E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi i ISHP-së, ndotja e ambientit mbi normat e lejuara nga BE-ja

Tirana mban vendin e parë në listën e qyteteve më të ndotura. Studimi përfshin qytetet më të mëdha të vendit për numër banorësh dhe aktivitete

Emanuela Sako

Ndotja e ambientit shënon shifra të larta në qytetet më të mëdha të vendit. Në krye të listës qëndron Tirana, pasi ka numrin më të madh të popullsisë dhe të aktiviteteve të ndryshme për biznesin. Studimi më i fundit ISHP-së tregon se rezultatet e ndotjes së ajrit janë më të larta se norma e lejuar nga BE-ja. Qytetet ku është kryer studimi për një afat të gjatë kohor, përreth një vit, janë: Tirana, Vlora, Korça, Shkodra, Durrësi dhe Fieri. Në këto qytete janë marrë 8 mostra ajri në pika të ndryshme dhe ndotja ka rezultuar sa dyfishi i normave të lejuara nga BE-ja. Të gjitha mostrat e marra janë analizuar gjatë këtyre muajve dhe janë nxjerrë rezultatet përfundimtare.
Ndotja
Sipas rezultateve të nxjerra nga ky laborator, Tirana është problem kryesor për përmbajtjen e grimcave në ajër. Vërehet se edhe dioksidi i azotit NO2 ka vlera të konsiderueshme në shumicën e pikave të Tiranës dhe në disa qytete të tjera kryesore të vendit. Përmbajtja e grimcave të ngurta (LNP e PM 10) në ajrin e qytetit të Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Fierit, Vlorës dhe Korçës në mënyrë të qëndrueshme tejkalon në masën 2-4.5 herë normat e lejuara të vendeve të BE-së. Dioksidi i azotit NO2 është në rritje të vazhdueshme brenda pesë viteve të fundit. Po kështu edhe benzeni C6H6 pritet të jetë problem i madh në të ardhmen. Këto gazra shkarkohen kryesisht nga trafiku që në shkallë kombëtare përbën një problem shëndetësor e mjedisor. Niveli i lartë i ndotjes ndikon në uljen e jetëgjatësisë së shqiptarëve. Specialistët e ISHP-së kanë bërë matje të gazrave në ajër, të NO2 dhe Benzenit, të cilat kanë rezultuar tepër të larta, 30 për qind mbi normat e lejuara nga BE-ja. Këta elementë merren nëpërmjet ajrit dhe janë të dëmshëm për shëndetin e njeriut, pasi përmbajnë elemente kancerogjene. Jeta e shqiptarëve rrezikohet të shkurtohet nga 1,5 deri në dy vjet më pak. Në 6 qytetet kryesore janë analizuar dhe janë gjetur me tepricë në ajër këto lëndë: LNP, PM 10, SO2, NO2, C6H6, etj.
Rreziku
Specialistët shpeshherë kanë bërë të ditur se ka një shtim të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Në kohët e fundit, në jo pak raste është konstatuar ndotje e ujit dhe e ajrit duke provokuar kështu shumë sëmundje të tjera nga këto ndryshime. Shqipëria ka probleme për shkak të një ekosistemi të dëmtuar dhe të ndotjeve që ka shkaktuar urbanizimi i shpejtë, trefishimi i popullsisë në qendrat kryesore urbane, brenda një periudhe të shkurtër kohore. Mosha e tretë apo fëmijët e vegjël i ndiejnë më shumë pasojat e këtyre rreziqeve që vijnë nga ndryshimi i klimës. Sipas specialistëve të ISHP-së, ndotja rrezikon shfaqjen e një numri të lartë sëmundjesh. Kështu, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes pasohen nga sëmundjet e moshës prenatale, sëmundje simptomatike, sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut, infeksione të sistemit nervor qendror, infektive, etj.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›