekonomik në vlerën 253 983.9 lekë. Në farmacitë e Rrethit të Pukës u konstatuan parregullsi në mbajtjen e dokumentacionit në lidhje me regjistrimin e faturave brenda afateve dhe fatura pa vulën e depos, si dhe diferenca në plus dhe në minus për barnat e listës nga kontrolli me inventarizim në dy farmaci, ku u vendosën masat e gjobës në vlerën 1 000 lekë dhe dëm ekonomik në vlerën 194955.9 lekë.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›