Universitetet, provime me zgjedhje edhe për maturantët para vitit 2005-2006
Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006 dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin dy provime me zgjedhje. Rregullorja e Ministrisë së Arsimit parashikon se regjistrimi i kësaj kategorie për provimet me zgjedhje do të behet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollat e mesme; në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH) të drejtorisë arsimore përkatëse. Kjo kategori kandidatësh për student duhet të paraqesin për regjistrim një vërtetim që ka përfunduar studimet e mesme, listën me notat e viteve të shkollës, kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë, një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar dhe kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje.
KMSH cakton shkollën e mesme ku këta persona do të plotësojnë formularët A1 dhe A2 dhe do të japin provimet me zgjedhje.
Arsimimi, hapet sot shkolla tjetër në Burgun e Fushë-Krujës
Vetëm pak ditë pas hapjes së shkollës për të dënuarit në Burgun e Peqinit, një tjetër qendër arsimore do të çelet sot në Burgun e Fushë Krujës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve (DPB) bëjnë të ditur se në burgun e Fushë Krujës do të hapet shkolla e dytë 9-vjeçare në sistemin penitenciar, ku kanë shprehur dëshirën për tu arsimuar 34 persona me liri të kufizuar. Në këtë shkollë do të jepen gjashtë lëndë që janë: Gjuhë shqipe, Edukatë qytetare, Matematikë, Histori, Gjeografi, Shkenca (Kimi, Biologji, Fizikë). Në bazë të marrëveshjes, dëftesat do të jepen nga Zyra Arsimore e Fushë Krujës dhe do të jenë të barasvlershme me dëftesat e shkollave të tjera. Ndërkohë që tekstet mësimore ofrohen falas. Me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Arsimit, gjatë muajit dhjetor 2008, u hap shkolla e parë 9-vjeçare në Burgun e Peqinit, ku aktualisht janë duke ndjekur procesin mësimor 44 të dënuar. DPB ka marrë përsipër sigurimin e kushteve, lehtësirave dhe infrastrukturës së nevojshme si dhe sigurimin e transportit të personelit mësimdhënës në institucionet përkatëse. Ndërsa po punohet për fillimin e procesit mësimor edhe në 3 institucione të tjera, në Burgun e Burrelit, atë të Rrogozhinës dhe Korçës. Më parë procesi mësimor në sistemin penitenciar zhvillohej në mënyrë jo-formale nga sektorët e edukimit dhe ishin të organizuara në formën e kurseve kundër analfabetizmit.
10 Mars 2009